Godet gruan me thikë nga xhelozia, bën denoncim të rremë në polici
Kishte goditur gruan me thikë nga xhelozia, duke e plagosur atë dhe më pas u mundua ta fshihte krimin, duke e denoncuar në polici si një grabitje. Megjithatë, agjentët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Shkatërrimit të Pronës arritën të zbardhnin të vërtetën dhe vunë në pranga Arjan Danajn. Sipas burimeve nga policia, ngjarja kishte ndodhur për shkak të një konflikti të çiftit, të lindur si pasojë e xhelozisë. Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur në zyrën e gruas, ndërsa denoncimi u bë për në rrugën teksa kthehej në banesë. 45-vjeçari kishte shkuar në zyrën ku punonte bashkëshortja e tij, Valentina dhe pasi kishin debatuar sërish, e kishte qëlluar atë me thikë. Gruaja shoqërohet për ndihmë të parë në spital dhe gjatë deklarimeve para policisë, u mundua ta fshehë krimin e kryer nga i shoqi, duke “e shitur” si tentativë grabitjeje nga të panjohur. Megjithatë, rrëfimi kontradiktor i çiftit bëri që agjentët të zbardhnin të vërtetën. Arjan Danaj u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Ngjarja
Sipas burimeve nga policia, midis çiftit kishin nisur konfliktet për shkak të xhelozisë. Të dy bashkëshortët kishin debatuar një ditë më parë, ndërsa të nesërmen në mëngjes gjërat nuk ishin zgjidhur midis tyre. Valentina ishte nisur në mëngjes për të shkuar në punë, në zyrën e saj që ndodhet tek “21 dhjetori”, ku ajo punonte si eksperte kontabël. 45-vjeçari i kishte shkuar sërish në punë. Midis tyre ka pasur debate. Më pas, në gjendje tejet të acaruar, Arjani ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete, dhe me të ka qëlluar ndaj gruas së tij. Ajo ka shkuar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Në spital ajo kishte deklaruar se ishte plagosur nga disa persona në rrugën “5 maji”, të cilët e kishin grabitur dhe i kishin marrë çantën që mbante me vete. Sipas deklarimeve të bëra, ajo gjatë grabitjes ishte goditur me kaçavidë nga të rinjtë. Më pas, edhe bashkëshorti i saj ka bërë një kallëzim në polici në lidhje me këtë ngjarje, duke thënë të njëjtin version si bashkëshortja e tij, të cilën e kishte plagosur vetë. Por gjatë marrjes në pyetje të tyre nga ana e hetuesve, rezultoi se rrëfimet e bëra ishin kontradiktore. Gjithashtu, edhe nga dëshmitë e marra në rrugën “5 maji”, nuk rezultoi që të ketë ndodhur një ngjarje e tillë. Për më tepër që nga ekspertiza e kryer rezultoi se plaga e marrë nga Valentina ishte shkaktuar nga një goditje me thikë dhe jo nga një kaçavidë. Nga kontrolli i kryer nga ana e oficerëve të hetimit të krimit u bë i mundur zbulimi i vendit ku kishte ndodhur realisht ngjarja, e cila ishte zyra ku punonte e plagosura, tek “21 dhjetori”. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjetën gjurmët e gjakut, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale thika me të cilën autori i dyshuar kishte kryer krimin. Punonjësit e Sektorit të Vjedhjeve me Dhunë/Armë dhe Shkatërrimit të Pronës vunë më pas në pranga 45-vjeçarin Arjan Danaj, i cili u shoqërua në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje” dhe “kallëzimit të rremë”.