Ekzekutohet për hakmarrje pogradecari
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Ekzekutohet me 7 plumba sapo del nga shtëpia e vajzës. Avni Hoxha, 47 vjeç nga fshati Starovë i Pogradecit u vra dje rreth orës 13:30, ndërsa vrasësi i kishte zënë pritë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Komuna e Parisit” në lagjen nr. 2 të Korçës. Ekspertët e policisë kriminale bënë të ditur se vrasja dyshohet të jetë kryer me pagesë për motive hakmarrjeje dhe se autorët kanë qenë të panjohur nga viktima. Si të tillë, ata nuk e kanë pasur të vështirë ta ndjekin objektivin e tyre që nga Pogradeci. Ai mbërriti në Korçë me mjetin e tij tip “Golf” 2 me targë PG 2383 B, për të sjellë tek shtëpia e saj vajzën e martuar, e cila kishte qenë për disa ditë tek shtëpia e prindërve në Starovë. Ajo jetonte në këtë lagje, në një banesë me qira. Hoxha ka hyrë pak çaste brenda në banesë dhe më pas ka dalë duke hipur në makinën e tij. Vetëm dhjetë metra larg nga porta e shtëpisë së vajzës, teksa po merrte kthesën e parë, u qëllua disa herë me pistoletë nga një këmbësor, i cili e priste pikërisht në këtë vend. Hoxha është rrëzuar mbi timon, ndërsa mjeti vazhdoi të lëvizte derisa u përplas tek muri i një banese. Aty mbeti me drita të ndezura derisa mbërriti policia. Sipas burimeve në spitalin e Korçës, viktima kishte marrë disa plagë, dy prej tyre në kokë, të cilat e çuan drejt vdekjes. Banorë të lagjes deklaruan se autori i vrasjes pasi vrapoi deri tek një kthesë tjetër e këtyre rrugicave, hipi në një mjet që e priste dhe më pas u larguan me shpejtësi. Grupi i hetimit, pasi ekzaminoi vendin e ngjarjes dhe rrethanat e krimit dyshon se viktimës i ishte ngritur pritë dhe se vrasja është kryer nga një person profesionist në krime të tilla. Sipas policisë, viktima njihej si një nga “të fortët” e Pogradecit. Ai kishte qenë i dënuar për një vrasje të kryer para viteve ‘90. Por edhe pas këtyre viteve, emri i tij ishte shënuar disa herë si kontingjent kriminal. Sipas burimeve, Hoxha dyshohej të ishte i implikuar në disa veprimtari ilegale. Ndërkohë që ishte shoqëruar disa herë për armëmbajtje pa leje, për rrahje të personave apo kërcënime. Pikërisht veprimtaria e tij e dyshimtë ka bërë që policia të ngrejë disa pista hetimi. Sipas burimeve të policisë, një ndër pistat më të mundshme është hakmarrja. Një tjetër pistë është implikimi në veprimtari të dyshimta, gjë që mund të ketë sjellë edhe prishjen e pazareve mes personave. Një tjetër pistë lidhet me konfliktet e vjetra të tij. Burime të policisë thanë se nga hetimet paraprake rezulton se autorët janë disa, por dyshimet kryesore janë hedhur mbi një kamerier në Pogradec, emri i të cilit për efekt të hetimeve nuk bëhet i ditur.
Pistat
- Vrasje për motive hakmarrje
- Prishje e pazareve nga veprimtaritë kriminale
- Konfliktet e vjetra të viktimës