E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shuplakë ndaj gënjeshtrave

TRAGJEDIA E BUTRINTIT

Ka ndodhur një tragjedi e re. Së paku 5 vetë mungojnë nga lista e njerëzve që hipën në një varkë fatkeqe për të kaluar liqenin e Butrintit dhe për të vazhduar rrugën për në Greqi.

Nuk ju akuzoj dot për faktin që nuk shkuat dot te familja e nënës së mbytur me foshnjën e saj tremuajshe, ngaqë kohët e fundit keni ndërmarrë një fushatë për t’u mbështetur më shumë te gratë në politikë.

Nuk ju fajësoj dot pse nuk u përgjigjeni ashpër kritikave të opozitës për këtë rast, pasi e di që do të kujtojnë vizitën tënde në Vlorë, më 10 janar 2004, një ditë pas tragjedisë së ngjashme, kur fajësove kryeministrin F.Nano dhe ministrin P.Majko për papërgjegjshmëri politike dhe përgjegjësi për vdekjen.

Nuk të vë faj pse nuk ua mbyll gojën këtyre të rinjve të G99-ës që fajësojnë qeverinë, pasi, bashkë me ta, në janar të 2004, shkove ndeze qiri para Kryeministrisë për t’ia lënë vdekjen në derë kryeministrit. Nuk të fajësoj dot pse nuk flet dot për Kodin e Vdekjes, siç fole në rastin e Kosta Trebickës, pasi do të kujtojnë që 9 janarin ia bëre spot elektoral F.Nanos.

Nuk të fajësoj dot pse ke votuar për moratoriumin për skafet, pasi e di që nuk ishte një vendim i juaji, por një urdhër mekanik nga fqinjët perëndimorë që nuk besonin tek aftësia jonë si shtet normal, që do ta bënte më të mirë jetën e shqiptarëve këtu.

Pra, kam shumë arsye që të më dukesh e pafajshme në gjithë këtë histori. Kam plot arsye të besoj se je prekur si nënë, si politikane dhe ligjvënësja kryesore e Shqipërisë. Kam plot arsye të besoj se, tragjedi si kjo, të bëjnë të pafuqishëm si politikan... Nuk thua dot kemi rritje ekonomike dyshifrore, nuk thua dot kemi ulur papunësinë, nuk thua dot kemi ngjallur shpresën, nuk thua dot ato që thua nëpër mitingje, se ia kemi kaluar dhe Gjermanisë nga ritmi i rritjes ekonomike, nuk thua dot asgjë nga ato që nuk i dëgjon njeri kur i thua. Nuk i thua dot, se tragjedia është një shuplakë ndaj gjithë gënjeshtrave që thuhen për të gënjyer njëri- tjetrin.

Ata që vdiqën nuk kanë më nevojë për asgjë, as për shpresë, as për gënjeshtra, as për të vërteta. Ata kanë nevojë për respekt, së paku për ikjen e tyre. Nuk po them që i vrave ti. Nuk them dot që ishte aksident. Nuk them dot që i vrau policia. Nuk them dot që i vrau opozita. Nuk them dot që i vrau qeveria. Por e them me plot gojën se ua bëmë të padurueshme jetën në këtë vend dhe ata ikën në botën tjetër.Dil kërkoju falje në emër të përgjegjësisë që shumica në pushtet ka për qytetarët e saj dhe humbjen e shpresës në vend! Dil kërkoju falje shpirtrave të tyre të trazuar që u mbytën në një kanal nga paniku i ikjes prej këtij vendi! Nuk po të them, po s’u kërkove falje, jep dorëheqje, se nuk ka më rëndësi. Të vdekurit janë në paqen e tyre, por ju duhet të qetësoni të gjallët, ata që vdekjes dinë t’ia ruajnë nderin dhe t’ia marrin hakun.

*Marrë me shkurtime nga sajti online i gazetës Tema. Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal:” Letër e dëshpëruar për znj.Topalli”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›