“Gërdeci”, nën akuzë dhe 5 ish-specialistë
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme vazhdoi me komunikimin e akuzave për personat që po merren në cilësinë e të pandehurve lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Pasi numri i personave në akuzë mbërriti në 29 tri ditë më parë, dje Prokuroria ka thirrur për t’u njoftuar akuzën specialistëve dhe ekspertëve që kanë qenë pjesë e strukturave ushtarake dhe anëtarë të komisioneve që kanë përzgjedhur municionet që çoheshin për çmontim në Gërdec. Ndërkaq ditët e fundit krahas me njoftimin e akuzave për të pandehurit, të cilët siç është planifikuar nga Prokuroria pritet të jenë 40 persona, organi i akuzës ka vazhduar me analizimin e provave dhe me “kopsitjen” e dosjes për në gjykatë. Sipas të dhënave nga burime jozyrtare mësohet se është duke u analizuar qëndrimi i mbajtur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili gjatë njoftimit të akuzës nuk ka dhënë deklarime për prokurorët që po hetojnë dosjen. Po ashtu edhe ushtarakët e tjerë nuk preferuan të flasin për Prokurorinë, pasi u njohën me akuzat me përjashtim të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili dha deklarime të zgjeruara për mbi dy orë, pasi u thirr në cilësinë e të pandehurit në organin qendror të akuzës. Prokuroria nuk përjashton mundësinë që në ditët e ardhshme, para se të dërgojë në gjyq fashikullin e dosjes që bën fjalë për shpërthimin e ndodhur në Gërdec, të thirren për t’u pyetur si persona të pandehur tre gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm. Ata sipas Prokurorisë kanë dijeni për të dhëna që mund të ndihmojnë hetimin, ndërsa hetuesit shpresojnë edhe tek ndonjë reagim i të akuzuarve për marrjen e tyre në cilësinë e të pandehurve. Pavarësisht deklarimeve nga të pandehurit, Prokuroria pohon se në fashikullin penal ndodhen të administruara prova të padiskutueshme që fajësojnë personat e vënë nën akuzë deri më tani. Mbi 35 të pandehur përfshi ish-ministrin Mediu dhe stafin e tij drejtues në dikasterin e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe tre gjeneralë të tjerë si dhe dhjetëra nëpunës e ushtarakë, u thirrën javën e fundit nën akuzë në Prokurori. Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”. Ndërkaq tre të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit, që shkaktoi 26 të vdekur e 300 të plagosur, akuzohen për vrasje masive ndaj më shumë se dy personave dhe vënie në rrezik të shumë të tjerëve. t.s