E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri anglez i Policisë jep garanci për ekstradimin e të kërkuarve shqiptarë

Ministri anglez, Vernon Coaker, takime me Berishën, Topin, Nishanin dhe Prençin. Ekstradimi i të kërkuarve shqiptarë, çështja më e rëndësishme e diskutuar

Tiranë - Ministri anglez për Policinë ka zhvilluar një tur të vërtetë takimesh dje, ndërsa e ka garantuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare, Ahmet Prençi, për ekstradimin e të gjithë të kërkuarve të shpallur si të tillë nga Interpol Tirana. Ministri anglez, Vernon Coaker, ka takuar dje kryeministrin Berisha, presidentin Topi, ministrin e Brendshëm Nishani, ndërsa takimi me tematikën më konkrete duket se ka qenë ai me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, ku Coaker ka bërë dhe deklaratën e tij lidhur me çështjen e ekstradimeve. “Në lidhje me arrestimin e shqiptarëve të kërkuar që strehohen në Britaninë e Madhe mendoj se jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por, ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t’i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”, - ka deklaruar ministri anglez Coaker gjatë takimit me Prençin.
Ekstradimet
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se fatkeqësisht, në Britaninë e Madhe jetojnë disa shtetas shqiptarë të kërkuar nga ana jonë për disa vepra penale. “Me policinë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer, por në disa raste, nga ana e gjykatave, është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Ne jemi të hapur për shkëmbim informacioni me qëllim ekstradimin e tyre drejt vendit tonë”, - u shpreh Prençi. Nga ana e tij, ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, z. Vernon Coaker, pasi vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit, garantoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për asistencë të vazhdueshme. “Shumë e rëndësishme në punën e Policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e saj”, - deklaroi z. Vernon Coaker.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi faktin se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i shërbente Policisë Shqiptare për rritjen akoma më shumë të aftësive profesionale.
Bashkëpunimi
Sipas Prençit, Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin me Policinë angleze, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, arrestimin e personave të kërkuar, në fushën e trajnimeve të oficerëve të Policisë shqiptare etj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që po i nënshtrohet Policia e Shtetit. Bashkëpunimi policor deri tani mes Policisë shqiptare dhe homologes britanike është cilësuar si shumë i frytshëm. “Vlerësoj me nota maksimale ndihmën që na ka ofruar dhe ofron policia juaj në fusha të ndryshme. Ne ju garantojmë seriozitet dhe besnikëri në misionin tonë të përbashkët, në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar etj.”, - u shpreh Prençi.
Sipas Prençit, në 10 vitet e fundit nga qeveria britanike janë investuar për Policinë shqiptare rreth 4 milionë euro, të cilat janë bërë në fusha delikate dhe të rëndësishme, si në Policinë Shkencore, në trupën e operacioneve speciale etj.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›