“Fazllic”; Prokuroria apelon vendimin e heqjes së sekuestros së pronave
Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës se Apelit për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shfuqizoi vendimin e sekuestrove ndaj pronave të biznesmenit boshnjak, Damir Fazlliç. Ankimimi është dorëzuar javën e kaluar në Gjykatën e Apelit. Prokurorët e çështjes e kanë cilësuar vendimin e gjyqtarit Artan Broci të marrë në 31 dhjetor 2008, si të paargumentuar dhe që ka cënuar edhe çështjen në themel, pasi në vendim, gjyqtari është shprehur që edhe hetimi ndaj Fazlliç është i paligjshëm. Ndërkohë, paralelisht me betejën për pronat, prokuroria është duke vazhduar hetimet ndaj biznesmenit boshnjak për akuzën e pastrimit të parave. Aktualisht, grupi i hetimit është në pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara autoriteteve qipriote, boshnjake dhe britanike, mbi aktivitetet e Damir Fazlliç në këto vende.
Vendimi
Trafiku i drogës, 35 vjet burg për 4 të pandehurit nga Elbasani
Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë dhe dënoi me 35 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë katër të pandehurit nga Elbasani, të akuzuar për trafik droge dhe municionesh, nga 49 vjet që kërkoi për ta gjatë konkluzioneve përfundimtare prokurori i çështjes. Në vendimin përfundimtar, gjykata dënoi me 14 vjet burg të pandehurin Besnik Braka, dhe me nga 7 vjet burg secilin për të pandehurit Zamira Gjongecaj, Zamir Ferhati dhe Tajar Leçini. Sipas arsyetimit të vendimit, katër të pandehurit kanë kryer veprën penale të “trafikut të drogës”, ndërsa Braka akuzohet edhe për veprën penale të trafikimit të armëve nga Greqia drejt Shqipërise në vitin 2000. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Besnik Braka në vitin 2005, bashkë me shokun e tij Zamir Ferhati kanë transportuar për në Greqi 500 mijë fishekë automatiku. Kamioni që po i transportonte u zbulua në Kakavijë, ku sipër arkave të fishekëve të fshehur kishte qymyr druri. Të arrestuarve iu kapën edhe 5 kg heroinë e pastër, e cila dyshohet se vinte nga Turqia dhe do të dërgohej në Itali.