E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, dy organizatorë në pranga, dy në kërkim

OPERACIONI/ Gjatë natës dhe mëngjesit të djeshëm policia arrestoi dy nga organizatorët e trafikut të shpallur në kërkim

TIRANË - Vihen në pranga edhe dy organizatorë të tjerë të trafikut për në Greqi që çoi në vdekjen e katër shtetasve dhe zhdukjen e një të pesti. Mëngjesin e djeshëm, uniformat blu të policisë së shtetit arrestuan Dashamir Manen dhe Hyqmet Sollakun. Dy shtetasit, i pari nga Saranda dhe i dyti nga Fieri, u arrestuan në Sarandë dhe në Tiranë, të dy të fshehur në dy banesa. Ndërkaq pritet edhe arrestimi i dy personave të tjerë të shpallur në kërkim: Brahim Madhit dhe Albert Gegës.

Hetimet

Policia e Shtetit bëri të ditur se lidhur me ngjarjen e së dielës në mbrëmje kanë vijuar hetimet për zbardhjen e plotë, si dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Kështu, që ditën e parë të tragjedisë u vunë në pranga Ahmet Bushi, pronar i varkës në të cilën hipën shtetasit që më pas humbën jetën, si dhe Bashkim Sena. Ky i fundit dyshohet nga policia se ishte rekrutues dhe si rrjedhojë merrej me mbledhjen e personave që do të kalonin kufirin. Nga ana e policisë u bë e ditur se 23-vjeçari Dashamir Mane, i cili u arrestua në një banesë në fshatin Shelegar të Himarës, ishte personi i cili ditën e diel kishte transportuar me varkë shtetasit që do të kalonin kufirin, por që me përmbysjen e saj kishte arritur të shpëtonte. Ndërkaq, 41-vjeçari Hyqmet Sollaku, i cili u ndalua në një banesë në lagjen “Kombinat” në kryeqytet dyshohet se ishte personi që ka organizuar ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Akuzat

Ndaj gjashtë shtetasve, të cilësuar si organizatorë të trafikut, është ngritur akuza e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, e kryer në bashkëpunim, që ka sjellë si pasojë vdekjen e disa shtetasve”. Në kërkim janë edhe dy anëtarë të tjerë të grupit që cilësohet me gjashtë veta, numër i nxjerrë pas deklarimeve të bëra nga personat që ishin në varkë. Nga ana e policisë u bë e ditur se fatmirësisht nuk ka asnjë rast të denoncuar në të gjitha qarqet e vendit për persona të nisur drejt Greqisë dhe që mund të kenë humbur. Thirrja për denoncimin e rasteve u bë pas vështirësive për të përcaktuar se sa vetë kishin qenë në barkë. Vështirësi në hetim mësohet të ketë krijuar fakti që shtetasit ishin nga qytete të ndryshme të vendit dhe nuk njiheshin njëri me tjetrin.

Prokuroria: Trafiku lulëzoi dy muaj më parë

Burimet nga prokuroria të cilët po hetojnë lidhur me ngjarjen e ndodhur në Butrint bënë të ditur se qarkullimi me varkë nga Butrinti në Xarrë kishte filluar rreth dy muaj më parë. Nisjen e një trafiku të tillë përmes varkave të peshkimit e ka nxitur ngritja e pikave të kontrollit nga ana e policisë. Si rrjedhojë, në rastet kur shihej që policia ishte në qarkullim, organizatorët përdornin varkat si mënyrë për t’i kaluar klandestinët deri në fshatin Xarrë, prej ku ishte më e lehtë që të kalonin në Konispol, vend prej ku nuk ishte shumë e vështirë që të kalohej në shtetin fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›