E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fieri varros dy të rinjtë e tragjedisë

Në qytetin e Fierit dje u bë varrimi i Festim Hoxhës, si dhe Amarildo Kukës, dy djemve të gjetur të martën

Hoxha e Kuka i ishin drejtuar vendit fqinj për të punuar në ndihmë të familjeve të varfra

FIER – Pas gjetjes dhe identifikimit të tyre nga familjarët, trupat e Festim Hoxhës dhe të Amarildo Kukës u tërhoqën dhe u dërguan mëngjesin e djeshëm në qytetin e Fierit. Të dyja ceremonitë mortore u kryen në kohën e drekës ndërsa familjet vajtuan dy të rinjtë që e çuan në katër numrin e viktimave në tragjedinë e së dielës në mbrëmje në Butrint.

Familjarët e Festim Hoxhës, 27-vjeçarit nga Vidhishta e Fierit, i pari që u identifikua ndër dy trupat e gjetur të martën në ujërat e Butrintit, vajtuan dje djalin e tyre të vetëm. I larguar nga shtëpia të shtunën pa dëshirën e prindërve, Festimi nuk mendohej i vdekur deri në momentin që motra e tij në Greqi njoftoi familjarët se vëllai nuk kishte mbërritur tek ajo. Problemet shëndetësore bënë që 27-vjeçari të mendonte shtetin fqinj si zgjidhjen më të mirë dhe, meqenëse nuk merrte dot një leje kalimi në mënyrë tjetër, kishte gjetur si zgjidhje pagesën prej 1 mijë eurosh duke kaluar me varkë për në Xarrë, në Konispol e më tej në tokën e ëndërruar. Kundërshtimi i prindërve pati bërë që Festimi të mos u tregonte se ishte nisur në Sarandë, duke i lënë në padijeni ata. Dëshira për të rregulluar gjendjen ekonomike të familjes, që do të ndodhte pas mjekimit të tij, ishte më e fortë se kërkesa për të qëndruar në fshat. Por ëndrra e Festimit mbeti në thellësitë e Liqenit të Butrintit.

20-vjeçari Amarildo Kuka u dërgua tek familjarët e tij në Kurjan. I lindur nga një martesë më pas e shpërbërë, të afërmit e tij nuk i pranuan mediat në varrimin e djaloshit.

Familjarët e Ndriçim Myftarit presin prej tri ditësh gjetjen e trupit të të riut, ndërsa të afërmit vijnë nga larg

Myftari: Qeveria të tregohet më njerëzore

SARANDË - Xhaxhai i 17-vjeçarit, i cili ndodhej gjithashtu buzë liqenit u shpreh se kërkoi një punë më të mirë nga ana e shtetit. “Do të rrimë këtu derisa të kontrollohet e gjithë sipërfaqja”, u shpreh ai. “Do të qëndrojmë ditë e natë në Butrint, në mënyrë që ne familjarët të bindemi se detyrimin e kemi kryer dhe jemi të bindur që nuk e kemi lënë djalin në fund të liqenit. Kërkojmë nga strukturat shtetërore që të shtojnë numrin e polumbarëve, ashtu siç u veprua në rastin e të ndjerit, djalit të presidentit Moisiu. Të vlerësohen njëlloj, se njëlloj duhen, se të dy ishin djem prindërish, pavarësisht se njëri ishte president e tjetri një bujk në fshatrat e Lushnjës”. Ndërkaq, babai i 17-vjeçarit kërkoi një zgjidhje nga kreu i Policisë së Shtetit. Para mediave, Ylli Myftari, iu drejtua drejtorit Premçi që të “ngrejë zërin në qeveri, në mënyrë që të tregohet më njerëzore dhe më kërkuese dhe të bëjë çdo përpjekje për të gjetur djalin”. “Shpirtërisht, shef, të lutem, të lutem dhe më fal që të shqetësoj”, ishin fjalët lutëse të babait të 17-vjeçarit i cili që prej së hënës pret në buzë të liqenit gjetjen e trupit të të birit. Mbyllet një tjetër ditë kërkimesh pa rezultat. Asnjë dijeni se ku mund të ndodhet 17-vjeçari nga Lushnja.

Dështon dita e tretë e kërkimeve

BUTRINT - Në korridorin ujor të Kanalit të Vivarit edhe të mërkurën vazhduan kërkimet për të gjetur një nga të humburit në tragjedinë e së dielës në mbrëmje. Polumbarët e RENEA-s për të tretën ditë vazhduan zhytjet nën ujë për të gjetur trupin e 17-vjeçarit Ndriçim Myftaraj. Ashtu si edhe ditët e tjera, të afërmit e të zhdukurit vazhduan të qëndronin dhe të prisnin rezultatet e kërkimeve të polumbarëve. Pas babait të djaloshit, tashmë në Butrint kanë mbërritur edhe njerëz që ndodheshin në Itali e Greqi, të lajmëruar nga familjarët apo edhe nga mediat. Përveç kërkimeve në liqen, nga polumbarët, të cilët mësohet se ishin katër, por më pas numri i tyre u shtua, kërkime u realizuan edhe në zonën përreth. Ekzistojnë ende shpresat se djaloshi mund të jetë gjallë dhe mund të ketë dalë në tokë. Një gjë e tillë ndodhi pas ditëve të kërkimeve dhe mosgjetjes së trupit të të riut që rezulton i zhdukur. Ndërkaq, nga ana e uniformave blu është bërë e ditur se kërkimet do të vazhdojnë deri në momentin që do të kontrollohet e gjithë zona nënujore dhe të mos shpresohet më për gjetjen e trupave të tjerë.

NDIHMA

Ministria: 2 milionë lekë për viktimë

Ndërkaq, nga ana e Ministrisë së Brendshme, me porosi të kryeministrit të vendit është bërë e ditur se për çdo familje e cila ka pasur viktimë do të ofrohet një shumë prej 2 milionë lekësh të reja. Shuma e parave e ofruar mësohet se do të shërbejë për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve pas fatkeqësive të ndodhura.

NGJARJA

27 klandestinë të nisur për në Greqi

Të dielën në mbrëmje një varkë peshkimi, e cila do të transportonte klandestinë nga Butrinti në Xarrë u përmbys duke shkaktuar katër viktima. Në fillim u publikuan emrat e Elvira e Klara Jahos, nënë e bijë, 21 vjeçe dhe 3-muajshe. Por më pas, në kërkimet për një 17-vjeçar të zhdukur, u gjetën trupat e dy personave të tjerë që as nuk dihej që ishin në varkë. Amarildo Kuka e Festim Hoxha u nxorën e u identifikuan të martën. 27 vetë të përfshirë në këtë ngjarje ishin nisur për në Greqi, në mënyrë të jashtëligjshme. Transporti me varka do të bëhej për të shmangur patrullat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›