E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh në çadër me uri të plotë



Në emër të bindjeve të tyre politike dhe problemeve ekonomike ata kanë vendosur të heqin dorë pa afat nga ushqimi. Jetojnë vetëm me ujë, në uri të plotë. Por sa e vështirë dhe e mundimshme është kjo rrugë përmes së cilës ata po kalojnë, në emër të bindjeve të tyre?
Durim Xhoxha, 44-vjeçari nga Patosi që prej 2008-s është i papunë. Për 24 vjet ka punuar në sektorin e naftës. 12 vitet e fundit ai dhe gruaja e tij e kanë pasur tepër të vështirë të mbajnë familjen me bukë. Durimi thotë se veç arsyeve politike, janë edhe arsyet ekonomike që e kanë detyruar atë të futet në grevë. Madje ai tregon se këtë vendim nuk e marrë në mënyrë individuale, por ka edhe mbështetjen e familjes, e cila çdo ditë e më shumë e ka të vështirë të mbijetojë.
Mungesa e një vendi pune dhe pamundësia për të paguar faturat dhe përballuar koston e jetesës janë arsyet që e kanë shtyrë edhe Elez Brahën nga Kukësi të futet në këtë grevë urie. Dikur ai ka qenë i punësuar në repartin RENEA, por që pas shkrirjes ai nuk gjen vend pune dhe e ka të vështirë të ushqejë tre fëmijët e tij.
Në këndin e shtretërve, ku qëndrojnë femrat, është edhe Anila, e cila, edhe pse e ka të vështirë të qëndrojë në grevë, shprehet e bindur në motivin e saj dhe të qindra grevistëve të tjerë. Por, ndërsa i nxehti shtohet, edhe dhimbjet në trup e stomak bëhen më të shpeshta për grevistët. Çdo ditë që kalon shton numrin e atyre që largohen për në spital, por mbështetja nga jashtë, lulet, mesazhet dhe, mbi të gjitha, bindjet e tyre, u japin kurajë që ta vazhdojnë këtë grevë deri në fund, që nënkupton zgjidhjen e kauzës që ata kanë ngritur.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›