E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, të ngujuarit: "Shpëtoni fëmijët tanë"

GJAKMARRJA/ Prindër të fëmijëve të ngujuar të qendrës së Poliçanit kërkojnë ndihmë për largimin e tyre

SHKODËR - Prindër të fëmijëve që kanë qenë të strehuar në qendrën e fëmijëve të ngujuar në Poliçan i bëjnë apel shtetit ta rihapë këtë qendër dhe të shpëtojë jetët e fëmijëve të tyre. Pas marrjes së fëmijëve nga familjet e tyre, pasi në Poliçan nuk kishte kushte qëndrimi normal e ushqimi, prindërit që kanë probleme gjakmarrjeje kërkojnë që shteti të plotësojë kushtet minimale të jetës në këtë qendër dhe fëmijët të rigrupohen atje. Janë 22 fëmijë të zonës së Shkodrës, të cilët janë trajtuar në këtë qendër dhe janë tërhequr nga familjet pas skandalit të abuzimeve që u bënë publike dhe faktit që fëmijët atje nuk kishin me se të ushqeheshin.


Nikë Ndrevataj, 50 vjeç, i cili ka pasur katër fëmijë në qendrën e fëmijëve të ngujuar në Poliçan, shprehet se kërkon nga shteti që qendra t'i rikthehet funksionimit të saj. Ai tregon se është në gjak prej 9 vitesh dhe katër djemtë e tij ia kishte besuar drejtoreshës Liljana Luani. "Atje fëmijët janë të sigurt se ruhen me policë dhe unë ia kam dhënë në besë Liljanës, e cila, sipas kanunit, përgjigjej me familjen e saj për jetën e tyre gjatë kohës që ishin në Poliçan. Unë njoh kanunin, se prej tij jam i ngujuar, ndërsa për ligjet e shtetit e kam provuar vetë se si funksionojnë. I mora fëmijët nga Poliçani kur mësova se nuk kishin se çfarë të hanin dhe se në drejtim aty ishte vënë një burrë. Është e tmerrshme të vjedhësh fonde për fëmijët që janë aty se u kërcënohet jeta. Unë i dërgoj përsëri me kusht që shteti të më sigurojë ushqimin, shkollën dhe në krye të qendrës të jetë një grua. Kemi parë shumë në jetë. Kërkoj që shteti të bëjë të mundur rikthimin e fëmijëve në këtë qendër, pasi këtu ata ndihen të pasigurtë". Në kushtet e një varfërie të madhe, i ngujuar dhe me nëntë pjesëtarë në familje, i vetmi burim jetese për Nikë Ndrevatën nga Lekbibaj i Tropojës janë 5000 lekë të reja ndihmë ekonomike. Përveç 5 fëmijëve të tij, gruas, hallës që ka në ngarkim, ai rrit dhe djalin e vëllait të vrarë, të cilit para pak muajsh i ka vdekur dhe nëna dhe ka mbetur jetim. "Ai duhet të përfitojë ndonjë gjë, pasi është pa prindër, por duke qenë i ngujuar nuk kam mundësi t'u bjerë pas dokumenteve e zyrave, - thotë Nikë Ndërvataj, i cili banon në periferi të qytetit të Shkodrës, në rajonin nr 3. - Tani që djemtë janë kthyer në shtëpi, rri zgjuar natën nga frika e plumbave të hasmit. Më duket se makinat a motorët që kalojnë nga shtëpia ime, po ndalen e qëllojnë. Shteti duhet t'u dalë për zot atyre. Këtu janë të pasigurt në çdo moment". Kërkesën e Nikës e përkrahin dhe prindër të tjerë që kanë pasur fëmijët në këtë qendër. Sipas tyre, është shteti ai që duhet të ndëshkojë ata që kanë abuzuar me fondet e dhëna dhe qendra të rinisë funksionimin e saj duke u drejtuar nga njerëz me zemër e të ndershëm. Jeta e fëmijëve është e pasigurt, ndërsa kanë qenë kushtet e vështira në qendrën e Poliçanit që i kanë detyruar familjet të rimarrin fëmijët.

Diella Prela, e cila në këtë qendër ka pasur dy fëmijët e saj dhe fëmijët e të vëllait shprehet se ata duhet të rikthehen sa më shpejt në Poliçan dhe shteti t'u sigurojë libra e ushqim, pasi këtu janë të pasigurtë. Ajo rithekson kërkesën që në krye të qendrës të jetë një femër. "Nuk mund të pranojmë që të drejtohet qendra nga meshkuj, pasi aty ka dhe vajza. Kërkesa jonë është fare e thjeshtë: ushqim, shkollë dhe drejtuese femër". Apeli i prindërve që kanë pasur fëmijët në këtë qendër është që shteti të bëjë të mundur rikthimin e tyre atje me kusht që fëmijët të kenë libra, të vazhdojnë shkollën, të kenë ushqim të mjaftueshëm dhe një drejtuese femër. "Duke i pasur atje, sikur jemi më të qetë, pasi nuk i vret njeri dhe mendojmë vetëm për pjesën e familjes që jeton këtu, ndërsa tani frika është shtuar. Atje ishin të sigurtë për jetën, - shprehen të ngujuar nga Shkodra që kanë pasur fëmijët në qendrën e Poliçanit.

--------------------------------------------------------

Drejtoresha e qendrës: Shkollimi mposht gjakmarrjen


Liljana Luani, e cila është drejtuesja e shoqatës që ka mbështetur ngritjen e qendrës në Poliçan dhe njëkohësisht denoncuesja e abuzimeve me fondet e dhëna për të, shprehet se ka besim se shteti do të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi. Ajo është e shqetësuar për jetën e fëmijëve, të cilët këtu janë të rrezikuar, pasi është marrë dijeni publikisht që fëmijët i kanë tërhequr prindërit nga Poliçani. "Ushqim, siguri e dituri. Kaq kërkohet, - thotë Luani. Ajo tregon se ka gjetur mbështetjen e Avokatit të Popullit, të shoqatës për të drejtat e njeriut që drejtohet nga Elsa Ballauri, të disa bizneseve dhe shoqatave humanitare. Ka trokitur kudo dhe shpreson që shteti të bëjë punën e tij. "Më kanë thënë se do të përgatisim një paketë ligjesh të veçanta për këtë kategori, por plumbat e gjaksit nuk presin dot deri sa të bëhen e miratohen ligjet. Fëmijët duhen dërguar sa më shpejt në Poliçan, ku janë më të sigurtë dhe ruhen me polici, pasi këtu janë të rrezikuar. T'u sigurohet ushqim e shkollim, pasi janë një muaj pa shkollë. Duke qenë të shkolluar, rreziqet e fenomenit të gjakmarrjes pakësohen, - shprehet Luani. Fëmijët që kanë qenë në këtë qendër janë shumë të lidhur me Liljanën. Sapo e shohin, ata hidhen dhe e përqafojnë, ndërsa tregojnë se ishin ata që nuk e linin të largohej kur ishin në Poliçan, duke dalë përpara furgonit. Qendra e fëmijëve të ngujuar në Poliçan u mbyll pas denoncimit të abuzimeve me fondet, denoncim i bërë nga vetë drejtoresha Liljana Luani. Që atëherë, familjet që kishin lënë fëmijët e tyre në këtë qendër, vendosin që t'i tërheqin pasardhësit e tyre, duke i rimarrë nëpër shtëpi, por tashmë me frikën se ata mund të jenë pre e gjaksit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›