E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas bombola e gazit, 4 të plagosur në familje

 

TIRANE - Katër anëtarë të një familje u plagosën dje, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në një banesë në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë. Nga plasja e bombolës pësoi dëmtime edhe banesa ku ndodhi ngjarja. Sipas hetimeve, ka qenë një defekt në guarnicionin e bombolës së gazit 5-litërshe, të cilën kryefamiljari Fadil Lika sapo e kishte mbushur me gaz në një pikë karburanti, ajo që ka shkaktuar shpërthimin. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në familjen Lika, kur në shtëpi ndodheshin Fadil Lika, bashkëshortja e tij Nadirja dhe djali i sëmurë Eridon Lika, si dhe motra e Fadilit Hanke Ziqiri, e cila kishte shkuar për vizitë. Kanë qenë të afërmit e familjes Lika ata që i kanë dërguar në spital të plagosurit dhe më pas kanë lajmëruar policinë. Tashmë ata ndodhen në pavijonin e djegieve plastike në QSUT, jashtë rrezikut për jetën, edhe pse djali 8-vjeçar dhe nëna e tij ndodhen ende në reanimacion, pasi kanë pësuar djegie të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, kryefamiljari Fadil Lika është shprehur se nuk ka qenë një gabim i tyre shpërthimi i gazit, por ka pasur një defekt në guarnicion, pasi ai sapo e kishte rimbushur dhe ende s’e kishin vënë bombolën në përdorim. “Kemi shpëtuar për mrekulli, sepse shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, megjithëse shtëpia është shkatërruar totalisht. I bëj thirrje qeverisë që të na ndihmoje me sa të ketë mundësi, pasi ne jetojmë vetëm me një përkrahje sociale, në kushte mjaft të vështira”, është shprehur Lika. Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e së martës në shtëpinë përdhese të familjes Lika, në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë. Kryefamiljari, Fadil Lika, 54 vjeç, sapo ishte kthyer në shtëpi, pasi kishte mbushur një bombol gazi 5-litërshe, të cilën e përdornin për ngrohje, por edhe për gatim. Në shtëpi kanë qenë bashkëshortja e tij, 43-vjeçarja Nadire Lika, djali i sëmurë 8 vjeç, Eridon Lika, si dhe motra e Fadilit, 59-vjeçarja Hanke Zeqiri. Dy vajzat e çiftit Lika në atë moment fatmirësisht nuk ndodheshin në shtëpi. Sapo Fadili ka nisur të montojë bombolën e gazit, duke i liruar guarnicionin ajo ka shpërthyer, duke shkatërruar gjithçka dhe duke lënë të plagosur të gjithë personat që ndodheshin në shtëpi. “Na ka ruajtur Zoti, mund të ndodhte edhe një tragjedi”, është shprehur Fadil Lika, teksa qëndron pa lëvizur në një krevat të pavijonit të djegieve. “Rëndësi ka që shpëtuam me kaq, por shtëpia është shkatërruar. Ne jetojmë vetëm me një përkrahje sociale, se si do ia bëjmë pas kësaj që na ndodhi, nuk e di. Por falënderoj Zotin që në ato momente nuk ndodheshin edhe vajzat në shtëpi”, ka mbyllur rrëfimin e tij Lika, pasi ka treguar të gjithë ngjarjen. Katër pjesëtarët e familjes Lika, të cilët mbetën të plagosur nga shpërthimi i bombolës së gazit, tashmë janë të shtruar në pavijonin e djegieve plastike në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Sipas mjekëve, ata janë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse kanë pësuar djegie të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Gjendje kritike paraqitet për dy nga të plagosurit, 8-vjeçarin Eridon Lika dhe nënën e tij, 43-vjeçaren Nadire Lika, të cilët ende ndodhen në reanimacion.                  e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›