Rektori i Vlorës heq ish-dekanin e Ekonomikut
Vlorë - Nga drejtues fakulteti tani del pa punë. Kjo ndodh në Universitetin e Vlorës, ku rektori Tanush Shaska ka kërkuar shkarkimin nga puna të pedagogut Kreshnik Bello që deri një vit më parë mbante edhe postin e dekanit të Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit të Vlorës. Bello ka dalë sot në një konferencë për shtyp, duke e quajtur të padrejtë, madje tendencioz kërkesën e rektorit Shaska.
“Kam rreth 10 vite punë si pedagog në Universitetin “Ismail Qemali”, kam një CV të plotë, kam të gjitha kriteret për të mbajtur një emër të tillë, por tashmë më është komunikuar një urdhër që nuk e di çfarë emërtese duhet ti vendos”, tha Bello.
Në urdhrin që mban firmën e rektorit shruhet: “Nga kontrolli i ushtruar në dokumentacionin e pedagogut Kreshnik Bello, rezulton se “Diploma dhe lista e notave në gjuhën turke, mungon emri i përkthyesit, i cili legalizohet nga noterja. Lista e notave në përkthimin shqip ka dy fletë, ndërsa në gjuhën turke vetëm një fletë, që i përgjigjet fletës së parë në shqip. Lista e notave në gjuhën turke është fotokopje dhe pa vulë që të vërtetojë organin që e ka lëshuar. Diploma e tij nuk i përgjigjet vendit të punës”. Me këto pretendime rektori Shaska kërkon fillimin e procedimit për zgjidhjen e kontratës.
Nërkohë pedagogu i Ekonomikut, në reagimin e tij dekaron se çështjen do ta ndjekë në rrugë ligjore, pasi i plotëson të gjitha kriteret për të qenë pedagog. Ndërsa komenton se është sulmuar për qëndrimet e tij kundërshtuese ndaj rektorit, nis nga periudha e diskutimeve për heqjen e emrit Ismail Qemali nga Universiteti i Vlorës.
Dy muaj më parë, rektori Shaksa kërkoi që t’i hiqet emri i patriotit Ismail Qemali, universitetit që ai drejton. Çështja mori përmasa të mëdha, ku ndërhynë edhe titullarë të institucioneve të larta të shetit, si Presidenti Bamir Topi, ndaj kërkesa e rektorit nuk u miratua nga Ministria e Arsimit.