E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Burrel: Të frenojmë braktisjen e shkollës

Tiranë- Braktisja e shkollës dhe rritja e shpejtë e numrit të analfabetëve, kanë qenë çështjet themelore në të cilat është ndalur bashkëbisedimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama me arsimtarë të qytetit të Burrelit.

Në këtë takim, bashkëbiseduesit kanë shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e mësuesve, infrastrukturën shkollore e cila është inegzistente në këto zona, si dhe në problemet me tekstet shkollore që janë tërësisht të paorientuara.

Por, problemi më i madh që haset në këto zona është fenomeni i braktisjes së shkollës për shkak të varfërisë e pamundësisë për të shkuar nga një fshat në tjetrin për të ndjekur programin mësimor. Rama ka theksuar se programi i ri i PS-së synon hapjen e një faqeje të re në historinë e arsimit shqiptar.

“Ne nuk mund të pajtohemi me një Shqipëri që nuk i çon dot fëmijët e saj në shkollë, ne nuk mund të pajtohemi me një Shqipëri që sheh çdo mëngjes kolona fëmijësh në të gjithë zonat e thella të vendit dhe posaçërisht në zonat verilindore, për të përfunduar në klasat kolektive”- tha Rama, duke shtuar se arsimimi është guri i themelit të mirëqenies dhe nuk mund të ketë mirëqenie në një vend pa arsimim të të gjithëve.

Ai e ka cilësuar gjendjen e arsimit në vend, të patolerueshme dhe me kosto që do t’i rëndojë së ardhmes. Kushtet në të cilat zhvillohet mësimi janë skandaloze, ndërkohë që nxënia në klasa kolektive është e pamundur.

Kjo, sipas Ramës është arsyeja themelore pse shumë fëmijë që e bëjnë këtë mundim përditë dhe kalojnë përmes kësaj lodhjeje të pafundme për të shkuar në shkollë, e braktisin shkollën përpara se të mbarojnë arsimin e detyruar dhe nuk janë pak, por 50 % e fëmijëve që braktisin shkollën përpara se të mbarojnë arsimin e detyruar.

“10 % analfabetizëm thonë statistikat zyrtare, por kush vallë e ka matur këtë analfabetizëm dhe si e ka matur, me çfarë testi. Gjëja e parë që do të bëjmë në qeverinë tonë, është ta bëjmë këtë test dhe ta shohim në sy këtë realitet të dhimbshëm, se sa e rëndë është barra që të gjithë së bashku duhet të marrim përsipër të heqim nga supet e së ardhmes, duke e hequr nga supet e fëmijëve tanë sot”- tha Rama.

Ai ka theksuar se këtij realiteti i duhet përgjigjur me një politikë të re, për të shëruar me dashuri dhe me zgjuarsi këto plagë që shkojnë duke u hapur dhe thelluar në gjithë organizmin e shoqërisë tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›