Aleanca e keqe e qeverisjes me korrupsionin
Zef Preçi
Humbja e tre jetëve të pafajshme dhe dëmi i konsiderueshëm material për 20 familjet e tjera të pallatit që u shemb të dielën e shkuar, nuk mund të mos përbëjë një moment reflektimi për cilindo qytetar që, në p amundësi të zgjedhjes së prindërve të vet, ka vendosur të jetojë në këtë vend. Kjo jo se është hera e parë (ndoshta as e fundit) që një tragjedi e tillë përsëritet në ndërtesa private e publike (kujtoni shembjen e shkollës Teknologjike të Tiranës dy a tre vjet më parë e dhjetëra denoncime të ngjashme, madje edhe nga institucione zyrtare) dhe të gjitha këto për një shkak te vetëm: keqqeverisjen! Për të kuptuar e ndëshkuar keqqeverisjen dhe barrën e rëndë të korrupsionit që ajo iu faturon qytetarëve të vendit, nuk mjafton të ulërasësh tribunave “për të qarë hallet e fukarenjve”. As të lësh tribunat moderne të konferencave të shtypit të Tiranës dhe t’i zëvendësosh ato për disa minuta me gërmadhat e radhës të krimit qeverisës… As të premtosh e të premtosh pa fund reforma vetëm kur në statistikat e vdekjeve shtohet numri i atyre që ikin nga kjo botë për fajin e vetëm se vendi i tyre qeveriset keq e më keq… As të presësh që mbi kufomat e keqqeverisjes të ngresh me ngadhënjim flamurin e pushtetit të sotëm a të nesërm… Ajo që ndodhi në një pallat të ndërtuar me “kontribut vullnetar” në muajt e fundit të sistemit që lamë pas, por për shkak të ndërtimit të një tjetri me kontributin e punës së ndershme të dhjetëra bashkëqytetarëve tanë në kushte e skllavërisë moderne në emigracionin e sistemit ku jetojmë sot ka një shpjegim të vetëm: korrupsionin. Me këtë nuk dua të vë në dyshim aspak reagimin e shpejtë të organit të akuzës dhe të Policisë së Shtetit. Megjithatë me të drejtë cilido mund të shtrojë pyetjen se si shpjegohet që përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit janë ende të lirë, “u gëzohen” parave të gjakut të skllevërve të vrarë nga babëzia e fitimit marramendës të atij monopoli shtetëror? Më e pakta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë të qeverisë ndaj qytetarëve të vendit, ndonëse këta të fundit janë të barabartë para ligjit. Të paktën kështu thuhet në Kushtetutën e vendit. Me sa duket, aty ku fitimi është më i madh – edhe jetët e njerëzve kushtojnë më lirë (?!). Duke mos u zgjatur në ato që çdo qytetar i vendit i ka të qarta, të përpiqemi të hedhim sadopak dritë në aspektin institucional të kësaj historie të trishtë të tranzicionit tonë të dhimbshëm drejt ekonomisë së tregut. Sipas mendimit tim, parimisht duhen vlerësuar hapat që janë hedhur nga qeveria shqiptare në procesin e decentralizimit të një numri funksionesh qendrore, duke përfshirë edhe kalimin në vartësinë e pushtetit vendor të inspektoratit të ndërtimit. Por për fat të keq, kjo u bë paralel me katastrofën urbane të njohur si procesi i legalizimit. Për këtë qëllim - sikur të mos mjaftonin nja pesë a gjashtë institucione që formonin “konglomeratin” e mëparshëm në fushën e pronësisë - u krijua një agjenci e re qeveritare - ALUIZNI. Rezultati dihet, u bë mirë që u regjistruan qindra mijëra copa pronash informale për t’u formalizuar ato, por procesi i zënies së trojeve të lira njohu intensitetin maksimal qysh nga fillimet e tranzicionit. Kjo është aq e vërtetë sa prej dy vjetësh a më shumë, çmimet e hekurit dhe të çimentos u dyfishuan dhe nuk po njohin më ulje. Ndërsa sipërfaqja e mbetur e lirë për t’ua njohur si pronë dhe për t’ua kthyer ligjërisht të zotëve, u pakësua aq shumë sa qeveria u detyrua të shpenzojë për këtë qëllim nga buxheti i shtetit disa herë më shumë para se përpara dy a tre vjetëve. E në këto kushte, kalimi i inspektoratit të ndërtimit në duart e pushtetit vendor, më shumë se një reformë, iu dha mundësi kryebashkiakëve të kenë në dispozicion një “polici” më shumë, por ende mjaft larg qëllimeve të krijimit të këtij institucioni apo atyre për të cilat paguajnë taksa qytetarët e vendit. Ndërsa procesi i decentralizimit u shoqërua edhe me debate politike shterpë si historia e betonit të Zogut të Zi (vërtet pa gjak, por me një faturë disa milionë euro në dëm të interesave publike); me debate ligjore dhe disa amendime amorfe e të diskutueshme nga pikëpamja kushtetuese në ligjin për urbanistikën etj. Shkurt, nga një pushtet e kontroll i qeverisë qendrore, kaluam nën pushtetin e kaosit ligjor, me institucione që nuk njohin detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të tyre në rregullimin urban nën një proces decentralizimi spontan e të paqartë, dhe që nuk çon në përmirësimin e shërbimeve publike që iu ofrohen qytetarëve. Natyrisht kjo situatë nuk lehtëson aspak përgjegjësitë publike, politike, ligjore dhe administrative të të zgjedhurve apo të emëruarve në institucionet e pushtetit vendor, që tri ditë me parë u vunë nën akuzë. E kjo tragjedi e radhës nuk është gjë tjetër veçse një akt-akuzë publike ndaj keqqeverisjes në tërësi, mjerisht e paguar me një çmim shumë të lartë. Tragjedia e dhimbshme e familjeve të pallatit të shembur në Gjirokastër tri ditë më parë, shtron një pikëpyetje të madhe për të gjithë ndërtimet e bazuara në dokumente fiktive, të falsifikuara, të paligjshme apo mbi bazën e lejeve të ndërtimit të shitura në mënyrë korruptive nga pushteti. E për ndëshkimin e shkeljeve të ligjit nuk mjaftojnë betimet dhe përbetimet kryeministrore për “tolerancën zero ndaj korrupsionit”, që në këtë vend njeh vetëm rritje. As mburrjet për “reagimin e shpejtë të qeverive në ndihmë të viktimave” si në rastin e krimit shtetëror të Gërdecit. As reagimet momentale në mbështetje të sigurimit të jetës së punëtorëve - viktima fatkeqe të galerive të minierave të Veriut. As shndërrimi i ceremonive mortore tyre në tribuna shtesë të pelegrinazhit politik… Vetëm flitet për një paketë ligjore, por që ende nuk është përcjellë në duart e ligjvënësve. Të shpresojmë se në të do të ketë edhe tregues të sigurisë së ndërtimit, të sigurisë financiare, të sigurisë gjeologjike, të sigurisë ndaj tërmeteve, të përgjegjshmërisë ligjore të atyre që firmosin në emër të shtetit. Eshtë koha të kuptojmë njëherë e mirë se pavarësisht mënyrës se si vdiqën dje, sot apo do të vdesin nesër viktimat e radhës, shkaku mbetet një dhe i pandryshuar: aleanca e hapur dhe e fshehtë e pushtetit me monopolet që fitimet e tyre i rrisin në këmbim të gjakut dhe jetës së qytetarëve të pafajshëm. E pa luftuar shkakun, nuk mund të presësh qeverisje ndryshe, as në pushtetin qendror, as në qeverisjen vendore. E nuk mund të ndodhë ndryshe – jetojmë në vendin ku vetëm flitet për reforma, por ato që në të vërtetë mungojnë janë pikërisht reformat…