Trafiku i klandestinëve, prokuroria kërkon 52 vjet burg
Akuzohen për trafikimin e rreth 72 klandestinëve nga rrethe të ndryshme të vendit, rrezikojnë 52 vjet burg dhe 33 milionë lekë gjobë. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi fajtorë dhe kërkoi dje dënimin me 52 vjet burg dhe 33 milionë lekë gjobë për pesë të pandehurit e akuzuar për trafik të klandestinëve. Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, prokurori i çështjes u ka kërkuar togave të zeza deklarimin fajtorë dhe dënimin e dy të pandehurve, Pëllumb Guri dhe Irfan Dalipaj, me nga 11 vjet dhe 7 milionë lekë gjobë secili, ndërsa për dy pandehurit e tjerë, Bardhi Proda dhe Nino Tushe, akuza kërkoi dënimin e tyre me nga 10 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. I fundit i grupit, Resul Çela, rrezikon dënimin e tij me 10 vjet dhe 7 milionë lekë gjobë. Të pandehurit ranë në pranga në sajë të operacionit të koduar “Butrinti”, në datën 21 korrik të vitit të kaluar. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka rezultuar se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, bënin trafikim të personave dhe klandestinëve në drejtim të Greqisë kundrejt shumave, që varionin nga 1.000-1.500 euro. Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit kanë mbledhur grupe klandestinësh në Tiranë, Lushnjë, Sarandë, Korçë e Vlorë, dhe më pas i kanë dërguar për në zonën e Konispolit në Sarandë, që ka qenë edhe pika e kalimit. Në konkluzionet e tij, prokurori theksoi se i pandehuri Resul Çela ishte personi kryesor që drejtonte klandestinët në terren, duke marrë edhe udhëzimet përkatëse nga i paralizuari Pëllumb Guri, i cili drejtonte veprimtarinë nga karroca përmes bisedave në celular. Irfan Dalipaj grumbullonte klandestinët në Tiranë dhe Nino Tushe në Gjirokastër. Ndërkohë që ky grup është duke u hetuar për trafik klandestinësh, pjesa tjetër e grupit të ndaluar në atë kohë është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës për veprën penale të “dhënies së ndihmës në kalimin klandestin”. Tashmë procesi ka hyrë në fazën e konkluzioneve përfundimtare të prokurorit edhe për këtë grup të pandehurish.
Detaj
72 persona është totali i klandestinëve që tentuan të kalojnë drejt kufirit grek pesë të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin
33 milionë lekë është gjoba që do paguajnë në total të pandehurit, përveç masës së dënimit
Të pandehurit dhe masat e dënimit
Pëllumb Guri, 11 vjet burg e 7 milionë lekë gjobë
Irfan Dalipaj, 11 vjet burg dhe 7 milionë lekë gjobë
Bardhi Proda, 10 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë
Nino Tushe, 10 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë
Resul Çela, 10 vjet burg dhe 7 milionë lekë gjobë