E Diel, 1 Nëntor 2026

Kavajë, alkooli i merr jetën një shoferi

PËRPLASJA/ Selman Mici mësohet se nuk ka frenuar fare ndërsa i ka vajtur përballë furgonit me të cilin u përplas

KAVAJË - Shpejtësia dhe alkooli kanë shkaktuar një viktimë dhe tre të plagosur në një aksident të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në qytetin e Kavajës. Në vendin e quajtur stacioni i trenit në Golem dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të shtetasit Selman Kadri Mici, që drejtonte automjetin me targa TR 5750 R. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, viktima po udhëtonte në drejtim të Kavajës, me një shpejtësi që kalonte çdo limit të rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo gjë i ka kushtuar jetën 45-vjeçarit, Selman Mici, dhe ka bërë që femra që e shoqëronte atë aktualisht të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa drejtuesi i automjetit furgon frigorifer me targa KJ 6025 A, Qerim Shyqyri Xhelezi, 31 vjeç, ka shpëtuar me dëmtime më të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje disi më të mirë shnëdetësore është punëtori që shoqëronte drejtuesin e furgonit. Sipas burimeve të policisë së Kavajës, automjetet po udhëtonin në kahe të kundërta. Mjeti me targën TR 5750 R, me drejtues viktimën Mici, po udhëtonte në drejtim të Kavajës. Por shpejtësia e madhe dhe gjendja e dehur nuk e kanë lejuar që të mbajë drejtimin e automjetit brenda korsisë së lëvizjes. Në të njëjtën kohë edhe mjeti që po vinte përballë, me drejtues Qerim Xhelezin, ishte me shpejtësi. Nga vëzhgimet e kryera në vendngjarje nga efektivat e policisë ka rezultuar se drejtuesi i "Benz"-it kishte dalë në krah të kundërt dhe në vendin e aksidentit nuk kishte vijë frenimi nga ana e tij. Megjithë devijimin që është munduar të bëjë shoferi i furgonit, sërish nuk është arritur shmangia e aksidentit me pasojë vdekjen. Xhelezi punon në një fabrikë përpunimi të qumështit dhe po bënte shpërndarjen e produkteve nëpër dyqane me të cilat bashkëpunon fabrika. Bashkë me të ishte edhe ndihmësi i ngarkim-shkarkimit të mallit. Ndërsa viktima Selman Mici, me sa dukej nga gjendja e dehur, gjë që rezultoi nga ekspertiza e bërë, po kthehej nga një festë. Ngjarja e ndodhur i shton edhe një viktimë tjetër bilancit prej 11 të vdekurish në këtë aks rrugor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›