E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke plagos klandestinin shqiptar

KUFIRI/ Dështon një tjetër përpjekje e shtetasve shqiptarë për t’iu larguar vendlindjes së tyre

GREQI - Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur tri ditë më parë me klandestinët shqiptarë që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin shtetëror me Greqinë, një tjetër emigrant shqiptar i paligjshëm është bërë objekt i një situate negative. Përpjekja e tri klandestinëve për të hyrë në shtetin grek nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit, përfundoi me një shtetas të plagosur nga plumbat e ushtarëve të vendit fqinj, por fatmirësisht pa rrezikuar jetën. Mediat greke publikuan dje lajmin e plagosjes së shtetasit shqiptar, 27-vjeçarit Halo Zhupa, banor i qytetit të Delvinës. Duke iu referuar këtyre burimeve mediatike, mësohet se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 27-vjeçari Zhupa u pa në territorin grek, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët mendohet gjithashtu të jenë shtetas shqiptarë. Ata po tentonin kalimin ilegal drejt Greqisë nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit. Patrulla e policisë greke, pasi pikasi klandestinët u ka bërë atyre thirrje për të ndaluar, por tri shtetasit nuk i janë bindur. Në këto kushte, policia e shtetit helen ka hapur zjarr, duke shkaktuar plagosjen e të riut nga Delvina, ndërsa dy bashkëshoqëruesit e tij kanë shpëtuar dhe janë larguar duke përfituar edhe nga errësira. Rreth fatit të tyre ekzistojnë dy pista, ajo e kthimit mbrapsht për në Shqipëri dhe një tjetër e strehimit në ndonjë vend në territorin grek. Pas ngjarjes, 27-vjeçari është shoqëruar po nga efektivat policorë grekë mëngjesin e djeshëm në spitalin “Haxhikosta” të qytetit të Janinës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa ai do të përballet me drejtësinë helene për akuzën e “trafikimit të klandestinëve”. Mediat greke pohojnë se, sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e Halo Zhupës është jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbat e kanë goditur atë vetëm në këmbën e majtë. Ndërkaq, rreth mesditës, në mjediset e spitalit për t’u interesuar rreth gjendjes shëndetësore të 27-vjeçarit ka qenë konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë i akredituar në Janinë, Eshref Shehu. Është hera e parë përgjatë kohëve të fundit që një klandestin shqiptar plagoset në territorin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›