E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Pele te Baxho, Top-10 e botëroreve

“Perla e zezë”, Pele, fiton me “fotofinish” kundër gjenisë së Maradonës. Në top-listë ndodhen edhe Meaca, Krujfi, Platini, Zidan dhe Mateusi

Dash Frashëri- Më të mirët e më të mirët. Më të shkëlqyerit e 18 Kampionateve Botërore. Një listë e përzgjedhur me kujdes. Faqja më e rëndësishme sportive “Eurosport” ka stiluar një renditje unike të 10 futbollistëve më të mirë të planetit, të atyre që kanë lënë gjurmë të thella në memorien e të gjithëve. Që kanë vendosur rekorde si braziliani Pele (tri herë kampion i botës), kanë dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në driblim, kanë pasur jetëgjatësinë më të madhe në finalet e Botërorëve si gjermani Mateus (pjesëmarrës në pesë Botërore), apo gjeni të tillë si Johan Krujf dhe virtuozë si Mishel Platini dhe Roberto Baxho. Një listë intriguese që ia vlen ta lexosh me një frymë...

1 – Pele (Brazil)

Edison Arantes do Nascimento apo shkurt "Pelè". Gazeta britanike “Sunday Times”, menjëherë pas finales së Botërorit të vitit 1970, pyeste se duhej të përshkruhej Pele. Pyetja e shtruar: “Si e gërmëzoni ju fjalën Pele?, sipas gazetës ishte “G-O-D” (Zoti). Pele, i mbiquajtur “Perla e zezë” është i njohur sidomos me pagëzimin “O Rei” (Mbreti). Pele mban akoma rekordin e golave të realizuar në karrierën e tij: 1281 gola në 1363 ndeshje të luajtura. Është i vetmi lojtar në historinë e futbollit që ka fituar tre Kampionate Botërore: 1958, 1962 e 1970.

2 - Diego Armando Maradona (Argjentinë)

Fitoi vetëm një Botëror, por e fitoi praktikisht si një solist. Që është një prej më të mëdhenjve nuk ka mbetur për ta zbuluar sot: është shndërruar në një prej personazheve më të diskutuar të historisë së futbollit. Goli i realizuar kundër Anglisë në çerekfinalet e Kampionatit Botëror të Meksikës është votuar si më i bukuri i të gjithë historisë së Botërorëve.

3 – Johan Krujf (Holandë)

Nuk e kishte numrin 10 në bluzën e tij, por numri “14” i tij mund të lexohet edhe si “10”. Interpretuesi më i kualifikuar i “futbollit total”, me të cilin Ajaksi dhe Holanda e viteve 1970 ishte e dashuruar pafundësisht. Krujf fitoi tre “Topa të artë, por befasisht humbi Botërorin e vitit 1974 kundër Gjermanisë. Një karrierë unike e parë në mënyrë “totale”. Është e famshme fraza me të cilën Di Stefano e prezantoi: “Nuk është një sulmues, por shënon shumë gola; nuk është një mbrojtës, por nuk humbet kurrë një dyluftim; nuk është një regjisor, por luan çdo top në interes të shokëve...”.

4 - Zinedin Zidan (Francë)

Kujtimi i “Zizu” është i freskët. Me dopjetën në finalen e Botërorit të vitit 1998 është për francezët akoma edhe më i rëndësishëm se Platini. Sigurisht, mënyra se si ai e përfundoi karrierën e tij nuk ishte mënyra më e mirë për të kujtuar një lojtar për atë që dhuronte në fushë, ndoshta nuk mund të vijë kurrë një lojtar që vallëzonte në mesin e fushës me topin në këmbë.

5 - Mishel Platini (Francë)

Regjisor superfin, mesfushor trekuartist i klasit ndërkombëtar dhe për më tepër një golashënues i dorës së parë: tri herë “pichichi” (golashënuesi) më i mirë i Serisë A. Ky ishte “Le Roi Mishel ” (Mbreti Mishel), një që e ka fituar këtë nofkë (“Mbreti), pikërisht falë teknikës së tij të pakufishme dhe qëndrimit të tij natyral e që bëri një lider të padiskutueshëm, me Juventusin dhe me bluzën e Kombëtares franceze. Mori pjesë në tri faza finale të kampionateve botërore. Rezultati i tij më i mirë ishte i treti në vitin 1986, edhe pse kulmi i karrierës së tij ishte Europiani i fituar në vitin 1984: ishte kryegolashënuesi i këtij edicioni me 9 gola në vetëm 5 ndeshje.

6 – Ziko (Brazili)
Artur Antunes Koimbra, apo siç njihet publikisht "Zico". Në atë kohë “France Football” nuk i kishte hapur akoma “kufijtë”, që Ziko të fitonte “Topin e artë” të revistës franceze, por ai kishte fituar “Topin e artë” të Amerikës së Jugut (1977, 1981 e 1982). Thelbësor në regji dhe në driblim, Ziko kishte një gjuajtje të pabesueshme: një nga karakteristikat e tij kryesore ishin goditjet e dënimit. Tre Botëroret në të cilat ka marrë pjesë: 1978, 1982 dhe 1986, por asnjë fitore. Për të ardhur keq për dikë që për Kombëtaren e tij, përfshirë dhe ndeshjet jo zyrtare ka realizuar 66 gola në 88 ndeshje.

7- Lotar Mateus (Gjermani)

Ndoshta nuk e ka teknikën e lojtarëve të mëdhenj, por sigurisht q që i madhi Lotar është një prej atyre që ka më shumë të drejtë të përfshihet në këtë klasifikim: pesë Botërorë të luajtur (1982, 1986, 1990, 1994 e 1998), në të cilën atë të vitit 1990 të fituar nga Gjermania ishte protagonist. Me 25 ndeshje të luajtura, Mateus është edhe lojtari që ka zhvilluar më shumë ndeshje në finalet e Botërorëve. Inter dhe Bajerni i Munihut janë skuadrat për të cilat në karrierën e tij të jashtëzakonshme, që i dha mundësinë për të fituar përveç “Topit të artë” në vitin 1990, edhe Kampionatin Europian 1980.

8 – Xhuzepe Meaca (Itali)

Simbol i Italisë kampione të botës në vitin 1934 dhe 1938, Meaca ishte ndoshta talenti i parë më i madh i Kombëtares “axurre” në nivelin ndërkombëtar e që i dhuroi italianëve edhe dy nga katër botërorët e fituar deri tani. I jashtëzakonshëm në driblim dhe i shpejtë me topin në këmbë, Meaca ishte lojtari mbi të cilin mbështetej Kombëtarja e Italisë. E veçantë mënyra se si i gjuante penalltitë: me pas të dyfishtë. Me 33 gola, i dyti vetëm pas Rivës, është “topçiu” i dytë më i mirë i të gjitha kohërave të Italisë.

9 - Huan Alberto Skiafino (Uruguai)

Kampion i botës me Kombëtaren uruguaiane në Botërorin e vitit 1950 është konsideruar si një prej më të mëdhenj në historinë e futbollit. Kujtimi i tij është ndoshta pak i largët, e ka nevojë pak edhe për rifreskimin e memories. Skiafino ishte një lojtar i pajisur me një teknikë super-fine, plus vizionit të lojës dhe inteligjencës taktike, jashtë të zakonshmes: autori i golit të Uruguait që barazoi rrjetën e avantazhit të Brazilit në finalen e Botërorit të vitit 1950 (Giga shënoi golin 2-1 të finales). Skiafino, ka luajtur edhe me Milanin e Romën, madje veshi edhe në katër ndeshje fanellën e Kombëtares së Italisë.

10 – Roberto Baxho (Itali)
Tri janë fazat e Botërorëve në të cilat “Divin Codino” ka marrë pjesë e sigurisht edhe ka shënuar gola: “Italia 1990”, “SHBA 1994” dhe “Francë 1998”. Me 27 gola të realizuar është një prej golashënuesve më të mirë të Kombëtares italiane. Një talent i jashtëzakonshëm dhe i dashuruar me golin, Baxho është një prej lojtarëve më të dashur të pasionuarve të futbollit italian. Edhe pse ka pasur shumë dëmtime gjatë karrierës, gjithmonë ka bërë ndeshje të mëdha: një shembull për të gjithë.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›