E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, dëbora bllokon 40 mjete, ortekët u rrezikojnë jetën

 

KUKES- Reshjet pa ndërprerje të dëborës përkeqësojnë situatën në veri të vendit. Në Kukës, rreth 40 mjete u bllokuan mbrëmë, ndërsa ndërhyrja e borëpastrueseve ishte tepër e vështirë. Trashësia e dëborës në Qafën e Malit arriti në 1.50 centimetra. Vargu i makinave të bllokuara ka mundur të lëvizë në intervale të ndryshme e më pas në disa pjesë të aksit ato kanë mbetur sërish të bllokuara. Pasagjerët, ndër të cilët kishte gra e fëmijë dhanë alarmin me anë të telefonave celularë. Forca të shumta të policisë së Pukës janë nisur më këmbë për në Qafën e Malit për t'u ardhur në ndihmë të bllokuarve, pasi ndërhyrja me mjetet e tyre ishte e pamundur. Gjithashtu, për disa orë dje mbeti i bllokuar edhe një autobus, që po vinte nga Kosova me 27 fëmijë nga Rrësheni. Situata paraqitet problematike, pasi në harkun e pak orëve, katër ortekë rrezikuan jetën e udhëtarëve. Sipas policisë së Pukës, në momentet e fundit kanë mundur të shpëtojnë nga vdekja drejtuesin e një betoniereje. Forca e ortekut e kishte hedhur atë disa metra larg bashkë me mjetin e tij, ndërsa e kishte zënë dëbora poshtë saj. Vetë pasagjeret dhanë alarmin se ndodhen nën kërcënimin e ortekëve. Situata me motin e keq paraqitet e rëndë edhe në rrugën nacionale për në Fierzë si dhe në akset e Pukës. Ndërsa në zonat rurale, mjaft komuna janë të bllokuara, pasi trashësia e dëborës mësohet se po arrin gati në 2 metra. Për mjetet e bllokuara në zonën e Qafës së Malit është punuar për disa orë, por deri në orët e vona të mbrëmjes, situata ishte e rëndë pasi reshjet vijonin pa pushim. Mjetet në qarkullim ishin të shumta për shkak se po ktheheshin nga festa e Pavarësisë së Kosovës. Situata problematike u shënua dje edhe në Gjirokastër. Dëbora çoi në pezullimin e mësimit në disa shkolla 9-vjeçare. E njëjta gjë ndodhi edhe në komunat Frashër (Përmet), dhe Zagorie (Gjirokastër), ku trashësia e dëborës kaloi 30 cm. Në Llogara bora arriti në 60 cm, duke bllokuar mjetet për gjithë natën. Edhe në Korçë regjistrohet acar, por nuk ka probleme në qarkullim. Situata ishte problematike dje edhe në Qafë-Kërrabë, në disa zona të Shkodrës, Dibër, Mirditë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›