Ilir Paja, gjyq në unazë aty ku tentoi të vrasë agjentët
TIRANE - Ngjarja e 6 marsit 2008, ku gjatë aksionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Paja, u plagos rëndë prej tij një agjent policie do të "ndodhë" sërish në të njëjtin vend. Bëhet fjalë për eksperimentin hetimor, që do të kryhet në praninë e të pandehurit Paja dhe avokatit të tij mbrojtës. Eksperimenti parashikon rikrijimin e skemës së ngjarjes, por kësaj radhe nën kontrollin e gjykatës dhe në prani të palës së akuzës dhe avokatëve që mbrojnë të pandehurin. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila pranoi kërkesën e mbrojtjes për kryerjen e eksperimentit hetimor në vendngjarje në praninë e të pandehurit. Ndërsa duket se prania e Pajës në vendin e ngjarjes, për të cilën ai ndodhet prapa hekurave, do të jetë një sfidë për policinë, pasi Paja njihet për dy arratisjet e tij të bujshme në Itali. Gjykata Për Krimet e Rënda shpalli dje të hapur shqyrtimin gjyqësor të Pajës të akuzuar për "vrasje të mbetur në tentativë në rrethana të cilësuara". Prokurori i çështjes lexoi kërkesën për gjykim. Në vijim palët paraqitën përpara gjykatës provat shkresore të organit dhe kërkesat paraprake, të cilat u pranuan nga gjykata. Bëhet e ditur se në procesin gjyqësor ndaj Ilir Pajës do të paraqiten përpara akuzës një total prej 14 dëshmitarësh. Gjykata pranoi dje edhe kërkesën e mbrojtjes për tërheqjen e kartelës klinike të qëndrimit të Ilir Pajës në Spitalin Ushtarak pas ngjarjes. Më anën e kësaj kartele mbrojtja pretendon të provojë faktin, që i pandehuri mban në trup një plumb që i ka mbetur nga të shtënat në drejtim të tij në momentin e arrestimit. Në një seancë të mëparshme gjykata refuzoi kërkesën e Pajës për gjykim me kohë të shkurtuar, pasi gjykata e çmonte të domosdoshme pyetjen e dëshmitarëve për zbardhjen e ngjarjes. Ilir Paja, person i skeduar nga policia gjermane dhe ajo italiane, për vepra të rënda penale të kryera në këto vende u diktua nga agjentë të operacioneve speciale në një nga rrugët e kryeqytetit marsin e vitit të kaluar. Në momentet e arrestimit të tij, ai përplasi me automjetin që po drejtonte një nga agjentët e policisë, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda. ar.ba