"Fazlliç shkaktoi përplasjen me qeverinë"
LONDËR- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama pranon përplasjen me ekzekutivin, duke shpresuar në tejkalimin e situatës konfliktuale të krijuar. Në një intervistë për BBC-në, ajo ka pohuar se ka përfunduar pjesa më e madhe e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, ndërsa ka komentuar edhe çështje të tjera të rëndësishme që ndodhen në Prokurori si dhe vizitën e saj në Londër, me ftesë të drejtorit të Shërbimit të Prokurorisë Mbretërore në Londër, Sir Ken McDonald.
Zonja Rama, a trajtuat ndonjë rast konkret gjatë qëndrimit tuaj në Londër?
Patëm edhe diskutime në nivel teknik për çështje të veçanta të cilat janë në proces si nga homologët britanikë, ashtu edhe nga ne, për të cilat gjithashtu ne po tentojmë të kemi një bashkëpunim.
A u trajtua çështja e Ilir Kumbaros?
Jo, kjo nuk ishte një nga çështjet që u trajtua. U trajtuan çështje të tjera të cilat janë në proces e sipër, për të cilat ne kemi nevojë të shpejtojmë dhe të facilitojmë procedurat.
Një nga çështjet më të mprehta të kohëve të fundit për Prokurorinë ka qenë edhe çështja “Fazlliç”. A u trajtua ajo gjatë vizitës suaj në Britani, pasi ai është edhe shtetas britanik?
Jo, nuk ishte nga çështjet që ne trajtuam me kolegët britanikë.
Dhe ku qëndron momentalisht, si status çështja Fazlliç? Jo hollësi për hetimin, po ku ka mbetur?
Ajo ka mbetur në fillimet e saj, siç besoj se shtypi e di. Është një çështje e cila është regjistruar si e tillë, pra, kemi një procedim penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Zoti Fazlliç ka në këtë procedim cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet dhe besoj që Prokuroria e Tiranës është duke bërë veprimet hetimore që mund të konsiderohen fillestare, sepse me të vërtetë që jemi në fillim të një procedimi penal.
A pati një tentativë për t’i paraqitur atij një kërkesë për t’u paraqitur në prokurori?
Nuk pati një tentativë, por Prokuroria paraqiti një kërkesë ose më mirë, në terma procedurialë, është një ftesë për ta pyetur zotin Fazlliç në ditën që ai ndodhej në Shqipëri, një ftesë e cila për shkak të rrethanave, për shkak se si u zhvilluan rrethanat, nuk arriti dot të ekzekutohej. Ishte një ftesë për ta pyetur atë. Unë përfitoj nga rasti këtu për të sqaruar opinionin publik sepse me të vërtetë e kam ndjekur mediatikisht qëndrimin që është mbajtur, që ishte një urdhër ndalimi apo një urdhër arresti. Këto janë spekulime. Ka qenë një ftesë për ta pyetur. Është një e drejtë proceduriale e prokurorëve që zhvillojnë hetime. Sigurisht që zoti Fazlliç ka pasur, edhe në momentin që mund t’i komunikohej ftesa, të gjitha të drejtat për të mos iu përgjigjur, për të kërkuar një avokat, për të kërkuar kohë, të drejta proceduriale që i ka çdo shtetas ndaj të cilit zhvillohen hetime në Republikën e Shqipërisë.
Megjithatë ai nuk e mori këtë ftesë për këto arsye. A ia keni paraqitur ju zyrtarisht atij këtë ftesë, pas këtij incidenti?
Di t’ju them se ai nuk e mori, nuk di t’ju them nëse më tej janë bërë tentativa të mëtejshme për ta rithirrur, për ta marrë për të dhënë shpjegime ose për t’u pyetur. Sigurisht që kjo është një procedurë që do ta vlerësojnë prokurorët e çështjes dhe do të vlerësojnë ata se kur do të jetë momenti dhe si do të zhvillohen procedurat.
A ka pasur ndonjë shkelje proceduriale nga prokurorët që u morën me këtë çështje, në ndonjë moment?
Nuk më rezulton që prokurorët të kenë vepruar në shkelje të ligjit në veprimet hetimore që janë kryer për çështjen Fazlliç. Nga dijenia që unë kam, ata kanë vepruar duke zbatuar normat e procedurës penale në të gjitha veprimet hetimore që janë kryer deri tani.
Si e konsideroni atëherë përpjekjen e maxhorancës për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorëve që u morën me këtë çështje?
Sigurisht që unë mendoj se ky është një qëndrim politik, nuk është një pretendim ligjor, si të themi. Është një mënyrë e të parit të çështjes nga një pikëvështrim i ndryshëm, por e gjithë kjo nuk luhat pozicionin tim që e shpreha pak më parë. Unë mendoj se prokurorët kanë vepruar konform ligjit në të gjitha ato hallka, në të gjitha ata veprime që ata kanë ndërmarrë.
Megjithatë po t’i shtojmë kësaj edhe deklaratën e kryeministrit për një hetim ndërkombëtar, a nuk tregon kjo që marrëdhëniet e institucionit tuaj me ekzekutivin janë, le të themi, në një ngërç për momentin?
Në të vërtetë, paraprakisht, doja t’ju thoshja që ne nuk kemi modele hetimesh ndërkombëtare në Shqipëri dhe që ky vullnet të merret e të konsiderohet seriozisht, duhet të vishet me petkun e një norme ligjore. Ne kemi deri më sot modele asistencash të prokurorëve të huaj në hetime të veçanta në Shqipëri, por që sigurisht, këto kanë pasur një procedurë të caktuar ligjore për t’u bërë. Por asnjëherë këta prokurorë që kanë marrë pjesë në hetimin e çështjeve shqiptare nuk kanë patur të drejtë të marrin vendime rreth hetimit. Ata kanë asistuar, kanë koordinuar punët dhe vetëm kaq. Unë mendoj se prokuroria shqiptare nuk ka përse t'i trembet një asistence të huaj, por gjithsesi nuk mund të lë pa përmendur faktin që e gjithë kjo dëmton imazhin e institucionit të akuzës, sepse ul kredibilitetin e tij në publik.
Dhe a janë marrëdhëniet institucionale të Prokurorisë së Përgjithshme me ekzekutivin në një ngërç?
Duhet thënë që ne kaluam një moment të vështirë në këto raporte. Patëm një përplasje institucionale. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky moment të kapërcehet, për shkak se mendoj dhe dua të fokusohem fort në këtë moment. Mendoj që duhet që të gjitha institucionet t’i bashkërendojnë punët për të pasur një rezultat të mirë.
Sa ju kompromenton mbështetja e flaktë e opozitës për ju, për Prokuroren e Përgjithshme të Republikës në këtë moment, e bërë qoftë për arsye parimore, qoftë për arsye pragmatike nga ana e opozitës?
Së pari, nuk më duket se është e flaktë, unë nuk konstatoj ndonjë gjë të tillë. Sigurisht, mendoj se opozita është duke bërë pjesën e saj politike në këtë situatë. Unë mendoj se e rëndësishme është që puna, imja ose e organit që unë drejtoj, të jetë e mbështetur në ligj. Në rast se ne do të veprojmë duke zbatuar ligjin, pak rëndësi ka pastaj se kush të mbron dhe kush të godet. E rëndësishme është që gjithë aktiviteti që organi i prokurorisë kryen, veçanërisht në raste specifike që janë sensitive për publikun, të jetë në mënyrë ekstreme i mbështetur në ligj.
Megjithatë është shumë e rëndësishme kur ju mbron ambasadori amerikan në Tiranë me deklarata që mund të lexohen shumë lehtë si “mos e prekni Prokuroren e Përgjithshme”?
Jo, unë nuk do ta lexoja kështu. Mund ta lexonim ndryshe. Mund ta lexonim që ‘lërini ata që zbatojnë ligjin ta zbatojnë ligjin’! Ndoshta konstatimi që, jo vetëm Ambasada Amerikane, por unë do të them se edhe ambasadorët e Bashkimit Europian kanë bërë në mbështetje të institucionit të prokurorisë për këtë rast, lidhet me faktin që ata duhet të kenë konstatuar që ne kemi vepruar drejt, se prokuroria ka zbatuar ligjin në të gjitha hallkat, në të gjitha veprimet që ajo ka ndërmarrë në këtë çështje, në këtë situatë.
Zonja Rama, nga kush duan t’ju mbrojnë ndërkombëtarët?
Unë mendoj se ndërkombëtarët po mbështesin prokurorinë që ajo të vazhdojë të bëjë punën e saj, të vazhdojë të jetë e pavarur në vendimmarrjen e saj.
Zonja Rama, ju jeni e re në moshë, e re në detyrë. Keni të paktën tri çështje hetimore ku janë të përfshirë emrat e ministrave, ish-ministrave, pjesëtarëve të afërt të kryeministrit. Sa ndikon gjithë kjo trysni në aktivitetin tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni?
Të gjitha këto çështje kanë peshën e tyre në mënyrën se si zhvillohen punët, se si ecin punët në sistemin e akuzës. Vetëm fakti që çdo vendimmarrje, çdo hap, çdo veprim hetimor që ndërmerret në këto çështje, është një veprim që monitorohet në të gjitha drejtimet, në të gjitha aspektet, të vendos në një farë trysnie. Unë do të preferoja që puna jonë të ishte në kushte më komode, sigurisht. Do të preferoja që ne të bënim punën tonë pa qenë e nevojshme që në çdo hap që hedhim të kemi komente nga njëri krah, apo nga krahu tjetër.
Dhe një sfidë tjetër është hetimi për tragjedinë e Gërdecit, si dhe hetimi për tregtinë e paligjshme të municionit drejt Afganistanit. Në ç’fazë ndodhen hetimet për këto dy çështje?
Grupi hetimor, me sa kam unë dijeni, ka kryer pjesën më të madhe të hetimeve që mund të kryheshin prej grupit hetimor në Shqipëri dhe ne jemi në pritje të letër-porosive që iu kemi dërguar homologëve tanë në SHBA, në Qipro dhe në Zvicër. Presim përgjigjet e tyre dhe mendoj që pas marrjes së këtyre përgjigjeve ndoshta do të kemi nevojë të bëjmë veprime të tjera hetimore. Gjithsesi, nuk mund të parashikojmë gjë, për sa kohë që përgjigjen nuk e kemi në dorë dhe nuk dimë çfarë të dhënash do të na vijnë nga homologët tanë.
Jeni e kënaqur me ritmet e hetimeve gjatë këtyre më shumë se shtatë muajve që kanë kaluar nga tragjedia?
Unë mendoj që puna është bërë në kohë reale. Është një çështje shumë komplekse, shumë voluminoze, shumë e ngarkuar. Ndoshta mund të kishte edhe tempe më të mira, por, gjithsesi mund të them se po bëhet një punë e mirë.
Dhe kur jemi tek ligji, kuadri ligjor i sistemit të drejtësisë po ndryshon, po reformohet, ka disa drafte të cilat kanë ngjallur edhe shumë debat. Si e konsideroni draftin për prokurorinë?
Drafti për prokurorinë pësoi disa ndryshime në vazhdim të punës që bëri grupi i punës i ngritur nga Ministri i Drejtësisë bashkë me një urdhër të përbashkët që e kam nënshkruar edhe unë. Unë mendoj se drafti pati avancime shumë pozitive. Me ndonjë informacionin tim, di që ne jemi ndarë në disa pika me Ministrin e Drejtësisë dhe në variantin pothuajse përfundimtar që kemi hartuar. Sigurisht që mendoj se secila nga palët e interesit do të mbrojë qëndrimin e saj dhe, pastaj, do të jetë vullneti politik i parlamentit që do të vendosë se cili do të jetë opsioni që do të marrë formën ligjore.
Paraardhësi juaj në këtë detyrë, zoti Theodhori Sollaku, u akuzua nga maxhoranca e tanishme se flinte mbi dosjet e korrupsionit dhe krimit. A keni gjetur ju dosje të fjetura, kur e morët këtë post?
Unë mendoj se ky është term mediatik. Në prokurori ka dosje të pezulluara. Është një koncept procedurial, një status procedurial. Prokuroria i vë këto dosje në lëvizje kur merr një informacion nga Policia e Shtetit që ka të dhëna të reja për të cilat duhet të prishen vendimet e pezullimit dhe duhet të rivihen në lëvizje dosjet. Unë di t’ju them që për çdo material kallëzues që vjen sot në prokurori, e gjithë fryma që unë kam përcjellë në organin e akuzës, është që ai të vlerësohet maksimalisht dhe askush të mos shpëtojë nga ndjekja penale. Ky term i përdorur, ndoshta do të ishte më i frutshëm po të ishte konkret. Cilat janë këto dosje të fjetura konkretisht? Kush është gabimi i prokurorisë? Cili është veprimi që prokuroria duhej të bënte dhe s’e ka bërë? E lançuar në këtë formë më duket se tenton të dëmtojë imazhin e institucionit të akuzës, por pa hyrë në detaje. Përgjegjësitë janë individuale dhe janë konkrete. Marrë nga BBC
PËR FAZLLIÇ
Unë mendoj se komisioni parlamentar është një qëndrim politik, nuk është një pretendim ligjor, si të themi. E gjithë kjo nuk luhat pozicionin tim që e shpreha pak më parë. Unë mendoj se prokurorët kanë vepruar konform ligjit në të gjitha ato hallka, në të gjitha ato veprime që ata kanë ndërmarrë.
PËR EKZEKUTIVIN
Duhet thënë që ne kaluam një moment të vështirë në këto raporte. Patëm një përplasje institucionale. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky moment të kapërcehet, duhet që të gjitha institucionet t’i bashkërendojnë punët për të pasur një rezultat të mirë.
PËR GËRDECIN
Grupi hetimor, me sa kam unë dijeni, ka kryer pjesën më të madhe të hetimeve që mund të kryheshin prej grupit hetimor në Shqipëri dhe ne jemi në pritje të letër-porosive që iu kemi dërguar homologëve tanë në SHBA, në Qipro dhe në Zvicër
PËR SOLLAKUN
Dosje të fjetura?! Ky term i përdorur, ndoshta do të ishte më i frutshëm po të ishte konkret. Cilat janë këto dosje të fjetura konkretisht? Kush është gabimi i prokurorisë? E lançuar në këtë formë më duket se tenton të dëmtojë imazhin e institucionit të akuzës, por pa hyrë në detaje