E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fazlliç krijoi kompani fiktive”

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria shqiptare ka dyshime të forta se biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç ka kryer pastrim parash përmes lojës së krijimit të kompanive fiktive. Sipas akuzës, 33-vjeçari që u mor në pyetje si person në hetim ditët e fundit, ka krijuar një sërë kompanish pa aktivitet, siç duket vetëm me qëllimin për të realizuar përmes tyre transaksione të dyshimta. Nga burime të konfirmuara të Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se kompania që Damir Fazlliç shiti në Qipro në vitin 2007, “Crown Acquisitions” sh.p.k është rishfaqur përsëri në Tiranë, kësaj here me një emërtim të ndryshuar formalisht. “Pikërisht emri i kompanisë së shitur në Qipro tek ‘Altaria Research ltd’ është përdorur në shtator 2008 për rikrijimin e një kompanie të njëjtë, kësaj here të emëruar ‘Crown Acquisitions’ sh.a.”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, veprime të tilla janë kryer edhe me kompani të tjera që zotëron Fazlliç në Shqipëri dhe më gjerë, përfshi subjektet “Petro Slovinia” sh.a ku Fazlliç posedon 40 për qind, “Rom Petrol” sh.a, “Celena” sh.a, “Alfa” sh.a apo “Virtua Acquisitions”. Sipas burimeve nga akuza qendrore, krijimi i kompanive të tilla fiktive është një nga dukuritë që shoqëron në kohët e sotme procesin e pastrimit të produkteve të ardhura nga krimi. Megjithatë Prokuroria shqiptare e konsideron këtë si një element plotësues në akuzat për të cilat po bëhen verifikime. Sipas Prokurorisë, gjatë deklarimeve të tij, Fazlliç e shpjegoi rritjen e vlerës së kompanisë që shiti për 1.7 milionë euro, me faktin se pjesë e kësaj kompanie, pas regjistrimit të saj në Tiranë, ishin bërë 18 hektarë tokë në Porto-Romano. Fazlliç tha se kompania e tij u shit në Qipro me gjithë kapitalet e saj, mirëpo edhe pse i deklaron të shitura te kompania “Altaria Research ldf”, në mënyrë publike biznesmeni 33-vjeçar ka pohuar se aktualisht ai është pronar i tokave në Porto-Romano. Pra, është një tokë, e cila deklarohet si e shitur bashkë me një kompani që i është rritur vlera fiktivisht, ndërkohë që e njëjta tokë pranohet se është ende në pronësi të atij që pretendon shitjen e kësaj prone si pjesë e kompanisë “Crown Acquisitions”. Pikërisht në këto veprime Prokuroria gjen dyshime të forta për pastrim parash. Një dyshim, i cili siç duket bazohet edhe në faktin se zinxhiri i bllokut të kompanive që ka krijuar Damir Fazlliç, të gjitha të deklaruara për aktivitet pasurish të patundshme dhe depozitash për gaz e karburant, pra rrënjët e tyre gjenden gjithnjë te subjekte që ndodhen në Qipro, një vend ky në “listën e zezë” për krimin e pastrimit të parave. Prokuroria e Përgjithshme hodhi poshtë dje alibinë e biznesmenit boshnjak, i cili tha se pagesën 1.3 milionë USD në tre këste për 18 hektarë tokë që ka blerë në Porto-Romano, e ka bërë në kesh, pasi pronarët nuk kishin llogari bankare. “Më shumë se tre prej personave që kanë shitur tokë te Fazlliç kanë llogari bankare”, thanë burimet nga organi i akuzës, duke hedhur poshtë alibinë e biznesmenit që prej tetorit 2008, është në hetim për “pastrim të produkteve të ardhura nga krimi”.
  

Kompanitë e Fazlliç

 “Crown Acquisitions” sh.p.k, e shitur në 2007
 “Crown Acquisitions” sh.a, regjistruar në Tiranë, shtator 2008
 “Altaria Research ltd” me qendër në Qipro
 “Petro Slovinia” sh.a, 40 për qind të aksioneve
 “Rom Petrol” sh.a
 “Celena” sh.a
n “Alfa” sh.a
 “Virtua Acquisitions”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›