Gërdeci, akuzë edhe 13 ish-zyrtarëve
Trazhgim Sokolaj
Shkaktarët e tragjedisë së “Gërdecit” duket se janë shpërndarë në formën e një oktapodi në strukturat shtetërore dhe të ushtrisë. Të paktën kështu duket të jetë shpërndarë përgjegjësia nisur nga veprimet e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila po shkon drejt plotësimit të numrit të 40 të pandehurve në dosjen “Gërdeci”. Institucioni qendror i hetimit lajmëroi dje, se u ka njoftuar akuzat zyrtarisht edhe 13 ish-zyrtarëve që kanë pasur të bëjnë me çmontimin e fishekëve dhe predhave në Gërdec të Vorës, ku biznesmeni Mihal Delijorgji kishte ngritur fabrikën private mbi ish-repartin ushtarak të tankeve. Të pandehurit e fundit mësohet se janë ish-anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit për Fishekët, të cilët kanë bërë vlerësimin e municioneve të lehta, që janë çuar për çmontim në punishten e Gërdecit ku ndodhi tragjedia. Po kështu, Prokuroria ka njohur me akuzat “shpërdorim detyre” sipas Kodit Penal Ushtarak edhe ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Municionit për Predhat që me anë të kontratës së dytë mes ndërmarrjes MEICO dhe bashkimit të kompanive SAC-”Albademil”, dërgoheshin për çmontim në Gërdec. “Zyrtarët që kanë qenë pjesë e këtyre komisioneve kanë abuzuar me caktimin e vlerës dhe çmimit të fishekëve, duke ulur fiktivisht vlerën e tyre. Një veprim i tillë ka qenë me fitim për aktivitetin e ngritur nga Mihal Delijorgji, por me humbje për Forcat e Armatosura nga repartet e të cilave merreshin fishekët dhe predhat”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Në listën e të pandehurve mësohet se janë edhe katër ish-zyrtarë të Komisionit të kategorizimit të Municioneve, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me caktimin e municioneve, që do dërgoheshin nga magazinat e ushtrisë në Gërdec, duke mos u bazuar në kriterin e llojit dhe vjetërsisë, por duke zgjedhur vetëm municionet me gëzhojë tunxhi, të cilat i kërkonte kompania SAC dhe Mihal Delijorgji për nxjerrje skrapi.
Mashtrimi me Gërdecin
Prokuroria e Përgjithshme ka akuzuar dje Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm se kanë “mashtruar” me hapësirën ushtarake që i kishin vënë në dispozicion Mihal Delijorgjit në Gërdec. “Në shkresa dhe dokumentet e sekuestruara është shënuar se sipërfaqja që i është dhënë me qira kompanisë që kryente çmontimin, ka qenë 196 metër katror, por në fakt pronarët e fabrikës kanë shfrytëzuar hapësirë më të madhe ambienti se ajo që u ishte dhënë në përdorim pa bërë asnjë pagesë shtesë në favor të shtetit”, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, mësohet se në faj për këtë janë ashtu si Ministria, ndërmarrja MEICO e të cilës nënshkroi kontratën për ambientin ashtu edhe Forcat e Armatosura që lejuan shfrytëzimin e hapësirave të tepërta mbi termat e kontratave të nënshkruara mes palëve.
Falsifikime në Gramsh e Poliçan
Ish-drejtori i Uzinës Mekanike të Gramshit si dhe ish-shefi i Kombinatit Ushtarak në Poliçan iu shtuan listës së personave të akuzuar në dosjen “Gërdeci”. Fiqiret Mata ish-zyrtar në Gramsh dhe Landi Shatro ish-zyrtar në Poliçan, akuzohen edhe për falsifikim dokumentesh veç “shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak. Mihal Delijorgji kishte një kontratë të dytë me uzinën e Gramshit dhe me Kombinatin e Poliçanit ku dërgonte predhat e dala nga çmontimi në Gërdec dhe në uzinën e kombinatin shtetëror, bënte demontimin industrial të tyre duke nxjerrë tritol dhe metal që shnderrohej në skrap e më pas tregohej nga kompanitë në pronësi të Mihal Delijorgjit. Dy ish-drejtorët mësohet se kanë kryer falsifikim të raporteve për sasinë e hyrje daljeve duke mos deklaruar sasinë e vërtetë të predhave dhe duke favorizuar kështu Mihal Delijorgjin që paguante më pak në arkën e shtetit.
Të pandehurit
1. Rezar Tërshana
2. Besnik Dauti
3. Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Fishekët
4. Gëzim Oshafi
5. Denis Hajdari
6. Jorgo Mino
7. Fatbardh Kuçi
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Predhat
8. Zenun Fero
9. Hysni Çoçka
10. Hilmi Laçaj
Komisioni i Kategorizimit të Municioneve
11. Fiqiret Mato
Drejtor i Uzinës Mekanike të Gramshit
I akuzuar për "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh"
12. Fari Toska, Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municionit
13. Landi Shatro
Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit
I akuzuar për "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh"
Të pandehurit e parë
14. Luan Hoxha ish-Shefi i Shtabit
15. Agim Lala ish-zv/Shef i Shtabit
16. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
17. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm
18. Shkëlzen Madani, ish-Drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
19. Shpëtim Spahiu, ish-Komandant i Forcave të Bashkuar
20. Zija Baja, ish-Komandat i Forcës Mbështetëse
21. Dashnor Çaushi, ish-Drejtor i Logjistikës së Shtabit
22. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministri
23. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Buxhetit
24. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Shtab
Abuzimi me predhat dhe fishekët
TIRANE – I gjithë aktiviteti i çmontimit të fishekëve dhe predhave në Gërdec apo kudo tjetër në Shqipëri, është ngritur me argumentin se procesi i integrimit të vendit në NATO, kërkonte veç të tjerash asgjësimin e municioneve të vjetra. Mirëpo sipas Prokurorisë, ne depot shqiptare kanë mbetur plot municione të vjetra, ndërsa ishin përzgjedhur fishekët dhe predhat me gëzhoja dhe predha tunxhi, që përdoreshin për nxjerrje skrapi nga Mihal Delijorgji. Sipas prokurorisë duket se kategorizimi i municioneve nuk është bërë për interesa të ushtrisë dhe integrimit, por për interesa private biznesi të Mihal Delijorgjit.
Ish-zyrtarët e Shtabit pyeten si të pandehur dhe njihen me akuzat
TIRANE – Ish-zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm mësohet se janë paraqitur gjatë dy ditëve të fundit në Prokurorinë e Përgjithshme ku janë marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurve. Gjenerali Zija Baja ish-komandant i Forcës Mbështetëse dhe ish-komandanti i Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu, mësohet se janë thirrur në prokurorinë e Përgjithshme gjatë dy ditëve të fundit, ku janë marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurve për “shpërdorim detyre”. Burimet nga organi qendror i akuzës, thanë se grupi hetimor i ka njohur gjeneralët edhe me materialet kryesore, që kanë shërbyer për formulimin e veprave penale, që u atribuohen ish-zyrtarëve të Shtabit të Përgjithshëm. Nga ana e tyre gjeneralët mësohet se kanë dorëzuar në prokurori në mënyrë të shkruar pretendimet e tyre se nuk kanë kryer asnjë shkelje të ligjit, por kanë zbatuar vetëm urdhrat e autoriteteve eprore sipas kornizës ligjore në fuqi. Gjeneralët kanë pretenduar se nuk ka qenë në mundësinë e tyre dhe as të njësive, që kishin nën komandë që të parandalonin apo të denonconin ngjarjen e Gërdecit ku marrëdhënie të drejtpërdrejtë kishte vetëm ndërmarrja MEICO, e cila kishte larguar ushtrinë nga kontaktet me gjithçka që ndodhte aty. Mësohet se edhe gjatë ditëve të ardhshme Prokuroria e Përgjithshme do të kërkojë deklarime në cilësinë e të pandehurve nga personat të cilëve u është komunikuar akuza më parë. Mes këtyre të pandehurve mësohet se është edhe ish-ministri Fatmir Mediu, të cilit do t’i kërkohen deklarime në cilësinë e personit nën akuzë. Ish-zyrtari më i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes nuk arriti të jepte deklarime javën që shkoi kur u mor i pandehur për shkak të ecurisë së seancës dhe komunikimit me prokurorët, ku debatoi ashpër duke kundërshtuar akuzën e ngritur. Ish-ministri i cili është akuzuar nga ushtarakët, e ka deklaruar veten të pafajshëm lidhur me tragjedinë e Gërdecit, duke pohuar se përgjegjësinë politike e ka pranuar me dorëheqjen nga funksioni i ministrit pak ditë pas tragjedisë në Gërdec. tr.so