Koha për ndryshim?
Zgjedhjet e përgjithshme janë pas katër muajsh, por ndihen shumë afër. Politikanët shqiptarë janë në betejë, duke folur në salla të mbushura ose duke formuar grupe pune për fushatën. Edi Rama, lideri interesant i opozitës socialiste, nënvizon fraza në një libër me fjalimet e Obamës. Ndryshimi do të jetë motoja e zotit Rama në sfidën me Sali Berishën, kryeministër dhe lider i Partisë Demokratike. Zoti ndodhet në qendër të politikës shqiptare që pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Ata që kanë lindur atë vit do të votojnë për herë të parë. Ata nuk kanë kujtime nga komunizmi dhe asnjë periudhë tjetër para Berishës. Zoti Rama mendon se kjo do të jetë në favorin e tij.
Megjithatë, Rama nuk është figurë e re në peizazhin politik shqiptar. 44-vjeçari është kryebashkiak i Tiranës që nga viti 2000. Ai e ka transformuar qytetin. Godinat e paligjshme në qendër janë prishur, ndërtesat gri të pikturuara me plane shumëngjyrëshe i paraprijnë kthimit të sheshit “Skënderbej” në një zonë për këmbësorët. Tirana nuk është më qyteti kaotik në degradim i viteve ‘90.
Një komentues thotë se beteja është mes zotit Berisha, si një populist i vjetruar, dhe zotit Rama, si postmodern. Zoti Berisha vë theksin te rrënjët komuniste të PS. Zoti Rama thotë se, megjithëse kundërshtari i tij i fitoi zgjedhjet e vitit 2005 me sloganin e duarve të pastra, ai është kthyer në “mishërimin e korrupsionit”. Por zoti Berisha dhe përkrahësit e tij i hedhin poshtë akuzat. Ata thonë se kryebashkiaku mbrohet nga miqtë në media. Opozita thotë se shtypi shqiptar e ka lidhur familjen Berisha thuajse me të gjitha skandalet e fundit të korrupsionit. Një ish-ministër Mbrojtjeje është marrë i pandehur kohët e fundit, ministri i Jashtëm është marrë i pandehur për korrupsion. Shpesh nuk dallon dot vijën mes zyrave private dhe shtetërore, thotë Albert Rakipi, nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.
Genc Pollo, zëvendëskryeministër, mbron punën e qeverisë së tij. Ai thotë se Shqipëria nuk është i njëjti vend si më parë: vitin e kaluar rritja e GDP ishte 6 për qind dhe edhe këtë vit mund të jetë 4 për qind. Shkollat dhe rrugët janë më të mira. Megjithatë, kriza financiare po godet tekstilet, minierat, si dhe dërgesat e emigrantëve. Shqiptarët të tensionuar tërheqin kursimet nga bankat. Sondazhet janë të pabesueshme e shpesh kontradiktore. E qartë është vetëm që kjo do të jetë një fushatë e pistë dhe e lodhshme.