E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, policët e Rinasit nën hetim

Skema e mbrojtjes së Damir Fazlliç nga drejtuesit e policisë së Rinasit, për të shmangur marrjen në pyetje nga prokuroria

Prokuroria: Lëshuam urdhër për ndalimin e boshnjakut në Rinas, por policia e injoroi, duke lejuar largimin

TIRANË- Njësia e Task- Forcës në Prokurorinë e Tiranës fillon nga Rinasi hetimet për serbo-boshnjakun me pasaportë angleze, Damir Fazlliç.Në “sitën” e hetimit për shmangien e marrjes në pyetje të Fazlliç janë efektivë dhe drejtues të komisariatit të aeroportit “Nënë Tereza” për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke mos zbatuar urdhrat e prokurorisë. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës e konfirmuan këtë fakt për “Shekullin”, duke shtuar se: “Policia nuk zbatoi urdhrin e lëshuar ngazvprokurori i rrethit, Elio Mazreku, për ndalimin e Damir Fazlliç, duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës”. Prokuroria e Tiranës, rreth orës 12:00 të së mërkurës, me anë të mediave ka marrë informacione për zbarkimin në Tiranë të shtetasit Damir Fazlliç, i akuzuar në media për afera të rënda korruptive. Menjëherë, janë marrë masat duke kërkuar nga drejtuesit e komisariatit të Rinasit që ky shtetas të ndalohej në aeroport, urdhër ky që u injorua.

“Drejtuesit e policisë kanë raportuar me anë të telefonit se ardhja e shtetasit Damir Fazlliç ka qenë rreth orës 11:35 minuta dhe largimi është parashikuar për në orën 16:10 minuta me avionin e tij charter. Pas marrjes së këtyre informacioneve, zvprokurori Mazreku, me kërkesë të prokurorit të çështjes i cili ka filluar hetimet kryesisht ka vendosur të lëshojë një fletë-thirrje të menjëhershme për të dhënë shpjegime, që sipas akuzës, cilësimi i fjalës“e menjëhershme” në praktikën procedurale ka efekte detyrues për personin që lëshohet. Me këtë “urdhër” në dorë, zvprokurori mësohet se i ka kërkuar shefit të komisariatit në Rinas, Urim Rexhepi, që të ndalojë shtetasin Fazlliç për ta marrë në pyetje në ambientet e komisariatit që ai drejton. Sipas burimeve, mësohet se gjatë bisedës telefonike zvprokurori Mazreku e ka urdhëruar verbalisht shefin e komisariatit,Rexhepi që të ndalojë udhëtimin e shtetasit Fazlliç deri në ardhjen e prokurorit. Rexhepi ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë, në mungesë të këtij urdhri. “Më vjen keq nuk mund ta ndaloj pa urdhër të shkruar. Shpejtoni se ai mund të vijë e të largohet, sepse nuk mund ta ndaloj”,-mësohet të jetë përgjigjur Rexhepi. Menjëherë drejt Rinasit është nisur prokurori i çështjes, i cili ka mbërritur me urdhër në dorë në Rinas, në orën 15:05 minuta, por Fazlliç, mesa duket i mirinformuar për këto lëvizje të prokurorisë, ka ndryshuar orarin e kthimit një orë më herët.

Në momentin e mbërritjes së prokurorit në Rinas,Fazlliç kishte mbaruar procedurat në aeroportdhe kishte hipur në avion dhe për efektivët e policisë, ndalimi i tij në këtë moment ishte i pamundur dhe ai ka fluturuar i qetë në drejtim të vendit nga erdhi vetëm pak orë më parë. Ndërkaq, dje prokurori i çështjes ka zbarkuar në Rinas për të sekuestruar të gjitha dokumentet e hyrje- daljeve të këtij shtetasi në Shqipëri, bashkë me itinerarin e udhëtimit të tre ditëve më parë. Gjithashtu, mësohet se pritet që brenda këtyre ditëve të merret në pyetje edhe shefi i këtij komisariati, Urim Rexhepi, për veprimet dhe mosveprimet e tij. Sipas këtyre burimeve, hetues të çështjes gjatë ditës së djeshme kanë sekuestruar edhe një sërë shkresash zyrtare nga Qendra e Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve (QKR-ja) dhe Drejtoria e Tatimeve në Tiranë, për të verifikuar pretendimet e botuara ditët e fundit në media. Ndaj shtetasit Damir Fazlliç prokuroria ka ngritur fillimisht dyshimet e kryerjes së veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›