Energjia elektrike, “çmenden” faturat e dhjetorit
Pak ditë pasi kanë përfunduar festat e fundvitit dhe familjet shqiptarë ende s’e kanë marrë veten nga shpenzimet e kryera për to, janë befasuar nga faturat “e çmendura” të energjisë elektrike. Me qindra qytetarë janë ankuar dje pranë pikave të OSSH-së në Tiranë për faturat tepër të larta që OSSH iu ka faturuar si konsum për muajin dhjetor 2008. Familje me të ardhura të pakta, pensionistë dhe të papunë duhet të paguajnë deri në qindra mijëra lekë. Shumë prej këtyre qytetarëve me fatura në duar kanë denoncuar pranë OSSH-së se faturimi i muajit dhjetor nuk është real. Shumica e faturave, sipas qytetarëve, tregojnë hapur se llogaritja e tyre është bërë gabim, pasi në familje që nuk përdorin energjinë as për ngrohje as për gatim, është faturuar rreth 1000 kilovat orë energji për muajin dhjetor. Kësaj energjie mjafton t’i bësh një llogaritje të thjeshtë matematikore dhe del vlera reale që duhet të paguajë një familje, duke llogaritur 300 kilovatët e parë me 7 lekë dhe 700 kilovatët e tjerë me 12 lekë, duke shtuar dhe TVSH-në dhe del shuma e lartë që shumë familje duhet të paguajnë. “Fatura e energjisë së këtij muaji më duket e çmendur krejt, po më zë zemra. Unë jam pensioniste, jetoj krejt e vetme dhe shpesh nuk rri në shtëpi dhe fatura e muajit më ka ardhur 84 mijë lekë të vjetra. Kjo është e pabesueshme”, - thotë e revoltuar Yllka, një pensioniste që jeton në një apartament të vogël krejt e vetme. Por si nënë Yllka ka shumë qytetarë që ankohen. Madje një prej tyre, Sofika, punëtore në një supermarket, e përjeton shumë keq faturën e këtij muaji, ajo nuk i fsheh as lotët madje. “KESH-i apo OSSH-ja kush i bën këto faturat i kanë llogaritur që në zyrë. Familjes sime i ka ardhur fatura 130 mijë lekë të vjetra për muajin dhjetor. Të mendosh që unë gatuaj me gaz, ngrohem me gaz dhe shumicën e kohës ne jemi në punë. Nuk di ç’të them, rroga ime do shkoj për të paguar energjinë. Fëmijët janë në shkollë kanë shpenzimet e tyre, më vjen keq dhe për ta”, - thotë ajo. Ajo tregon se faturat e muajve të tjerë nuk e kalojnë vlerën 40 mijë lekë të vjetra, ndaj ajo është shumë e shqetësuar për faturimin e energjisë së muajit dhjetor dhe është e bindur se nuk është llogaritur mirë. Të njëjtën logjikë japin pak a shumë të gjithë qytetarët që janë befasuar nga faturat e dhjetorit. Ata e dinë përafërsisht se sa është konsumi i energjisë në një muaj, ndaj janë befasuar këtë herë. “Gati trefishi i energjisë që kam konsumuar çdo muaj më është faturuar këtë herë. Nuk mund ta besoj, edhe pse në dhjetor qytetarët mund të harxhojnë më shumë energji për festa, nuk është normale e llogaritur tri herë më shumë. Siç duket, OSSH-ja do të realizojë të ardhurat duke vjelë pensionet tona”, - thotë Fehmiu i revoltuar, një pensionit, që banon pranë “21 dhjetorit”. Të pyetur për këtë çështje drejtues të OSSH-së në Tiranë nuk pranojnë të jenë bërë gabime me llogaritjen e konsumit të energjisë, pasi sipas tyre, matësit e çdo qytetari janë të verifikueshme prej tyre. Secili mund t’i lexojë ato në bokset kolektive që janë pranë çdo banese, apo dhe në banesat private. Por nga ana tjetër, faturat tregojnë krejt të kundërtën. Ato familje që në përgjithësi kanë një konsum konstant në muajt e tjerë, kanë rritje të energjisë së konsumuar në faturat e tyre. Ndërkaq për disa të tjerë që konsumojnë më shumë, si për çudi dhjetori i këtij viti ka qenë më i kursyer, duke iu faturuar energji shumë më pak sesa kanë harxhuar. Në ditët e fundit të dhjetorit konsumi i energjisë në shkallë vendi arriti deri në 24-25 milionë kilovat orë energji. Siç duket, OSSH-ja po iu “kthen” reston qytetarëve, duke i detyruar ata të paguajnë shumë shtrenjtë atë që iu dha për festa.