Gjyqtarët: Krimi ndaj Nunit po vazhdon
Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë reagoi dje pas asaj që e quajti një fushatë ogurzezë kundër Ardian Nunit, një anëtari të Gjykatës së Lartë që mbeti i plagosur në një atentat.
Sipas këtij unioni, ajo fushatë ndjellakeqe që motivoi atentatin, po vijon ende tani. “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nëpërmjet kësaj deklarate shpreh keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime që klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal të tentativës së vrasjes së të nderuarit gjyqtar i Gjykatës së Lartë Ardian Nuni vazhdon të endet ndjellakeqe dhe ogurzezë në jetën e përditshme të opinionit shoqëror.
Thirrja e shoqatës “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë”, krahas shumë forumeve dhe personaliteteve të tjera, për hetimin e shpejtë dhe zbulimin e autorësisë së kësaj ngjarjeje të një dimensioni kritik për fatet e shoqërisë, me sa duket ka ushtuar në një mjedis të shkretë moral, njerëzor e institucional. Kjo ngjarje kriminale nuk ishte e para ndaj shërbëtorëve të drejtësisë, por ishte më e rralla dhe më shqetësuesja për nivelin që godiste”, - thuhet në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve.
Shqetësimet e tyre i referohen deklaratave të bëra publike në media se gjykatësi i plagosur, Ardian Nun, nuk po bashkëpunon për të çuar më tej hetimin. Sipas Unionit, kjo tregon që krimi po vazhdon.
“Nëse janë të vërteta ato që emetohen çdo ditë në media dhe që kanë burimin që citohet, të tilla si “gjyqtari refuzon të bashkëpunojë” apo “gjyqtari nuk jep celularin”, këto janë jo vetëm fyerje të opinionit publik, në përgjithësi dhe komunitetit gjyqësor, në veçanti, por të bëjnë të besosh që krimi vazhdon”, - thuhet në deklaratë.
Unioni i Gjyqtarëve deklaroi se është e tmerrshme që akoma flitet për viktimat dhe jo për kriminelin. “Askush, as policia dhe as prokuroria, nuk mund ta fshehë paaftësinë për hetimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje kriminale, pas spekulimeve denigruese të kësaj natyre. Është fatale për shoqërinë dhe aspiratën e shtetit të së drejtës që deri tani më tepër është folur për viktimën se për kriminelin, a thua se ky i fundit nuk ka asnjë faj.
Ndaj, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në përbërje të të cilit është edhe gjyqtari i nderuar Ardian Nuni dhe mjaft gjyqtarë të tjerë që shërbejnë drejtësi çdo ditë, i bëjnë thirrje opinionit publik që së bashku t’i thonë jo me forcë dhe ta ndalojnë këtë fushatë spekulimi dhe denigrimi të paprinciptë dhe vrastare”, - përfundon deklarata.
Prej disa ditësh, në media citohen me burime të pakonfirmuara organet hetimore që deklarojnë se Nuni po pengon hetimin. Ky i fundit i ka përgënjeshtruar këto qëndrime duke theksuar se askush nuk po interesohet për hetimin e tij.