E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjyqet për ulje dënimi me shkelje të rënda ligjore”

 

Armand Bajrami

Gjyqet për uljen e dënimit të personave që e vuajnë atë në burgjet shqiptare zhvillohen me parregullsi të rënda ligjore dhe procedurale. Kjo, jo për faj të organeve të drejtësisë, por për shkak të një sërë problemesh në praktikat gjyqësore, numrit të lartë të kërkesave dhe mospërballimit të fluksit nga punonjësit aktualë të gjykatave dhe shpenzimeve të mëdha shtetërore. Nisur nga ky fakt, pak ditë më parë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, me anë të një rekomandimi i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, marrjen e menjëhershme të masave për përmirësimin e situatës. Sipas rekomandimit, të cilin Dobjani ia bënte të ditur edhe zv.kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, pas ankesave të shumta nga të burgosurit, “Avokati i Popullit kreu një studim të volumit të çështjeve që trajtohen nga gjykatat, cilësinë e tyre dhe përballimin e këtij procesi nga ana e IEVP-ve përkatëse”. Pas përpunimit të të dhënave të marra në një prej institucioneve të vuajtjes së dënimit, ekspertët e Avokatit të Popullit kanë konkluduar në problemet që çojnë në moszbatimin e ligjit gjatë shqyrtimit të kërkesave të të dënuarve. Për studim është marrë gjykata e Elbasanit, ku gjatë dy viteve të fundit ishin totali i kërkesave të paraqitura nga të dënuarit e Burgut të Peqinin dhe atij të Kosovës së Lushnjës arrinte në rreth 2000. Sipas institucionit të AP-së, ndër arsyet më kryesore që çon në zvarritje të gjykimit të kërkesave të të dënuarve është volumi i papërballueshëm i punës për gjyqtarët. “Në këto kushte të dënuarit humbin të drejtën të përfitojnë uljen vjetore, pasi shumë çështje përfundojnë vitin pasardhës”, citohet në rekomandim. Tjetër problem i evidentuar është dhe fakti që në shumicën e rasteve gjyqet për këto kërkesa zhvillohen pa praninë e të dënuarve, apo edhe të vetë avokatit në sallën e gjyqit. Sipas Dobjanit, “për këtë bëhen pengesë shpenzimet e papërballueshme të transportit nga ana e IEVP-ve, numri i kufizuar i efektivave të sigurisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që janë të autorizuar për të kryer transportin e të dënuarve”. Ndërsa në rastin kur mungojnë avokatët shikohet si problem pamundësia e të dënuarve për të paguar një të tillë. Rekomandimi nuk lë pa “kritikuar” praktikat e gabuara të ndjekura, si fakti që gjyqi duhet të bazohet detyrimisht në dinamikën vjetore të sjelljes së të dënuarit. “Për shkak të volumit të madh të kërkesave dinamika vjetore paraqitet me vonesë nga IEVP-të përkatëse, duke vonuar më shumë procesin”, thuhej në rekomandim. Ndërsa shtyrjet e seancave janë parë si problem i largësitë e institucioneve të burgjeve nga gjykata si edhe numrit të kufizuar të automjeteve.
 

Problemet

1. Gjyqtarët kanë një volum të papërballueshëm pune, çka ka shkaktuar zvarritje të gjykimit për kërkesat e të dënuarve.
 
2. Në shumicën e rasteve të dënuarit nuk ndodhen në sallën e gjyqit gjatë shqyrtimit të kërkesës së tyre.

3. Gjyqet zhvillohen në shumicën e rasteve pa avokat, sepse shumë të dënuar nuk kanë mundësi të paguajnë.  

4. Procedura e ndjekur që gjyqi duhet të bazohen detyrimisht mbi dinamikën vjetore të sjelljes së të dënuarit e bën procesin akoma dhe më të vonuar.

5. Planifikimi i kombinuar i lëvizjes së të dënuarve dhe stafit juridik dhe edukator të IEVP-ve dhe numri i kufizuar i automjeteve shkakton shtyrje të seancave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›