Flamuri nxehet me Jozefinën për numrin 2, pas atij burrit
Flamuri dje nxinte nga mërzia. Qukapi e kishte zgjuar që në mëngjes dhe ishte tallur me të.
- Ne të dinim ty numrin 2 në parti, po doli që qenka ajo gruaja. Ti mburresh lart e poshtë që ai burri nuk bën asgjë pa të pyetur ty, kurse ajo gruaja pa pyetur atë burrin fare ia preu kokën atij Biberajt.
- Lëre, - i tha Flamuri, - se janë muhabete me zarar këto. Mo u ngatërro kot.
Por, sa mbylli telefonin, megjithëse ishte shaka, e vrau rëndë. Fakti që njerëzit do fillojnë të mendojnë se ai nuk është më i rëndësishëm, e shqetësoi shumë. Shkoi në zyrë, i bërtiti rojës te dera, bërtiti njëherë ku është roja i parkingut, pastaj kërkoi pastruesen dhe mbaroi. S’kishte kujt t’i bërtiste më tjetër, se në PD s’ka më njeri. E përsëriti dhe njëherë procedurën, i bërtiti prapë rojës në kat të parë, pastaj rojës së parkingut dhe pastaj bërtiti prapë për pastruesen. Këtu roja e humbi qetësinë dhe i tha: “Shef Flamuri, pastrueses mos i bërtit kot, se korridoret janë të pastër, s’ka shkelur njeri, ka një muaj.”
- E di, e di, - i tha Flamuri, - po kanë zënë pluhur parmakët dhe sa i prek me dorë, të lënë shenja gishtash.
I mërzitur u mbyll në zyrë. Po mendonte një plan se si t’u hiqej nga mendja njerëzve që ky nuk ishte më numri 2 në parti. Ajo gruaja i kishte prishur shumë punë me atë që bëri. Atij Biberajt mirë ia bëri, thoshte me vete, po unë ç’kusur kam të më bjerë autoriteti. Si mund të bëhen këto punë pa më pyetur mua?
Në inat e sipër u ul në tavolinë dhe bëri një listë të gjatë.
E filloi me Aleksandër Biberajn, Besnik Mustafajn, Bujar Leskajn, Pal Dajçin, Sali Shehun, Gazmend Oketën, Sami Gjergjin, Ardian Kollozin, Mehmet Hoxhën, Mehmet Xhekën … Tjetër s’i kujtohej, ah po, Genc Juka, Ndriçim Babasi, Leonard Demi, Osman Metalla, Engjëll Cara, për të tjerët ishte më i sigurt, se të tjerët ishin caktuar republikanë. Boll janë këta njëherë, tha. Këto po i shpall vetë armiq. Ajo gruaja shpalli një, d.m.th., vetëm Biberajn, unë i shpall të gjithë këta. Të shikojmë kush ka më efekt, tha.
I gëzuar për listën, doli para PD me shpresë se po takonte ndonjë njeri. Roja prapë lëvizi nga vendi dhe i kujtoi se “pastruesja sot nuk do vijë, se ka një punë, pasi pastrueses që ka marrë në shtëpi, i ka vdekë vjehrra.”
- Allah! Allah! - tha Flamuri. - Po ç’është kjo pastruese që kemi ne, që paska pastruese në shtëpi?!
- Epo shef, këtu ka rëndësi puna dhe si pastruese, se tre-katër vetë jemi të gjithë që i kemi gjërat në dorë.
Flamuri u trondit sërish. D.m.th., tha me vete, unë jam numri dy pas atij burrit, pastruesja numri dy pas meje, dhe kështu shkoka kjo punë. D.m.th., pastruesja këtu bëka aq lekë, sa mbaka pastruese në shtëpi, - tha. - Duhet parë kjo punë mos na ka bërë ndonjë emërim.
- Mo ta shoh më atë pastruesen këtu, - tha Flamuri i nxehur. - As atë, as këta deputetë që po të them. Dhe filloi t’i thotë me zë të lartë.
- Cilët deputetë? - i tha roja.
- Ja, po ta lexoj listën, - tha Flamuri.
Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Pal Dajçi, Sali Shehu, Gazmend Oketa, Sami Gjergji, Ardian Kollozi, Mehmet Hoxha, Mehmet Xheka, Genc Juka, Ndriçim Babasi, Leonard Demi, Osman Metalla, Engjëll Cara…
Kaq njëherë për njëherë.
- Qenkan shumë o shefo, ku i mbaj men’ un gjithë këto ore? M’i shkruj në i cop’ letër. Se u kërkoj letër unë kur të hyjnë.
Disa kuriozë u afruan të dëgjonin përse bënin fjalë. Kaq donte Flamuri dhe nisi ta ngrejë zërin.
- Dëgjo mirë dhe mbaji mend, - tha Flamuri. - Po s’i mbajte mend, mo të shoh as ty aty…. Këta deputetë që po të them, mo t’i shoh më këtu, mbaji shënim, Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Pal Dajçi, Sali Shehu, Gazmend Oketa, Sami Gjergji, Ardian Kollozi, Mehmet Hoxha, Mehmet Xheka, Genc Juka, Ndriçim Babasi, Leonard Demi, Osman Metalla, Engjëll Cara…
- Dakord shefo, - tha roja i trembur.
Sapo Flamuri iku pak më tutje, ai mori frymë i lehtësuar.
- S’kuptova gjë vallahi, - tha. - Mirë që s’vje ndonjë deputet kurr’ këtu, se do turpërohesha. Jam rehat, se s’vjen njeri. Dhe unë po i them Flamurit, erdhën dhe i zbova.