E vërteta që nuk e dinte vetëm ai, por edhe një popull i tërë
Ngushëllime familjes dhe farefisit për vdekjen e z.Bashkim Gazidede në një moshë të re!I ndjeri Gazidede pranoi spaletat e gjeneralit politik dhe nuk e këshilloi Presidentin e asaj kohe, Sali Berishën, në shkurt-marsin e vitit 1997, të dorëhiqte qeverinë Meksi, mundësisht në një mbledhje urgjente në Vlorë, të kërkonte falje për piramidat, të premtonte se do të kthente aq sa do të mundte nga çfarë kishte mbetur prej tyre...
Zoti Gazidede ishte një titan në matematikë, por fatkeqësisht përfundoi në një tiran në politikë! Pse?! Sepse politika e Luigjit të 14, "Ligji jam unë", që dështoi totalisht dhe përfundoi në gijotinën e Bastijes në Francën neolatinene, kurrë nuk mund të kishte, e kurrë nuk do të ketë sukses në Shqipërinë ballkanike.
Sepse demokracia e vonuar shqiptare nuk mund të drejtohet me mendësinë dhe politikën e 50 vjetëve më parë! Sepse çdo hibrid i demokracisë diktatoriale me diktaturën demokratike, sepse çdo mentalitet "unë... unë dhe vetëm unë", janë të paracaktuar të dështojnë. Si çdo diktaturë!!
Sepse demokracia është "pushteti i popullit – demosit” dhe jo sundimi i Lalës Kros që "vetë shkruan e vetë vulos"! Kjo është e vërteta që nuk e dinte vetëm ai, por edhe një popull i tërë! Urojmë ta mësojnë edhe politikanët e liderët shqiptarë! Asnjëherë nuk është vonë për të mësuar! Gjithnjë është vonë për të vepruar, jo si tiran, por si titan!