Pranga policit, u kap në timonin e një makine të vjedhur në Tiranë
DURRES - Katër shtetas, mes të cilëve edhe një polic i kryeqytetit shqiptar janë prangosur, pasi rezultojnë të implikuar në vjedhje makinash. Martin Arrëza, punonjës policie në komisariatin nr.3 në Tiranë, Gentjan Shijaku, banues në lagjen nr.7 Durrës, Dorian Dedja nga Gjinari i Elbasanit dhe Artur Shijaku nga Durrësi janë prangosur në orën 01.30 të mëngjesit nga policia e qytetit bregdetar. Arrestimi i këtyre shtetasve, sipas policisë, u bë për arsye se në “bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.11.2008 kanë vjedhur autoveturën tip “Volsvagen” me targë TR 0892 G, në pronësi të shtetasit Neim Zeqiri”. Shërbimet e Seksionit të Krimeve kundër Pronës në sajë të një hetimi profesional bënë të mundur gjetjen e automjetit të vjedhur në qytetin e Tiranës, të cilin e drejtonte Martin Arrëza. Pasi u bë ndalimi i policit gjatë veprimeve hetimore u arrit që të bëhej identifikimi dhe kapja e bashkëpunëtorëve të tjerë. Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të automjeteve të ndodhura muajt e fundit në Durrës. Policia ka sekuestruar automjetin e vjedhur në cilësinë e provës materiale. Fakti që punonjësi i policisë drejtonte makinën e vjedhur, për grupin hetimor është një provë që vërteton bashkëpunimin, duke i shtuar këtu dhe përgjimet e ndjekjet e kryera në rrugë operative. Pritet që pas marrjes në pyetje të personave të ndaluar të zbardhet dhe skema e bashkëpunimit dhe nëse ata kanë gisht në vjedhjen e makinave të tjera të denoncuara gjatë vitit të kaluar në Durrës e Tiranë. o.u