Shtyhet projektligji për përgjimet e bizneseve
Komisioni parlamentar i Sigurisë nuk mundi dje të miratojë projektligjin e paraqitur nga Ministria e Financave për përgjimin e biznesmenëve që kanë probleme me tatimet dhe doganat. Ishte deputeti demokristian Jak Ndoka pasi dëgjoi shpjegimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, kërkoi më shumë informacion nga drejtuesit e kësaj ministrie për t’u njohur më nga afër me objektin e përgjimit që do të ndërmarrë kjo ministri. Propozimi i Ndokës u hodh në votë dhe u miratua, duke bërë të mundur kështu shtyrjen e miratimit të tij deri në grumbullimin e informacionit më të bollshëm ndaj këtij ligji. Sipas drejtorit juridik të Ministrisë së Financave, Ergys Qericaj, qëllimi i këtij ligji, është lufta kundër evazionit tatimor dhe doganor, objekte këto që mbulohen nga kjo ministri. Në relacionin e këtij projektligji, kërkohet që meqenëse ministri i Financave ka në dispozicion të tij forca policore, të cilat veprojnë me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore, të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit, për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Sipas Ministrisë së Financave, miratimi i këtij ndryshimi në ligjin për përgjimet e telekomunikacioneve do të sjellë një luftë më të ashpër dhe konkrete ndaj evazionit tatimor dhe doganor si dhe ndaj personave përfaqësues të shtetit që punojnë në organet e mbledhjes së të ardhurave që mund t’i sjellin dëme buxhetit të shtetit me veprimtarinë e tyre në mënyrë direkte ose indirekte në kundërshtim me ligjin. Ndërsa anëtari tjetër i komisionit të sigurisë, deputeti socialist, Pirro Lutaj tha se nuk është normale që të ndërhyhet në ligjin për përgjimet sa herë kërkon një ministër.