“Fazlliç”, kritika për Leskajn
ARISTIR LUMEZI
Deputetët socialistë kanë dalë hapur dje, kundër mënyrës se si menaxhohen debatet dhe mocionet në Kuvend prej tyre. Mbledhja e grupit parlamentar socialist, në mënyrë spontane, është përfshirë nga kritikat, se si po përfaqësohen në Kuvend socialistët gjatë debateve, ku ka rezultuar se kryeministri dhe maxhoranca kanë qenë më të përgatitur. Shkak për këtë debat është bërë mocioni me debat ndaj kryeministrit Berisha për çështjen Fazlliç. Deputeti Bashkim Fino ka kërkuar më shumë koordinim mes kryesisë së grupit dhe deputetëve të tij, si për caktimin e deputetëve, që marrin pjesë në debate dhe deri tek koha dhe tematika, që trajtohet gjatë tyre. “Si ka mundësi që për një mocion me debat, që ne kemi kërkuar një muaj më parë, grupi të mblidhet dhe të vendosë vetëm çerek ore para nisjes së seancës? Ndërkohë që Saliu ishte përgatitur shumë për atë seancë?”, ka ngritur pyetje Fino gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar socialist. Si dhe shumë mbledhje të tjera të grupit parlamentar, kryetari i PS-së mungonte edhe tek mbledhja e djeshme. Duket se shqetësimi i deputetëve, i cili dhe pse diskutohet shumë jashtë mbledhjeve formale, dje është përfaqësuar në artikulimet e dy deputetëve, të cilët kërkuan organizim më të mirë gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2009. Sipas Finos, deputetët socialistë pas devijimit nga ana e Berishës së objektit të mocionit duhet të ishin larguar nga salla. Edhe herë të tjera Bashkim Fino ka vënë në dukje drejtimin e grupit socialist në mënyrë të centralizuar nga kryetarja e tij, Valentina Leskaj. “Debatet dhe diskutimet të mos fillojnë me kryetaren dhe të mbarojnë me kryetaren e grupit”, mësohet t’i jetë drejtuar Fino kryetares së grupit parlamentar Leskaj. Sipas tij, koha e mocionit për debatin me Sali Berishën duhej të ishte ndarë më mirë, ku të kishin folur më shumë deputetë. “Emrat që do diskutonin në debat duhet të ishin vendosur brenda grupit”, është shprehur Fino. Nga ana e saj, kryetarja e grupit Valentina Leskaj, është shprehur se çdo gjë është vendosur në miratim të plotë me grupin dhe asgjë nuk është vendosur jashtë tij. Ndërsa deputeti Andis Harasani ka kërkuar që defektet e vërejtura në mocionin me debat për Fazlliçin të mos përsëriten në diskutimin e buxhetit 2009. Mësohet se Harasani ka kërkuar që në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare Leskaj të mos pranojë, që seanca të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit. Sipas tij, seanca të zhvillohet në dy ditë dhe të mos pranohet asnjë listë deputetësh, por të zhvillohet një diskutim i hapur me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve socialistë. Leskaj është shprehur në përgjigje të Harasanit, se kjo gjë nuk varet prej saj. “Ju e dini se si vepron Jozefina, çfarë mund të bëj unë më shumë?!”, mësohet të jetë shprehur Leskaj. Deputetët kanë vërejtur edhe nivel të ulët të përfaqësuesve të PS në debate televizive me PD, duke shmangur në shumë raste dhe deputetët e grupit socialist.