Maqedoni, kapen 51 kile hashash nga Shqipëria
SHKUP - Një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit marijuanë është sekuestruar gjatë fundjavës në Maqedoni, ndërsa origjina e tyre e dyshuar është Shqipëria. Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup ka konfirmuar dje se shërbimet e policisë kanë arritur të sekuestrojnë 51.5 kilogramë lëndë narkotike. Droga mësohet se është sekuestruar gjatë dy operacioneve të policisë maqedonase. Sipas Ministrisë së Brendshme në Shkup, mësohet se droga e bllokuar ka hyrë në mënyrë ilegale nga territori i Republikës së Shqipërisë. Sipas hetimeve mësohet se trafikantët duke përdorur si vend tranzit Maqedoninë do të dërgonin sasitë e drogës drejt vendeve të Perëndimit. Policia dhe autoritetet e tjera maqedonase thanë se kanë ngritur padi ndaj pesë personave, të cilët mendohet të jenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike. Vlera e marijuanës së bllokuar gjatë dy aksioneve të policisë së vendit fqinj sipas vlerësimeve të specialistëve arrin deri në 70 mijë euro. Aksioni policor për kapjen e 5 të dyshuarve është kryer në mes të fshatrave Hotël dhe Mateç të komunës së Likovës, ndërsa aksioni tjetër është kryer në qendrën tregtare Ramstor në Shkup. Policia shqiptare nuk ka dhënë konfirmime nëse ka pasur informacion për lëvizjen e këtyre ngarkesave të drogës në drejtim të vendit fqinj të Maqedonisë. Megjithatë nga të dhënat e marra pasi droga është bllokuar në anën tjetër të kufirit, mësohet se ajo është transportuar ilegalisht nga juglindja e vendit tonë. Policia shqiptare është vendosur në kontakt me palën maqedonase për verifikimin e këtij rasti. Sipas të dhënave jozyrtare mësohet se veç personave të arrestuar me ngarkesat e drogës në Maqedoni, në këtë aktivitet që shtihet në dy anët e kufirit janë të implikuar edhe shtetas shqiptarë. Ata besohet se luajnë rolin e furnitorit dhe transportuesit të drogës derisa ajo kalon në kufi shpeshherë edhe me kafshë dhe më pas narkotiku merret në dorëzim nga pritësit e saj. Policia mësohet se ka pikëtuar disa zona “problematike” për depërtimin në mënyrë ilegale të drogës ndërsa po mbahen nën vëzhgim disa persona të dyshuar si prodhues, transportues dhe furnitorë të trafikantëve maqedonas që janë implikuar në këtë veprimtari trafiku mes dy vendeve. Rajonet e Korçës dhe të Dibrës kane qenë problematike gjatë viteve të fundit për kalimin e ngarkesave të drogës drejt Maqedonisë.