E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-drejtori i SHIK-ut, Cenollari: “U provua e vërteta e dëshmive te Ziso Kristopullit”

Ilir Cenollari dëshmoi te Krimet e Rënda për informacionin që dinte rreth ngjarjes. Procesi për zhdukjen e Remzi Hoxhës vijoi dje me të tjera dëshmi të akuzës

Laureta Rryçi

Tiranë - Tre vjet pas ngjarjes, punonjësve të SHIK-ut u është dashur të hetojnë vetë mbi ngjarjen për të cilën i akuzonte Ziso Kristopuli. Ilir Cenollari, ish-drejtori i komanduar i SHIK-ut, ishte dje dëshmitar në seancën gjyqësore ndaj Arben Sefgjinit, Ilir Kumbaros, Budjon Meçes dhe Avni Koldashit. Ata akuzohen për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në 1995 dhe torturimit të Ziso Kristopulit. Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Cenollari tha se në vitet 1998-1999 kishte marrë kontakt me Ziso Kristopulin, i cili, i shoqëruar nga punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, donte të bënte kallëzim pasi ishte keqtrajtuar nga SHIK-u i asaj kohe. Në proces ishin thirrur për të dëshmuar edhe dy dëshmitarë të tjerë, të cilët nuk dinin fakte konkrete në lidhje me dosjen që po gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Dëshmia
Edhe pse iu deshën të kalonin tre vite për të bërë një kallëzim ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar, Ziso Kristopuli i mban mend fare mirë vendet ku e kanë torturuar. Ky detaj tashmë nuk është i pohuar vetëm nga i dëmtuari, pra nga Kristopuli, por edhe nga dëshmia e ish-punonjësit të SHIK-ut. Gjatë dëshmisë së djeshme, Cenollari shpjegoi se atëherë, pra në vitin 1999, ishin bërë verifikimet në terren dhe ishte konstatuar vërtetësia e deklarimeve të Kristopulit, madje së bashku kishin shkuar në Vain të Lezhës ku vetë Ziso Kristopuli kishte pohuar se e kishin sjellë pikërisht në atë vend. Hasi Terziu, ish-shofer në SHIK, në kohën e rrëmbimit të biznesmenit Remzi Hoxha, si dhe Maksim Kroji, punonjës i pularisë së Kristopullit, ishin dëshmitarët e tjerë të kësaj seance.
Dosja
Për krimin e kryer gati 14 vjet më parë, në bankën e të akuzuarve janë të ulur tre ish-SHIK-as dhe gjyqi zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda këtu në Tiranë. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-shikasve rëndojnë akuzat për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Mes dëshmitarëve, në këtë proces ishte edhe gjenerali Agim Shehu, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njëkohësisht ish-zëvendësministër i Brendshëm, si dhe Fatos Klosi, ish-shefi i SHISH-it.

Dosja

Të pandehurit e këtij procesi janë: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe të Avdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut. Aty pengjet janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja.

Kërkohet ekstradimi i Kumbaros

Drejtësia Shqiptare po kërkon nga autoritetet britanike ekstradimin e Ilir Kumbaros. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave: Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku, sipas hetimeve, janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›