E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç sërish në Prokurori, ende asnjë akuzë zyrtare mbi të



Tiranë - Damir Fazlliç ka qenë për herë të dytë brenda 24 orësh në Prokurorinë e Tiranës, për t’u njohur me deklarimet e tij të dhëna një ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, por këtë radhë në gjuhën angleze. Burime nga organi i akuzës kanë konfirmuar dje se zotit Fazlliç nuk i është komunikuar asnjë akuzë gjatë dy seancave pyetësore të 24 orëve të fundit. Mesditën e së hënës ai iu nënshtrua serisë së pyetjeve që grupi i prokurorëve ka pasur ndaj tij, në lidhje me dyshimet e ngritura për evazion fiskal dhe pastrim të parave. I shoqëruar edhe nga avokati i tij mbrojtës, Fazlliç, për të paktën 60 minuta ka qenë në zyrën e prokurorëve Dritan Reshka e Besnik Cani, dhe pas daljes nga Prokuroria deklaroi se ka hedhur firmën në deklarimet e tij, por ai nuk ka sqaruar asgjë në lidhje me ato për çfarë është pyetur në Prokurori. Madje është munduar t’i evitojë gazetarët me nervozizëm. “Hej, djema! Nuk keni me se të merreni përveç meje ju?! Më hapni rrugën, pra”, - u deklaroi dje Fazlliçi gazetarëve dhe kameramanëve që e rrethonin. Ndërkohë që zyrtarisht Prokuroria e Tiranës nuk ka bërë të ditur asgjë në lidhje me hetimet, nëse do të akuzohet biznesmeni apo jo. Damir Fazlliç, biznesmeni serbo-boshnjak, u paraqit për herë të parë në Prokurorinë e Tiranës mesditën e së hënës, ku deklaroi se e kishte pranuar ftesën e këtij organi pas kërkesës që Prokuroria e Përgjithshme kishte depozituar në Ministrinë e Drejtësisë. Fazlliç është duke u hetuar nga Prokuroria e kryeqytetit për disa transaksione bankare, blerje pronash dhe për disa shoqëri aksionere që dyshohen të jenë të parregullta. Sakaq, lidhur me pyetjet e bëra ndaj tij pasditen e së hënës, mësohet se Damir Fazlliç ka mohuar kategorikisht se ka kryer pastrim parash në Shqipëri, duke pranuar se vetëm kishte vonuar derdhjen në arkën e shtetit të tatimit mbi fitimin nga shitja e kompanisë së tij (që ia shiti vetes) “Croun Acquisitions”.
“Unë erdha këtu në Prokurorinë e Tiranës, ku dhashë dëshminë time në vijim të kërkesës që m’u bë nga Prokuroria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Unë pranova të vija këtu sepse respektoj institucionet e Drejtësisë shqiptare”, - deklaroi të hënën në mbrëmje z. Fazlliç, duke u larguar menjëherë më pas nga Prokuroria e Tiranës, i ndjekur nga dy avokatët shqiptarë, Ibrahim Lahi dhe Genc Gjokutaj, të cilët nuk folën për mediat

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›