Lul Berisha-Indrit Dokle, pakt kundër dëshmisë së Colit
TIRANË- Nga miq për kokë në armiq të betuar dhe anasjelltas. Ulje-ngritjet e marrëdhënieve mes anëtarëve të bandës së Durrësit, Lul Berisha dhe Indrit Dokleduket se po hyjnë në “stinën e dashurisë”. Në fakt, dy të akuzuarit për krime të rënda kanë “prezantuar” një shoë mediatik në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, ku i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit e kanë biseduar “kokë më kokë”. Pasi hynë në kafaz të fundit, rreth orës 09.10 minuta,dy “armiqtë” e betuar kohë më parë i dhanë dorën njëri-tjetrit duke u përshëndetur dhe ulur fare pranë, por të ndarë me efektivë të policisë. Menjëherë pas rehatimit në kafaz, dy “krerët” e Bandës të ndarë që nga viti 2005 filluan të shkëmbenin fjalë dhe të qeshnin me batutat mes tyre, gjë kjo që ra në sy në sallën e gjyqit duke shprehur habi tek të pranishmit në seancën e djeshme gjyqësore. Biseda mes tyre zgjati rreth 15 minuta, deri në momentin e hyrjes në sallë të trupit gjykues që u ndërpreu dy të pandehurve bisedën dhe të qeshurat nga batutat e shkëmbyera.
Më shumë sesa shkrirje akujsh, komunikimi i përzemërt faqe botës duket si një pakt mes dy krerëve të bandës së Durrësit, për të rrëzuar kësisoj dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. “Bisedat mes tyre nuk janë gjë e pazakontë, pasi ata kanë miqësi dhe nuk kanë pasur ndonjëherë armiqësi siç ka thënë Dritan (Adriatik) Coli gjatë dëshmisë së tij”,-kanë reaguar avokatët. Më pas, seanca vazhdoi me leximin e një kërkese nga mbrojtësit e 16 të pandehurve në sallë, të cilët me anë të kësaj shkrese kërkuan që të mos të bëhet ndaj tyre kontrolli fizik nga forcat speciale të Mbrojtjes së Dëshmitarëve të Drejtësisë të veshur me maska. Përveç kësaj kërkese, avokatët kërkuan edhe largimin nga salla e gjyqit të personave të armatosur përveç atyre të ruajtjes së rendit. “Kërkojmë që kontrolli ynë si mbrojtës nga persona të veshur me maska në fytyrë është krejtësisht i paligjshëm, mjaft ofendues e shantazhues, a thua jemi në ndonjë segment rrugor malor apo në pyll, e kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. E njëjta situatë, pra brenda tempullit të drejtësisë, kësaj radhe persona të paidentifikuar, me uniformë që shoqërojnë të pandehurin Dritan Coli, të armatosur, që qëndrojnë gjatë gjithë kohës së gjykimit, gjë e cila konsiderohet e kundraligjshme, mjet presioni e shantazhimi përkundrejt palëve në gjykim”-thuhet në kërkesën e firmosur nga të gjithë avokatët mbrojtës, përfshirë këtu edhe mbrojtësin e të penduarit Coli.
Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata me vendim të ndërmjetëm, me pretendimin se këta persona me uniformë janë këtu për mbrojtjen e të penduarit të prokurorisë. Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e procesit gjyqësor, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda u detyruan për të 42-tën herë që nga qershori i 2007 të shtyjnë seancën gjyqësore për mungesë të avokatëve, që në këtë rast ishte mbrojtësi Vangjel Muzina dhe vetë i pandehuri që ky avokat mbron. Të pandehurit në këtë proces: Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi dhe Dritan (Adriatik) Coli akuzohen për veprat penale të “Krijimit të Organizatës Kriminale”; “Pjesëmarrjes në organizate kriminale”; ”Kryerjes së krimeve nga organizata kriminale”; “vrasje me paramendim”; “vrasje me dashje”; “vrasje me paramendim e me dashje të mbetur në tentativë”; “rrëmbim personi” dhe “prodhim dhe mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake”.
BUJAR GASHI
Prokuroria dërgon të 17-ine bandës së Durrësit në gjyq
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas rregullimit të gjeneraliteteve të të pandehurit Bujar Gashi, që tashmë është arrestuar në Itali, dërgoi dosjen penale në gjykatë për gjykim. Dosja penale ndaj tij, muaj më parë u nda nga 16 të pandehurit e tjerë për rregullimin dhe verifikimin e gjeneraliteteve personale të tij, pasi organi i akuzës kishte ngatërruar emrin e babait të të pandehurit. Pas këtij rregullimi dhe caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” me të dhënat e reja, dosja u dorëzua në Gjykatë, ku me hedhjen në short kjo dosje do të shqyrtohet nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Ndërkohë, pas caktimit të masës së sigurisë dhe urdhrit të arrestit ndërkombëtar, policia italiane ka identifikuar dhe zbuluar vendndodhjen e të pandehurit, duke kryer edhe arrestimin e tij për llogari të drejtësisë shqiptare. Mësohet se drejt Italisë, autoritetet shqiptare kanë dërguar edhe letër-porosinë për ekstradimin e tij, por ende nuk është marrë një vendim.