Fazlliç: “Sekreti” i shitjes së Crown
TIRANE
Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, i shumëpërfolur në Shqipëri vitin e fundit për pastrim parash, u paraqit dje për herë të dytë në Prokurorinë e Tiranës, ku qëndroi për mëse 1 orë e 20 minuta. I shoqëruar nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Riza Lahi, biznesmeni 33-vjeçar dje iu shmang komenteve për mediat, duke hyrë menjëherë në makinën luksoze të markës amerikane “Cadillac”, e cila e shoqëronte në lëvizjet e tij në Tiranë. Burimet nga hetimi, të cilat u konfirmuan edhe nga mbrojtja e Fazlliç, thanë se biznesmeni ka marrë në dorëzim procesverbalin e dëshmisë së tij, të përkthyer në gjuhën angleze. Mbrëmjen e të hënës, Fazlliç dëshmoi për më shumë se dy orë, ndërsa rrëfimi i tij vazhdoi më tej ditën e djeshme. Pas përfundimit të deklarimeve, procesverbali që do të futet në dosjen “Fazlliç” është përkthyer në anglisht për t’ju bërë me dije biznesmenit, i cili nuk kishte pranuar të firmoste dokumentin në gjuhën shqipe, mbrëmjen e të hënës. Gazeta “Panorama” mësoi dje në detaje, disa nga pyetjet kryesore që i janë drejtuar biznesmenit 33-vjeçar gjatë rrëfimit para prokurorëve të çështjes Dritan Rreshka dhe Besnik Cani. Më poshtë, publikohet i plotë dialogu i biznesmenit Fazlliç me prokurorët shqiptarë gjatë qëndrimit të tij të dytë në Tiranë brenda pak muajve, pasi ndaj tij filluan hetimet për pastrim parash.
Në fillim të seancës, Fazlliç pyet prokurorët: Me çfarë cilësie më keni thirrur, cilat janë akuzat që keni ndaj meje?
Prokurorët: Jeni thirrur si person në hetim, nuk kemi ngritur akuzë ndaj jush, po hetojmë për pastrim parash.
1.A keni ushtruar aktivitet biznesi dhe e keni bërë si person fizik apo juridik, dhe sa shoqëri keni krijuar?
Kam ushtruar aktivitet biznesi në Shqipëri, si person juridik dhe si ortak në disa kompani.
2.Çfarë aktiviteti keni zhvilluar me këto kompani?
Kam blerë kryesisht pasuri të patundshme, me qëllim që t’i investoj kryesisht në depozita nafte dhe gazi.
3.Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me organet tatimore në Shqipëri?
Kam pasur marrëdhënie shumë të mira, nuk kam pasur asnjë problem.
4.Çfarë marrëdhëniesh keni me kompaninë “Altaria Research” me qendër në Qipro?
Kam marrëdhënie biznesi, ata kanë blerë një kompani timen, “Crown Acqusitions”.
5.Kush janë pronarët e kësaj kompanie, a i njihni ata?
Nuk mund t‘ju them kush janë pronarët, ajo është kompani që nuk ushtron aktivitet në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë shkak nuk jam i detyruar t‘ju tregoj detaje.
6.Si ka mundësi që e keni shitur për 1.7 milionë euro, kur kapitali është 100 mijë lekë të reja?
Ju ngatërroni kapitalin e kompanisë me detyrimin ligjor për regjistrimin e saj. Ligji shqiptar më detyron që të regjistroj një kompani me vlerë 100 mijë lekë ndërsa vlera e aseteve të kompanisë “Crown Acqusitions” ishte 1.7 milionë euro, aq sa e kam shitur.
7.Sa është sipërfaqja e tokës që keni blerë në Porto-Romano?
Kam 24 kontrata shit-blerje me banorët e zonës. Këto kontrata shkojnë tek 18 hektarë tokë, të përmbledhura në tri pagesa: njëra 756 mijë euro, tjetra 280 mijë euro dhe e fundit me 331 mijë euro.
8. Pse i kë bërë pagesat në cash dhe nuk i kë bërë përmes rrugëve bankare?
E vetmja mënyrë ishte që pagesat të bëheshin cash, sepse pronarët e tokës nuk kishin llogari bankare.
9. Kush është origjina e parave me të cilat keni blerë tokën?
Paratë kanë ardhur nga një transfertë e ligjshme nga një bankë zvicerane te banka “Italo-shqiptare”, pra tri pagesat e mësipërme janë bërë me këtë transaksion.
10.Kush i ka tërhequr nga banka paratë që keni paguar për të blerë tokën?
Avokatja Flutura Kola.
11. Përse zgjodhët këtë person për kryerjen e këtyre veprimeve?
E zgjodha se ma rekomanduan, unë jam biznesmen privat dhe zgjedh kë të dua.
12. Tokat në Porto-Romano, i keni blerë në emër të kompanisë apo në emrin tuaj?
I kam blerë në emër të kompanisë, sepse unë jam shtetas i huaj dhe nuk kam të drejtë të blej tokë në Shqipëri. re.kr
“Firmosa pasi u binda se thëniet u shënuan korrekt”
TIRANE – I dyshuari për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave, 33-vjeçari Damir Fazlliç deklaroi dje ndërsa dilte nga prokuroria, se kishte firmosur procesverbalin e marrjes së tij në pyetje, “pasi ishte siguruar që gjithçka që ka thënë para prokurorëve ishte shënuar dhe do të përdorej në mënyrë korrekte”. Sipas procedurës, prokurorët apo hetuesit janë ata që mbajnë shënim në kompjuterat e tyre deklarimet që jep një person gjatë fazës së hetimit. Në rastin e biznesmenit Fazlliç, duket se vështirësia qëndronte në faktin se ai fliste anglisht dhe prokurorët duhej të shkruanin shqip deklarimet e tij. Biznesmeni la të kuptohej qartë ekzistencën e një dyshimi për mundësinë e tjetërsimit të thënieve të tij gjatë seancës së dëshmisë. Ndërkaq burime zyrtare të Prokurorisë, konfirmuan dje se seanca ka qenë e rregullt dhe se gjithçka ka shkuar sipas procedurave të zakonshme ligjore. Sipas Prokurorisë, mësohet se Damir Fazlliç është thirrur dhe është marrë në pyetje në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale “pastrim parash”. Biznesmeni boshnjak Fazlliç u kërkua edhe më parë në Prokurori për t’u marrë në pyetje. Në fillim të muajit tetor 2008, atëherë kur nisën hetimet ndaj tij, Prokuroria kërkoi paraqitjen e Fazlliç, por ftesa u bë në momentin e fundit kur biznesmeni ndodhej në Rinas duke u larguar nga vendi. tr.so
Fazlliç “pështjellon” hetimin e dosjes
Dëshmia e biznesmenit Fazlliç duket se ka përshjelluar më tepër hetimin e dosjes penale të hapur ndaj tij. Biznesmeni mbajti një qëndrim të qetë në përballjen me prokurorët ndërsa nuk hezitoi në disa raste t’u drejtonte ai pyetje përfaqësuesve të akuzës. Në këtë stil komunikimi, Fazlliç ka refuzuar, përshembull, të japë informacion për bizneset dhe aktivitetet e tij jashtë Shqipërisë duke u thënë prokurorëve se: keni dërguar letërporosi në këto vende ku kërkoni të dhëna, ndaj merrini ato zyrtarisht pasi unë nuk kam detyrim ligjor t‘ju tregoj”.
Shitja e Crown
Shitja e kompanisë “Crown Acquisitions sh.p.k”, në pronësi të Damir Fazlliç tek blerësi “Altaria Research Limited”, me qendër në Qipro, është bërë objekt hetimi nga Prokuroria shqiptare, pasi subjekti i shitur kishte për kapital fillestar 1 mijë euro dhe pa deklaruar asnjë fitim apo aktivitet u shit 1.7 milionë euro ndërsa një pjesë e transaksionit kaloi në rrugë jo bankare.
Pastrim parash
Kjo është vepra penale për të cilën Prokuroria shqiptare është duke hetuar biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç. Sipas ligjit shqiptar, bëhet fjalë për përcaktimin e veprës si “pastrim i produkteve të ardhura nga veprimtaria kriminale”. Kjo kërkon që të vërtetohet gjatë hetimit se origjina e parave ka qenë një aktivitet i paligjshëm dhe më pas fitimet janë “pastruar” duke krijuar shoqëri apo duke bërë investime.
Dosja, afati
Prokuroria e Tiranës ka edhe pak ditë në dispozicion për hetimin e biznesmenit Fazlliç. Në janar 2009, organi i akuzës shtyu me tre muaj afatin hetimor të dosjes së hapur në tetor 2008. Pasi kishin kaluar tre muaj, prokurorët vlerësuan se duheshin bërë hetime shtesë dhe për këtë shkak, kërkuan të shtynin edhe me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve. Ky është një afat ligjor që përfundon në muajin mars të këtij viti dhe kërkon që provat të mblidhen brenda kësaj kohe.