Mashtruan taksistin dhe e grabitën, në gjykatë tregtarët e municioneve
TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj dy personave, Gëzim Kllaba e Klajdi Llozhi të akuzuar për vjedhje me armë në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, dosja penale me nr. 2010 është dorëzuar për shqyrtim në gjykatë ditët e fundit. Dy të pandehurit akuzohen se më 3 prill 2008 kanë vjedhur në Mamurras një automjet për ta mbushur me municione. Ngjarja është denoncuar fillimisht si vjedhje me dhunë e një taksie, por hyrja në lojë e policisë ka mbyllur historinë me zbulimin e 5 mijë fishekëve dhe një automatiku që autorët e ngjarjes kishin vendosur në automjetin e grabitur. Disa orë pas ngjarjes policia e Burrelit prangosi 26-vjeçarin Klodian Llozhi, ndërsa shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij 19 vjeç, Gëzim Kallaba. Hetimet e para të policisë u përqendruan në verifikimet për mënyrën se si të pandehurit kishin arritur të siguronin municionin që u gjet në makinën e grabitur. Sipas përshkrimeve në dosjen penale të Prokurorisë për dy të pandehurit, denoncimi është bërë nga taksisti 22-vjeçar Roland Lala, banues në Kamzë. Mbrëmjen e 1 prillit ai po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Laçit me makinën e tij tip “Benz” 190, me ngjyrë blu, me targë TR 6839 N. Në afërsi të “Zogut të Zi” në Tiranë, dy persona i kanë bërë shenjë për t’i dërguar deri në Mamurras. Sapo kanë mbërritur në destinacionin e kërkuar, në afërsi të fshatit Shpërdhet të Mamurrasit, njëri prej pasagjerëve ka zbritur me pretekstin se do të hynte në shtëpi për të marrë lekët e rrugës dhe për të bërë pagesën. Në kthim ai ka mbërritur me një armë automatike, të cilën ia ka drejtuar shoferit të makinës. Në momentin që kanë zbritur nga makina, dy personat kanë rrëmbyer automjetin, duke u larguar në drejtim të panjohur. Pas hetimeve të zhvilluara prej policisë ata janë identifikuar si Klodian Llozhi, 26 vjeç dhe Gëzim Kallaba, 19 vjeç, banorë të fshatit Shqefën. Ndjekja policore zbuloi se autorët e grabitjes së mjetit në Mamurras kanë lëvizur në segmentin Mamurras-Laç-Milot-Burrel dhe më pas janë fshehur në fshatin Shqefën të Matit, tek disa të afërm të tyre. Ndërkohë pronari i makinës së vjedhur ka bërë denoncim në policinë e Laçit dhe ka hetuar privatisht për gjetjen e makinës që i kishin grabitur. Ai u ka thënë hetuesve emrat e personave që i kishin grabitur makinën, ndërsa Prokuroria zbuloi prova për fajësinë e tyre duke dërguar dosjen në gjykatë. tr.so