E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyzmo, korrieri i drogës “tradhton” Arben Lazen

 

Trazhgim Sokolaj

“Korrieri” i heroinës që dyshohet se është trafikuar nga Arben Laze tradhton presidentin e klubit të futbollit “Elbasani”. Shkëlqim Hyzmo, i arrestuar në hyrje të Lushnjës me 1 kilogram heroinë në makinë, ka mohuar të ketë dijeni për linjën e trafikut duke ua deleguar përgjegjësinë atij që dyshohet se ka qenë blerësi i drogës, Arben Prifti nga Fieri dhe personave që dyshohet se e kanë sjellë narkotikun nga Maqedonia, Arben Laze dhe vëllai i tij Fatjoni. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan se katër të pandehurit për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike janë marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tyre. “Të akuzuarit nuk kanë pranuar në flasin, ata madje kanë mohuar çdo implikim të tyre në veprën penale për të cilën akuzohen”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, qëndrime të tilla mohuese kanë mbajtur tre të arrestuarit, përfshi biznesmenin Arben Laze, vëllain e tij Fatjonin dhe Arben Priftin nga Fieri. I vetmi që ka dhënë deklarime, pavarësisht se shpjegimet e tij kanë qenë mohuese, ka qenë Shkëlqim Hyzmo, i cili ka pretenduar para Prokurorisë dhe Gjykatës se nuk ka pasur dijeni për lëndën narkotike që është gjetur në makinën me të cilën ai po udhëtonte mesnatën e 24 dhjetorit 2008, kur ra në prangat e policisë në hyrje të Lushnjës. Të pyetura dje nga gazeta, burimet e organit të akuzës thanë se katër të pandehurit nuk kanë dhënë deklarime në ndihmë të hetimit. Ata mësohet se kanë mohuar çdo implikim të tyre, ndërsa akuza pohon se droga vinte nga Maqedonia me porosi të Arben Lazes dhe më pas shpërndahej tek blerës të ndryshëm në Shqipëri ose trafikohej jashtë vendit.
Korrieri i “pakos”
Prokuroria dhe policia e akuzojnë Shkëlqim Hyzmon se mbrëmjen e 24 dhjetorit 2008 ka marrë në dorëzim drogën sipas porosisë që i kishte dhënë Arben Prifti, shtetas ky i lindur më 19.02.1968, në qytetin e Fierit. Prifti, sipas hetimeve, kishte biseduar në telefon fillimisht me Arben Lazen dhe më pas me vëllain e tij për dorëzimin e drogës, duke u thënë se heroina do të merrej në dorëzim nga një njeri i tij. Më pas policia dhe prokuroria thanë se kanë përgjuar Arben Priftin kur ka porositur Shkëlqim Hyzmon që të merrte në dorëzim “pakon” me lëndë narkotike dhe të shkonte në drejtim të Lushnjës. Kështu duket se ka ndodhur, Hyzmo ra në pranga mesnatën e 24 dhjetorit 2008 pas një kontrolli të ushtruar nga policia në makinën me të cilën ai po lëvizte tip “Benz”, me targa TR 5260 G. Kontrolli i policisë nuk ishte rastësor. Të gjithë protagonistët e trafikimit të drogës ishin mbajtur në mbikëqyrje dhe grupi i hetimit ishte i mirinformuar për veprimet e të dyshuarve. Por pavarësisht këtyre të dhënave që janë të pasqyruara në versionin e akuzës, Shkëlqim Hyzmo ka nxjerrë veten nga përgjegjësia, duke bërë me faj tre të tjerët, përfshi këtu edhe presidentin e klubit të Elbasanit, biznesmenin e njohur Arben Laze. Prokuroria e Përgjithshme pretendon se biznesmeni është implikuar për shkak të bisedave të drejtpërdrejta që ka bërë me porositësin e drogës, që dyshohet se ka qenë shtetasi Arben Prifti nga Fieri.

Të arrestuarit

Shkëlqim Hyzmo
lindur më 5 nëntor 1965
në Lushnje,
shofer
Arben Prifti
lindur më 19 shkurt 1968,
në Fier

Arben Laze
lindur më 13 qershor 1968 në Elbasan,
Presidenti i Futboll “Klub Elbasani”.
Fatjon Laze
lindur më 11 gusht 1978 në Shkodër, banues në Elbasan

Porositësi

Porositësi i sasisë së drogës prej 1 kilogram heroinë, sipas akuzës ka qenë Arben Prifti nga Fieri. Ai mësohet se fillimisht kishte folur në telefon me Arben Lazen dhe pasi “është marrë vesh” me biznesmenin, ka komunikuar me të vëllain e tij. Prokuroria pohon se Arben Laze ka konfirmuar transaksionin dhe më pas i ka pohuar Priftit se do të angazhonte të vëllanë, Fationin. Nga hetimet rezulton se kështu ka ndodhur, pasi sasia e heroinës, është dorëzuar nga Fation Laze tek Shkëlqim Hyzmo, sipas mënyrës që ishte vendosur nga Arben Laze dhe Arben Prifti gjatë bisedave të zhvilluara mes tyre para se policia të bllokonte sasinë e drogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›