Firmoset shoqërimi forcërisht për ish-ministrin Kosta Barka
BERAT - Prokuroria e Beratit firmosi dje urdhrin për të shoqëruar me forcë ish-ministrin Kosta Barka. Ai ka refuzuar dy thirrjet e mëparshme të organit të akuzës, për të dëshmuar në lidhje me skandalin e fondeve të shoqatës së fëmijëve të ngujuar në qytetin e Poliçanit. Lajmi është konfirmuar dje nga vetë kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliaj. Sipas tij, organi i akuzës, në bazë të ligjit është detyruar të firmosë, që ish-ministri të sillet forcërisht për të dhënë dëshminë e tij. “Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale nuk i është përgjigjur thirrjeve të prokurorisë për të dëshmuar në lidhje me abuzimet, të cilat u evidentuan me fondet e shoqatës të fëmijëve të ngujuar në qytetin e Poliçanit”, u shpreh kryeprokurori i Beratit. Të njëjtat burime nuk përjashtuan mundësinë që ndaj Barkës të nisë procedimi penal për refuzim për të dëshmuar. Sipas Saliajt, prokuroria e Beratit do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, pasi ka dyshime për abuzime të rënda me fondet e vëna në dispozicion për mbarëvajtjen e fëmijëve të ngujuar në këtë shoqatë. Prej kohësh të miturit kishin mbetur pa bukë, ndërsa ata ushqeheshin me produkte të marra me listë nëpër dyqane. “Dyshohet se kjo situatë është pasojë e shpërdorimeve të fondeve nga drejtuesit e shoqatës dhe më gjerë. Nga hetimet e kryera kemi konstatuar se donatorët në bashkëpunim me ministrinë përkatëse kanë dhënë fondet, por nuk dihen se për çfarë janë përdorur ato më tej”, bënë të ditur burimet, që janë duke hetuar këtë dosje. Mësohet se fëmijët që kishin probleme me gjakmarrjen në familjet e tyre, prej një kohe dyvjeçare kishin mbetur pa ushqime. “Barka pas thirrjes të organit të prokurorisë duhet të ishte paraqitur. Është detyrim ligjor që ai t’i përgjigjet thirrjes së akuzës dhe të japë shpjegimet e nevojshme për gjendjen e krijuar dhe faktin se ku kanë shkuar fondet e akorduara për Shoqatën e Fëmijëve të Ngujuar”, u shprehën më tej burimet. Sipas prokurorisë, urdhri për shoqërimin me forcë është firmosur dje dhe po dje është nisur për t’u ekzekutuar në Tiranë. Burimet nuk bënë të ditur nëse shoqërimi i Barkës do të kryhet në bashkëpunim me policinë e Tiranës apo vetëm nga blutë e Beratit. d.xh