E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushërira, shtatzënë me dhunë

 

ELBASAN/ ALDI KOZARIA

Dy vëllezër përdhunojnë e lënë shtatzënë kushërirën 17-vjeçare. Vetëm pas 7 muajsh, kur prindërit e adoleshentes kanë dyshuar për barkun e fryrë të saj, është zbuluar dhe ngjarja e rëndë. Autorët janë një i mitur, 15 vjeç, ndërsa i vëllai 18 vjeç. Rasti i incestit është shënuar në muajin korrik të vitit të shkuar, në fshatin e largët Plangaricë, komuna e Gracenit në Elbasan. Por gjatë këtyre muajve as vajza e as djemtë nuk kishin treguar se çfarë kishte ngjarë. Nëna e vajzës mësohet se e ka shoqëruar të bijën për një eko, nga ka rezultuar se brenda saj ndodhej foshnja 7 muajshe. Menjëherë është bërë denoncimi për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe të dy djemte, E., e Bukurosh Çullhai janë në kërkim.
hetimi
Sipas policisë së Elbasanit që ka hetuar ngjarjen, bëhet e ditur se ngjarja ndodhi në mesin e muajit korrik. Të tre kushërinjtë janë takuar në një lëndinë, ku kanë kryer marrëdhënie në grup. Fakti që vajza është e mitur ka bërë që policia të ngrejë akuzën e përdhunimit ndaj djemve. Prej asaj kohe, dy vëllezërit nuk janë takuar më me kushërirën e tyre dhe pse jetonin në një fshat, duke i qëndruar besnikë fjalës se askush nuk do e mësonte çka kishte ndodhur mes tyre. Që nga korriku e deri pak ditë më parë, vajza ka pohuar se nuk kishte arritur të kuptonte se kishte mbetur shtatzënë. E ëma e saj ka dyshuar për barkun e rrumbullakosur shumë e bashkë me vajzën ka udhëtuar afro 40 kilometra për të mbërritur në qytetin e Elbasanit. Aty, në një klinikë private ka kryer një eko, nga e cila përgjigjja ka qenë e rëndë: vajza ishte shtatzënë në muajin e shtatë dhe në prill parashikohet që të sjellë në jetë një fëmijë të seksit mashkull. Sapo doktori ka thënë këtë lajm, mësohet se nënës së vajzës i ka rënë të fikët në ambientet e klinikës. Kur ajo e ka marrë veten, vendimi i parë ka qenë heqja e fëmijës, ndonëse në muajt e fundit para lindjes normale.
Menjëherë familjarët janë njoftuar për pohimin e mjekut, duke rendur me shpejtësi në ambientet e policisë së Elbasanit. Ata kanë kërkuar prej saj që të zbardhë çfarë kishte ngjarë, pasi vajza e tyre nuk ka pranuar të tregojë rrethanat në të cilat mbeti shtatzënë. Me të mbërritur në polici, hetuesit, në prani të një psikologu kanë nisur të marrin në pyetje vajzën pa praninë e prindërve të saj. Pasi e kanë pyetur për gati 2 orë ata kanë zbardhur se ajo kishte kryer marrëdhënie me dy kushërinjtë e saj, E. Çullhaj, 15 vjeç dhe Bukurosh Çullhaj, 18 vjeç, banues në të njëjtin fshat ku jeton dhe vajza.
kerkimi
Policia e Elbasanit ka nxjerrë 2 urdhër-ndalime për dy djemtë, por asnjëri prej tyre nuk është prangosur. Në komisariat është shoqëruar babai i djemve, i cili është tronditur kur ka mësuar se për çfarë akuzoheshin ata. Atij i është kërkuar që të ndërhyjë në mënyrë që dy djemtë të vetëdorëzohen, për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes. Sipas policisë, ndaj 15-vjeçarit hetimet do të kryhen në gjendje të lirë, për shkak të moshës, ndërsa urdhri i ndalimit qëndron në fuqi për vëllain e tij 18-vjeçar. Akuza ndaj tij është ajo e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur, pasi vajza ishte 17 vjeçe, por nuk përjashtohet dyshimi se ajo të ketë kryer marrëdhënie me dëshirë me ta.

Precedenti/ Babai përdhunoi vajzën

Në nëntor të vitit 2007 një 42-vjeçar u arrestua pasi kishte përdhunuar sistematikisht të bijën e mitur, lënë shtatzënë dhe detyruar ta braktisë fëmijën. Kjo ngjarje ndodhi në një fshat të Gramshit, për t’u zbuluar pas rreth 2 vitesh nga nisja e historisë fatkeqe për 15-vjeçaren. Kur historia po përsëritej, vajza e mitur i tregoi të ëmës dhe bashkë denoncuan në policinë e Elbasanit Ferit Jaupin. Vetë ai e pranoi akuzën, duke pohuar se më vonë kishte tentuar të vriste veten disa herë. Por, në fakt, sipas dëshmisë së të bijës, ai në vend që të pendohej, kishte tentuar dhe herë të tjera të kryente marrëdhënie, ndonëse në shtëpi ishte dhe e ëma dhe fëmijët e tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›