E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohen me 73 vjet burg, 10 të akuzuar për trafik klandestinësh

Gjykata ka dhënë vendime me nga 11 vite për krerët e trafikut, Hodo Corro dhe Arben Sulaj, i cilësuar "Maloku"

Kalimi në Greqi në rrugë ilegale kushtonte 1200 euro dhe sipas Gjykakës, organizator ishte oficeri i Policisë Kufitare


TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, dënoi dje me 73 vjet e 3 muaj burg, si dhe 5.7 milionë lekë të reja gjobë 10 të akuzuarit për trafik klandestinësh, të arrestuar gjatë operacionit "Maloku". Gjykatës iu desh afërsisht një vit shqyrtim gjyqësor që të bindet se të pandehurit e arrestuar qershorin e 2007 me akuzat e "trafikut të klandestinëve" nga Shqipëria në Greqi, janë fajtorë. Sipas Gjykatës, të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, të drejtuar nga i pandehuri Arben Sulaj, kanë tentuar të kalojnë në mënyrë ilegale nga Shqipëria në Greqi për një afat kohor prej 6 muajve rreth 80 persona, në 8 raste të ndryshme. Vetëm pak javë më parë, prokurori i çështjes Ardian Nezha, lexoi para gjykatës konkluzionet përfundimtare ndaj 10 të pandehurve, duke kërkuar dënimin e tyre në total me 82 vite burg dhe 39.9 milionë lekë të vjetra gjobë. Në të kundërt, mbrojtësit ligjorë dhe vetë të pandehurit e arrestuar kanë kërkuar pafajësi dhe drejtësi, duke mohuar akuzat e trafikut të klandestinëve. Sipas vendimit të gjykatës, si organizatorë të këtij rrjeti trafiku janë cilësuar të pandehurit Arben Sulaj e Hodo Corro duke u dënuar edhe me maksimumin e dënimit me nga 11 vite burg secili dhe me nga 800 mijë lekë të reja gjobë. Ndërkohë, si bashkëpunëtorë të ngushtë të dy organizatorëve, janë cilësuar të pandehurit Leonidha Caro, Ergest Rabi e Krenar Boçi. Ata u dënuan me nga 10 vjet burg secili dhe nga 800 mijë lekë të reja gjobë. Të pesë këta të pandehur janë cilësuar fajtorë për veprat penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkaq, katër të pandehurit e tjerë të kësaj dosje: Eugen Garencaj, Kreshnik Gërbi, Ermal Kaçi e Lorenc Meci, janë dënuar me nga 5 vjet burg secili e nga 600 mijë lekë gjobë, për akuzën e "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", ndërsa, për akuzën e "mos kallëzim krimit" është dënuar me 1 vit burg e 30 mijë lekë të reja gjobë shtetasi Ermal Fidhi. Sipas vendimit, për gjetjen e klandestinëve, organizimin dhe mënyrën e kalimit nga Shqipëria në territorin grek të këtyre klandestinëve merrej i pandehuri Sulaj, i cili i gjente personat që dëshironin të iknin në Greqi, kundrejt pagesës prej 1200 eurosh. Më pas, Sulaj kontaktonte me të pandehurin Ergest Rabi, specialist në zyrën e antikrimit ekonomik në Gjirokastër, i cili nëpërmjet telefonit dhe takimeve me drejtuesin e policisë Hodo Corra i cili kishte për detyrë kontrollin e pikëkalimeve kufitare. Kundrejt pagesës Corro urdhëronte vartësit e tij të lironin rrugët për kalimin e klandestinëve nga vendi i quajtur "Glina" dhe "Tre Dritat" për të kaluar makinat e mbushur me klandestinë. Mësohet se është provuar dhe faktuar se i pandehuri Sulaj, në bashkëpunim me eprorët e policisë dhe transportuesit që njiheshin si "pilotët" ka kaluar nga Shqipëria në Greqi në tetë raste klandestinët. Kështu janë kaluar rreth 80 persona në datat, 3, 6, 14, 27 mars 2007, 14 prill, 5 dhe 11 maj po të 2007. Të gjithë janë larguar, klandestinët kanë kaluar në mënyrë ilegale duke shfrytëzuar vendet ku shefi i patrullave të policisë Hodo Corra bënte roje. Ky i fundit, kundrejt pagesave që merrte nga specialisti i antikrimit Ergest Rabi urdhëronte efektivët e tij të largoheshin nga vendet e kontrollit, duke i lënë kështu rrugë të lirë trafikantëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›