E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e Ali Pashës mes luksit dhe haremit me 300 gra

 

HENRI HOLLAND

Pamja e një burri me mjekër të bardhë të gjatë, me një vështrim zhbirues, me një llafollogji të përsosur, mirësjellje të pafund dhe një dinakëri të pashoqe, nuk mund të mos linte shenjë tek 24-vjeçari Henri Holland. Pinjoll i një familjeje mjekësh, edhe Henri ndoqi të njëjtën rrugë e si për të ndjekur një traditë të kohës, mori rrugët e Evropës, të cilat e sollën deri në Shqipëri. Henri Holland nuk mund të mos kalonte edhe në Janinë e të takonte Vezirin e shumëpërfolur Ali Pashë Tepelenën. Të qenit mjek e ndihmoi të takonte vezirin e ta njihte atë nga afër. “Mjek tek Ali Pasha”, ky është libri me kujtime i Henri Holland i botuar nga shtëpia botuese “Migjeni”. Faqet e librit na sjellin kujtimet e një viti(1812-1813) udhëtimi përmes Shqipërisë, por në veçanti ato në sarajet e Ali Pashës. Ai flet për karakterin e Vezirit, por edhe për mënyrën e tij të së jetuarit. Tregon për haremet, drekat e ambientet luksoze, por edhe për dinakërinë dhe mizorinë që ai tregonte ndaj armiqve të tij.
Zakonisht ai ngrihet përpara orës gjashtë dhe oficerët e sekretarët duhet të jenë me të në këtë orë.  Nuk ka pushime në punë gjatë ditës, përveçse në orën dymbëdhjetë, kur ai ha drekën dhe fle pastaj një orë. Pastaj vazhdon deri në tetë, kur është edhe ora e tij e ngrënies së darkës. Unë e kam gjetur deri në orën nëntë, me tre sekretarë ulur në shesh përpara tij, duke dëgjuar detajet më të hollësishme për atë pjesë të shpenzimeve që lidhej me postat ushtarake; çdo artikull të shpenzimeve të tyre e aprovonte veças. Orët e tij të argëtimit janë gjithashtu të varura nga vijimësia e punëve. E kam parë vezirin në kopshtet e pavijonit të tij të rrethuar nga ankues, duke dhënë gjykime për rastet që i ishin treguar. Edhe kur çlodhej në harem, vazhdonte sërish me detyrën e tij publike. Nuk është çudi që puna dhe autoriteti i tij si gjykatës të kërkohej edhe në grindjet e parëndësishme të 300 femrave të veçuara nga bota. Sjellja e Ali Pashës në tavolinë është e përkorë, megjithëse kurrsesi aq strikte si mysliman për t’i refuzuar vetes verën. Ai pothuajse gjithmonë ha vetëm, sipas zakonit turk të rangut të lartë dhe në orët e përmendura më sipër. Dreka e tij shërbehet zakonisht me 12 ose 16 pjata të vendosura më vete në një tabaka përpara tij. Gjellët janë kryesisht të kuzhinës turke. Përveç këtyre edhe një qengj i tërë, sjellë nga barinjtë e tij, shërbehet në tavolinë çdo ditë të vitit. Shijet e tij nuk janë aspak nazemadhe dhe më kanë treguar se kuzhinierët e tij janë të lirshëm në gatim, ndryshe nga ndonjë tiran i kamur, nga i cili do t’u kushtonin në mënyrë të pashmangshme kokat. Ka diçka të veçantë në doket e këtij burri, i cili ndërsa ushtron tiraninë më despotike dhe mbjell frikë te të gjithë ata që e rrethojnë, herë pas here zbret në një lloj marrëdhënieje të atillë gazmore me grekët, njësoj si me turqit e qytetit dhe pranon ftesa për drekë, apo argëtime mbrëmjesh, kur i propozohen. Dy a tri rrethana të tilla u krijuan gjatë qëndrimit tim të fundit në Janinë, njëra në një shtëpi greke, ku unë kisha mundësi të isha dëshmitar i një pjese të skenës. Ishte një argëtim mbrëmjeje, ku ishin mbledhur 70 a 80 njerëz. Veziri kishte sjellë me vete ata ministra dhe shoqërues që dëshironte t’i kishte pranë dhe i zoti i shtëpisë kishte ftuar shumë nga miqtë e tij. Darka, ose banketi, në këto raste shtrohet sipas zakoneve popullore; merita i jepet pjesërisht numrit të gjellëve të shtruara. Veziri ha dhe qëndron vetëm, pjesa tjetër e të pranishmëve qëndrojnë më larg, por zoti dhe zonja e shtëpisë përgjithësisht ftohen të ulen pranë tij. Në shumicën e rasteve, për kënaqësinë e tij ka muzikë dhe vallëzim. Muzika është turke ose shqiptare, luajtur me tambure, kitara dhe def e shpesh shoqërohet me këngët e egra të vendit. Kërcimet që janë përgjithësisht shqiptare, kërcehen nga të rinj të të dyja gjinive, të veshur me gjithë luksin që i përket kostumeve kombëtare.
* * *
Haremi i Ali Pashës formon një zonë të dallueshme dhe shumë të madhe në sarajet e tij. Ai është i mbyllur nga jashtë me mure guri të larta, për t’i dhënë pamjen e një fortese, por brenda ka kopshte dhe vende të tjera të hapura për komoditetin e banoreve të shumta. Doket e rrepta turke, më ndalonin të hyja ndonjëherë në këtë penetralia domuz, por për shkak të lidhjeve mjekësore me Vezirin, sidomos gjatë qëndrimit tim të fundit në Janinë, mësova shumë gjëra në lidhje me brendësinë e haremit, ku kisha edhe dy të sëmura femra brenda mureve, megjithatë, unë mund të flas për pamjet e haremit vetëm me të treguar. Dhomat thuhet se janë të veshura me një shkëlqim marramendës dhe pasi pashë më vonë një ndërtesë boshe të destinuar për të njëjtën gjë në sarajet e reja në Gjirokastër, mund ta besoj lehtësisht pohimin. Numri i femrave në harem thuhet se e kalon treqind, por midis tyre përfshihen shërbyeset e shumta, valltaret e të tjera, që plotësojnë luksin e vendit. Femrat janë me kombësi të ndryshme: greke, turke, shqiptare, çerkeze, etj., dhe më të shumtën e rasteve janë blerë sipas traditave të Lindjes. Punët në një harem turk, janë përshkruar shpesh dhe nuk ka nevojë të përsëriten. Banjat, muzika, vallëzimi, rrëfenjat, qëndismat dhe veshja zënë pjesën më të madhe të kohës. Shfaqjet e idiotësisë, apo veprimet e marra të grave, dehur nga opiumi dhe vera dhe muhabetet e të tjerave që vijnë në harem me lëngje eksituese, formula magjike dhe marifete të ndryshme që i referohen naivitetit, janë argëtimet rastësore të atij vendi. Kur Veziri shpërngulet të jetojë diku tjetër për një farë kohe, femrat e marra prej tij transportohen me karroca të mbuluara, për të vazhduar “mbylljen” dhe gjatë këtij intervali udhëtimi. Nevoja dhe dëshira për edukim mund ta lehtësojë këtë skllavëri fizike dhe morale, por po ta kërkosh këtë si një të drejtë të përgjithshme është e pamundur, megjithëse janë bërë përpjekje. Gruaja e parë e Ali Pashës, e bija e Kurt Pashës, e ëma e Myftarit dhe e Veliut, kishte vdekur prej kohësh. Gruaja e tij e vetme për momentin është e ëma e Sali Beut, djalit të tretë dhe më të voglit, i lindur pas një periudhe më shumë se 20 vjet pa fëmijë. Kjo zonjë, e cila në të vërtetë thuhet se ka qenë skllave, jeton në këtë kohë mes gjithë të mirave në sarajet e Tepelenës. Biri i saj, Sali Beu është rreth 12 vjeç, është shkëputur nga e ëma dhe ka mbi supe qeverisjen e qytetit të madh të Gjirokastrës. E preferuara e Ali Pashës në këtë kohë ishte një vajzë shqiptare, e re dhe me shumë nur. Ajo dallohej në harem nga një fustan më madhështor, por kjo nuk e lejonte të mos i nderonte thellësisht gratë e Myftar dhe Veli Pashës, çdo herë që këto zonja vizitonin haremin e vjehrrit të tyre.
* * *
Lidhja e Ali Pashës me doktrinën e besimit mysliman nuk është aspak e ngurtë dhe ka mundësi që varet më tepër nga një ndjenjë interesi, sesa mbi çfarëdo fanatizmi apo dashurie për këtë doktrinë. Vetë ai ka pak nga paragjykimet e një myslimani në karakterin e tij. Porsa i përket njerëzve përqark tij, ajo që vlen për Vezirin, nuk është feja e tyre, se sa mund t’i shërbejnë atij në përmbushjen e synimeve të veta. Unë kam parë një sekretar të krishterë, një turk dhe një hebre të ulur njëkohësisht në shesh me të, një shembull i përhapur në çdo cep të zotërimeve të tij. Në Shqipëri, veçanërisht, popullsia e krishterë dhe ajo myslimane janë të barabarta për sa i përket lirive politike; me të vërtetë janë të gjithë skllevër, por të krishterët nuk janë të shtypur, si gjithkund në Turqi, nga ato veprime tiranike të ulëta, që e bëjnë më të rëndë zinxhirin që i lidh. Mund të thuhet me të drejtë se nën këtë qeverisje të gjitha besimet gjejnë një tolerancë të mjaftueshme. Madje, jam ndeshur me raste, kur Ali Pasha ka urdhëruar të ndërtohen kisha greke, për t’u përdorur nga fshatarët, si në një apo dy rastet e fshatrave në fushën e Artës. Megjithëse pa ndjenja fetare, prapëseprapë, Ali Pasha shfaq disa besëtytni, të cilat ka shumë mundësi të jenë ngulitur në rininë e tij të hershme. Ai ka ditët e tij të mbara dhe të mbrapshta dhe thuhet se, me raste, beson në artin e magjisë së joshjes dhe yshtjes.
* * *
Ajo që bie më tepër në sy, është një lloj dinakërie e përhershme, që e shfaq në çdo moment të jetës së tij, si dhe një shkallë e ndjenjës së hakmarrjes, që shkakton veprime të një mizorie të patreguar. Forma më e ligjshme që merr finokëria e tij është në çështjet politike, që i përdor shpesh me mendjemprehtësi dhe shkathtësi. Ai shquhet në të gjitha artet e intrigës dhe agjentët, ose spiunët e tij gjenden gjithkund në Perandorinë Turke, duke bërë punën e zotërisë së tyre me një zell të tillë që tregon menjëherë talentin e tij për përzgjedhjet e tyre, si dhe ndikimin komandues të fuqive të tij mbi mendjet e të gjithë atyre që e rrethojnë. Informacioni politik që vjen nga këto burime, si dhe nga përdorimi në masë i ryshfetit, është nga më të saktët. Besoj se nuk ka as edhe një ngjarje me rëndësi, që mund të ndodhë në Kostandinopojë dhe në skutat më të fshehta të Divanit, që të mos bëhet e ditur brenda 8 ditëve në sarajet e Janinës. Dinakëria personale e karakterit të Aliut, është veçoria që u bën më tepër përshtypje alarmante atyre që e rrethojnë. Sido që të duket gjendja e parë nga jashtë, askush nuk ndihet i sigurt nën pushtetin e tij. Madje mund të thuhet, gjë që e kam vënë re edhe vetë, se një mirësjellje e pazakontë e tij është shpesh burimi i tmerrit më të madh të njerëzve në fjalë. Llomotitja me fjalë të bukura, është njëherazi, zakoni dhe kënaqësia e këtij burri. Ai nuk nxjerr askënd të pakënaqur nga takimi dhe kam dëgjuar në lidhje me këtë, se e ka të zakonshme që të shfaqë një mirësi tipike sjelljeje ndaj atyre që ka vendosur t’i bëjë kurban. Viktima fatkeqe largohet prej tij i kënaqur dhe i sigurt, ndërsa disa çaste më vonë koka i këputet nga trupi.
* * *
Mizoria që zotëron në mentalitetin e Ali Pashës nuk e njeh faljen, e lidhur siç duket jo vetëm me synimet ambicioze, por shpesh edhe me ndjenja të një natyre më personale. Diçka mund të lejohej si praktikë kombëtare dhe shumë nga rastet që i duken të huajit si shfaqje e mizorisë, janë në të vërtetë akte të zbatimit të drejtësisë. Hakmarrja e tij nuk është një ndjenjë e momentit, që shuhet atëherë kur shkatërrohet objekti, por vazhdon me kalimin e viteve dhe godet për kënaqjen e saj madje edhe fëmijët dhe gjithë racën e armikut. Mund t’ju përmend shfaqjen e lemerishme që pashë në afërsi të Gjirokastrës, ku dergjeshin trupat, apo kockat e më shumë se 600 njerëzve që ishin masakruar përpara syve të tij, për një fyerje kryer kundër familjes së Vezirit, 40 vjet më parë. Gjatë vizitës sime të parë në Janinë, ndodhi një ngjarje e të njëjtit lloj. Një farë shqiptari, shumë vite më parë, kishte therur një kushëri të Vezirit dhe kishte kryer të tjera krime kundër tij. Ai u kap menjëherë pas këtyre ngjarjeve dhe u poq i gjallë, ndërsa fëmijët e tij u vranë. Një vëlla i këtij njeriu, që për momentin ishte arratisur, ra në dorë të Vezirit në kohën që ne ishim në Janinë, i gënjyer nga premtimet për harrimin e fyerjes familjare. Ai u ther copa-copa dhe gjymtyrët e tij u shpërndanë në rrugët publike përpara zonës së sarajeve. Tragjedia për 16 femrat e haremit të Myftar Pashës, që u mbytën njëkohësisht në liqenin e Janinës, mund të jetë e dëgjuar për disa nga lexuesit e mi, megjithëse ndoshta me disa ndryshime në rrëfim. Arsyeja, siç dëgjova, ishte xhelozia e gruas së Myftarit, e cila përdori influencën e saj mbi mendjen e Vezirit, për të urdhëruar këtë katastrofë, por nuk mund të zotohem për vërtetësinë e rrëfimit. Mund ta keni kuptuar se mënyra e zakonshme e dënimit me vdekje për femrat në Turqi, është me mbytje. Nëse ky dënim jepet për një krim, nuk zgjon atje më shumë kureshtje, sesa zgjon te ne vdekja në trekëmbësh. Një grua u dënua në këtë mënyrë herën e fundit që isha në Janinë, por se për ç’krim nuk jam në dijeni.

Herri Holland,kushëriri i Darvinit

Sapo kishte mbushur 24 vjeç, kur zbriti në nëntorin e ftohtë të vitit 1812 në skelën e Prevezës, të cilën Ali Pasha ia kishte rrëmbyer francezëve. Nuk ishte ndonjë vizitë sekrete në favor të politikave angleze. Ishte diplomuar mjek në Edinburg dhe ishte në vazhdim të një udhëtimi 18 mujor nëpër Portugali e Spanjë, për të kaluar në Shqipëri, Greqi e Turqi, një lloj përvoje që i shërbente edukimit të familjeve të shquara angleze të asaj kohe. Ishte bir kirurgu dhe kushëri me Çarls Darvinin, me të cilin ai pati edhe një miqësi të gjatë. Kujtimet e udhëtimeve të tij, ai i shkroi të gjitha, por fatkeqësisht sënduku ku ai mbante dorëshkrimet e tij u zhduk gjatë kalimit të lumit Vjosë. Ai nuk e akuzon drejtpërdrejtë Ali Pashën për vjedhjen e sëndukut, megjithatë dyshimet e tij ndihen në mënyrën se si ai përshkruan figurën e Aliut. Duke qenë se Holland kishte njohje mbi gjeologjinë, kiminë dhe arkeologjinë, Ali Pashai mendonte se ai mundej të zbulonte thesaret e fshehura dhe se gjatë kësaj periudhe, ai po shënonte pikërisht vendndodhjet e këtyre thesareve në hartat dhe skicat, që ai mbante në sëndukun e tij.

Libri
Titullohet “Mjek tek Ali Pasha” dhe është pjesë nga kujtimet e mjekut Henri Holland, i cili gjatë jetë së tij ka udhëtuar në një pjesë të mirë të Evropës. Një libër i botuar nga Shtëpia
Botuese “Migjeni”. Ka 250 faqe dhe kushton 1000 lekë.

Sëmundjet imagjinare të Pashait
Duket se Ali Pasha ankohej shpesh për sëmundje që në të vërtetë nuk i kishte dhe kur Henri Holland, mbërriti në Janinë, kërkoi menjëherë të ekzaminohej prej tij, duke thënë se gjithnjë kishte dashur të vizitohej nga një mjek anglez. “Ai nisi shpjegimin e sëmundjeve të veta, të cilat, megjithëse mund t’i ndiqja nga larg e larg përmes gjuhës së tij, prapë se prapë shënjoheshin dukshëm nga një përpikëri dhe forcë në mënyrën e tregimit”, - shkruan Holland, teksa thotë se Veziri kishte folur për 15 minuta mbi “sëmundjet” e tij. “Gjatë asaj periudhe ai nuk vuante nga asnjë çrregullim akut. Simptomat e tij ishin kryesisht të një natyre kronike, pjesërisht si rezultat i moshës, pjesërisht nga rrethanat e jetës së tij të mëparshme, shoqëruar me simptoma të tjera, nga vëzhgimet e mia, të cilat kërkonin përdorimin e mënyrave parandaluese, për të paraprirë rrezikun ndaj të keqes”, - thotë Holland. Doktori anglez preferoi t’i jepte këshillat e tij me shkrim dhe duket se Ali Pasha mbeti i kënaqur dhe kërkoi një tjetër takim. “Ai më shfaqi të tjera fakte mbi shëndetin, disa prej tyre imagjinare, të tjera prej natyre të parëndësishme. Ai kishte frikë se mos i kishte mbledhur barku ujë dhe më rrëfeu, nëse më kujtohet mirë, se i ati, apo dikush nga familja, i kish vdekur nga ajo sëmundje. Prej vizitës që i bëra, u mundova ta siguroj se kishte arsye për t’u alarmuar”, - vazhdon Holland. Sipas tij, veziri premtoi t’i zbatonte të gjitha këshillat, të cilat iu lexuan disa herë në gjuhën greke. 

Portreti
Nëse do të përshkruaja tiparet e Aliut, do të flisja për fytyrën e tij të gjerë dhe të mbushur, ballin e gjerë e të zbuluar, të përshkuar nga shumë hulli të thella; syrin zhbirues që, që nuk shprehte egërsi; hundën e pashme dhe të formuar mirë; mustaqet dhe mjekrën e gjatë që derdhej mbi kraharorin  tij. Ngjyra e lëkurës ishte disi më e bardhë, se ç’është e zakonshme mes turqve.

për politikën

Shpesh bashkëbisedimi ynë lidhej me gjendjen aktuale politike, rreth të cilës ishte i informuar mirë dhe saktë. Ishte pikërisht koha kur Bonaparti po zhvillonte fushatën e tij të paharrueshme në Rusi. Ali Pasha shfaqte një interes të gjallë për të gjitha ngjarjet, i cili lindte natyrshëm si pasojë e marrëdhënieve që kishte me të dyja fuqitë e mëdha. Duket se do të ishte në favorin e tij nëse të dyja ato do të zhvisheshin nga fuqitë e tyre dhe asnjëra të mos fitonte epërsi.

E mërkura e filmave kosovarë
Kinemaja kosovare vjen çdo të mërkurë për publikun e ri të kryeqytetit. Në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë si dhe me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë së Kosovës Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon shfaqje filmike për nxënësit e shkollave të Tiranës. Në sallën e kinemasë pranë AQSHF, çdo të mërkurë, ora 12.00 – 13.30, do të shfaqen katër filma artistikë kosovarë, pjesë e fondit të arkivit. Programi fillon sot me filmin “Kur pranvera vonohet”, një prodhim i vitit 1979, me regji nga Ekrem Kryeziu. Në datën 25 shkurt do të shfaqet filmi “Proka”, prodhim i të njëjtit vit me regji nga Isa Qosja. Më tej në muajin mars, do të vijohet me filmat “Uka i bjeshkëve të namuna”, i vitit 1968 me regji të Miomir Stamenkoviç dhe në fund “Rojet e mjegullës”, krijim i vitit 1988, gjithashtu me regji nga Isa Qosja.

Dy koncerte kushtuar Mendelssohn-it
Viti kushtuar kompozitorit gjerman Mendelssohn, nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe në Shqipëri. Me rastin e 200-vjetorit të kompozitorit të madh gjerman, në të gjithë botën do të zhvillohen aktivitete muzikore, koncerte e përkujtimore. Përgjatë kësaj jave do ngjiten në skenë dy koncerte me veprat e kompozitorit Jakob Ludwig Felix Mendelssohn Bartholdy. Koncerti i parë është sot në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Janë instrumentistët Andreas Renier në violinë, Desar Sulejmani në Piano dhe violonçelisti Pjetër Guralumi, të cilët sjellin një program me vepra të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit, si sonata për violinë e piano, apo trio në violinë, piano dhe violonçel. Kurse të dielën do të shfaqet një tjetër koncert, i cili i dedikohet gjithashtu 200- vjetorit të lindjes së Mendelsohnn-it. Interpreton Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar. Të ftuar artistët e ardhur nga Gjermania, violinisti Andreas Reiner dhe dirigjenti David de Villiers. I lindur në një familje hebreje, edhe pse më pas i konvertuar në besimin e krishterë, rruga e Mendelssohn nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë. Gjatë viteve të antisemitizmit, në fund të shek. XIX dhe në fillim të XX, veprat e tij u ndaluan, për t’u rikonsideruar më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›