E Diel, 1 Nëntor 2026

Feçor Agaçi: “Pasojat mjekësore të grevës së urisë në shëndet”

Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në QSUT shpjegon problemet që shfaqen

Jonida Tashi

Greva e urisë që deputetët e opozitës, së bashku me simpatizantët e tyre, kanë nisur prej 10 ditësh, të vendosur për ta çuar deri në fund, do të ketë mjaft pasoja për shëndetin e grevistëve. Në një intervistë të posaçme për gazetën, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, Feçor Agaçi, shpjegon pasojat mjekësore të grevës së urisë në shëndetin e grevistëve. Sipas endokrinologut më të njohur në vendin tonë, pasojat mjekësore të grevës së urisë fillojnë të shfaqen pas javës së parë të saj, çka do të thotë se tashmë shëndeti i secilit prej 200 grevistëve ka filluar të shfaqë shenjat e alarmit për ushqim. Dje, në ditën e dhjetë të grevës, 20 persona, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, janë larguar prej saj për të marrë ndihmën e specializuar në spitalin “Nënë Tereza”. Ndërsa ata që kanë mbetur marrin edhe më shumë forca kur dikush e lë grevën për arsye shëndetësore, pasi askush prej tyre nuk e di se organizmi i cilit do të durojë më shumë dhe as se kush do të jetë grevisti i radhës që do të sëmuret.
Pasojat
Endokrinologu Feçor Gaçi shpjegon me detaje se cilat janë pasojat mjekësore që kanë filluar të shfaqen në shëndetin e grevistëve dhe çfarë rreziqesh shëndetësore u kanosen atyre gjatë ditëve në vijim. Sipas tij, duke qenë se grevistët nuk marrin ushqim nga goja, ata konsumojnë ushqimet e vetë trupit, pra fillon të shkatërrohet organizmi për të marrë material ushqyes. “Fillimisht shkatërrohet dhjami. 30 për qind e trupit të njeriut është e përbërë nga dhjami, sasi që gjendet edhe te personat që janë të dobët fizikisht. Më pas fillojnë të shkatërrohen muskujt e krahëve dhe të këmbëve, pastaj muskujt e barkut. Më tej shkatërrohen organet e brendshme të organizmit, si: mëlçia, veshkat, zemra dhe në fund truri. Po ashtu ndodh edhe shkatërrimi i funksionit të të gjitha organeve, sidomos i gjëndrave endokrine me funksion të brendshëm në organizëm”, - shpjegon shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në QSUT.
Problemet
Më tej endokrinologu liston një sërë problemesh të tjera shëndetësore që do të shfaqen ditë pas dite në organizmin e grevistëve. “Prishet metabolizmi i lëndëve, rritet kaliumi, që rrezikon çrregullime të rimtit të zemrës, rritet sheqeri në gjak, shkatërrohen proteinat, ulet tensioni i gjakut, shpeshtohet pulsi i zemrës. Kanë çrregullime të stomakut dhe të zorrëve, që shprehet me të vjella. Këto dëmtime janë më të shprehura te personat që vuajnë paraprakisht nga një sëmundje kronike si zemra, tiroidet e sidomos diabeti, që është një sëmundje që çrregullohet më shumë sepse mjekimi i diabetit, që bëhet gjatë gjithë jetës, është një sëmundje që lidhet ngushtësisht me marrjen e ushqimit, sepse ka kokrra që pihen para buke dhe pas buke. E njëjta gjë vlen edhe për diabetikët që marrin insulinë, të cilët duhet patjetër që pas marrjes së insulinës të hanë ushqim”, - vijon Feçor Agaçi.
Rekomandimet
Në këtë situatë, duke marrë shkas nga gjendja shëndetësore e grevistëve, e cila sa vjen e rëndohet, endokrinologu këshillon që grevistët diabetikë ta ndërpresin grevën. Sipas tij, për personat që vuajnë nga diabeti, greva është dyfish më e rrezikshme, pasi ata mund të bien në koma të tipave të ndryshëm. “Përsa u përket atyre që kanë diabet, greva e urisë është dyfish më e rrezikshme. Do të rëndohen shumë dhe do të vijë një moment që do të bien në koma”, - shprehet Agaçi. Me gjithë problemet e deklaruara shëndetësore, që tashmë grevistëve do t’u rëndojnë çdo ditë e më shumë mbi supe, deri në pikën sa mund t’u rrezikohet edhe jeta nëse ata do të qëndrojnë më shumë se 30 ditë pa marrë ushqim, ata sërish pohojnë se do ta vazhdojnë grevën. Sipas profesor Feçor Agaçit, teorikisht, pa marrë ushqim njeriu mund të jetojë deri në 30 ditë. “Uria e pjesshme është kur njeriu nuk merr një ose disa lloje ushqimesh. Për shembull nuk merr proteina dhe kjo quhet uri proteinike. Uria quhet e plotë kur njeriu nuk merr aspak ushqim nga goja, por pi vetëm ujë. Uria është absolute kur njeriu nuk merr as ujë, as ushqim. Në urinë e plotë njeriu mund të rrojë deri në 30 ditë, por edhe kjo ndryshon nga një njëri te tjetri, varet nga mosha, sëmundjet etj.”, - thekson shefi i Endokrinologjisë në QSUT. Së fundi, Feçor Agaçi, si profesionist i endokrinologjisë, bën edhe një apel: “U bëj thirrje, në radhë të parë nga ana mjekësore, sidomos diabetikëve, të dalin nga greva!”.

Problemet shëndetësore, pavijon special në QSUT për grevistët
Në pamundësi për t’u shërbyer grevistëve brenda çadrave, spitali më i madh në vend, “Nënë Tereza”, është në gatishmëri të plotë për t’u dhënë ndihmën e specializuar mjekësore personave që ambulancat e Urgjencës transportojnë tashmë çdo ditë drejt tij. Për këtë arsye, Drejtoria e qendrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë ka urdhëruar pavijonet e shërbimeve që të jenë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur nevojave të grevistëve të urisë, të cilët prej 10 ditësh janë “ngujuar” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas një urdhri të lëshuar nga drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, në Pavijonin Infektiv është krijuar dhe një ambient i veçantë, ku do të priten të gjitha rastet, me shtretër ekzaminues dhe më pas hospitalizues. Të gjithë personat, të cilët do të transportohen nga çadrat e grevës së urisë drejt QSUT-së, do të priten në këtë ambient për të marrë ndihmën e parë. “Detyrat për shefat e pavijoneve do të fillojnë nga Departamenti i Laboratorit dhe Imazherisë që të marrin masat për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ekzaminime gjatë 24 orëve. Shërbimet e Sëmundjeve të Brendshme, Shërbimi i Kirurgjisë, Shërbimi i Mjekësisë Interne dhe Shërbimi i Infektivit do të rezervojnë shtretër për çdo pavijon në funksion të grevës”, - thuhet në urdhrin e Drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se shefat e shërbimeve duhet të sigurojnë urgjentisht prezencën e personelit shtesë, përfshirë mjekë, kryeinfermierë, infermierë. Deri tani në Pavijonin e Infektivit kanë marrë ndihmë mjekësore 20 grevistë të opozitës.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›