E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia kulturore si mundësi bashkimi dhe reflektimi



Vullnetarë nga të gjitha vendet e Ballkanit po punojnë në Kampin e Restaurimit që organizohet në bashkëpunimin ndërmjet Fondacionit Suedez “Cultural Heritage ëithout Borders” (Trashëgimia Kulturore pa kufij), Universitetit Polis në Tiranë, dhe Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO). Ky kamp zhvillohet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme për projektin “Gjirokastra 2009 -2011”. Kjo zhurmë që dëgjohet është e çekiçëve, mistrive e veglave të punës të rreth 40 vullnetarëve nga vendet e Ballkanit, arkitektë, inxhinierë e studentë të cilët janë duke marrë pjesë në restaurimin e një prej monumenteve më autentike, ngrehinës së Babametove, monument kulture. Ata kanë ardhur nga vendet e Ballkanit, në kampin e 4 të restaurimit që organizohet në zemrën e qendrës historike të këtij qytetit. Ata janë studentë dhe profesionistë të rinj të cilët do të kalojnë dy javë duke u stërvitur nga ana teorike dhe praktike mbi teknikat dhe teoritë e restaurimit, si dhe më gjerë mbi fushën e trashëgimisë kulturore. Lejla Haxhicievic drejtore e projektit thotë se: "Pjesa kryesore e këtij projekti janë siguruar nga agjencia suedeze për zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Ne kemi punuar prej vitesh e kemi shumë kontakte në krejt Ballkanin, një rrjet solid dhe sa herë që organizojmë kampe të tilla në Gjirokastër, këto kontakte i vëmë në veprim duke arritur që të sjellim pjesëmarrës të tillë në to". Gjatë kampit, pjesëmarrësve u jepet mundësia të njohin nga afër jo vetëm qytetin e Gjirokastrës por edhe disa prej monumenteve të kulturës së tij. Gjatë ditës, në këto 2 javë, pjesëmarrësit punojnë në një prej objekteve Monument Kulutre i Kategorisë së Parë, pronë e familjes Babameto, ku ata do të stërviten nga disa mjeshtra artizanë me përvojë mbi njohuritë bazë për përdorimin e teknikave dhe materialeve tradicionale me të cilat janë ndërtuar monumentet në Gjirokastër. Kordinatori projektit Bojken Abazaj thotë se: "Midis një aktiviteti që ndërthur pjesën teorike me atë praktike. Gjatë mbrëmjeve studentët marrin leksione të ndryshme mbi këtë fushë në veçanti mbi punimin e gurit, drurit e me radhë e gjatë ditës punojnë në objekt." Vetë pjesëmarrësit kanë mundësinë të punojnë gurin, drurin dhe suvanë sipas teknikave dhe materialeve tradicionale. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes, pjesëmarrësit marrin njohuri teorike mbi fushën e trashëgimisë kulturore, dhe më në veçanti mbi monumentet e kulturës në Gjirokastër. Leksionet mbahen nga profesorë nga Universiteti i Stokholmit Dega e Arkitekturës, Universiteti i Londrës për Arkitekturën, pedagogë nga Universiteti Polis, si dhe nga specialistë me përvojë nga vendet e Ballkanit si Prof. Emin Riza, Prof. Ibrahim Canbulat, eksperti në fushën e konservimit Nihad Cengic, etj. Pra mesazhi është i qartë, pra jo vetëm profesionalizëm por dhe një bashkëpunim mes popujsh, kulturash që deri dje ishin në armiqësi me njëra tjetrën. Trashëgimia kulturore kësaj radhe është shans e mundësi bashkimi e reflektimi e jo ndarjeje.

4 artistë shqiptarë në Kongresin e Muzikës Bashkëkohore
Katër artistë nga vendi ynë përfaqësuan muzikën shqiptare në Kongresin ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore, që u mbajt para disa ditësh në La Korunja të Spanjës.
Kompozitori Hajk Zacharian, pjesëmarrës në këtë kongres, tha se në referatet e përgatitura nga pedagogë të universiteteve muzikore evropiane u trajtuan temat “Marrëdhëniet mes fjalës dhe muzikës” dhe “E thjeshta dhe e ndërlikuara në muzikë", që ishin përzgjedhur nga Universiteti i La Korunjas si organizator i veprimtarisë. Pedagogë dhe akademikë nga Londra, Sao Paolo, Kievi, Vigo dhe Korunja diskutuan mbi të rejat e fundit në fushën e perceptimit muzikor përmes sintezës zanore. Violinisti durrsak Florian Vlashi, i cili që nga viti 1992 punon në orkestrën simfonike të Galicisë (Spanjë), foli mbi teknikat e shekullit të 20-të në interpretimin violinistik. Bashkë me leksionin teorik artisti 47-vjeçar shqiptar demostroi në violinë disa prej hapave që ka ndjekur intepretimi në instrumentin me korda më të njohur në botën muzikore. Gjatë kongresit u prezantuan dy vepra muzikore të autorëve shqiptarë. Pjesa "Cadenza” kompozuar nga Hajk Zacharian i dha mundësinë violinistit Florian Vlashi të nënvizojë idenë e autorit të njohur shqiptar që të performojë pa ndihmën e orkestrës, duke evidentuar artin dhe teknikën e tij të lartë profesionale. Zacharian është i njohur si kompozitor i mbi 20 kolonave zanore të filmave shqiptarë dhe ka shkruar mjaft vepra muzikore, mes të cilave edhe dy solo të tjera për violinë. Më pas grupi instrumental “Siglo veinte-Shekulli i XX-të”, që drejtohet nga Florian Vlashi, intepretoi veprën e kompozitorit Emond Buharaja “Metamorfoza e kristalit”. Mes instrumentistëve të huaj të formacionit instrumental me përvojë 14-vjeçare ishte edhe violinisti shqiptar Arben Llozi. Artistët shqiptarë morën vlerësime publike, veçanërisht nga profesore Elena Palma, organizatore e kongresit. Violinisti Florian Vlashi është bërë i njohur në vendin tonë për organizimin e Bienales së muzikës klasike në qytetin e Durrësit.

Jaho dhe Pirgu në Operën Mbretërore

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, dhe tenori i famshëm, Saimir Pirgu, janë rikthyer në Londër për të luajtur protagonistët e një prej operave më të bukura të shkruara ndonjëherë për dashurinë, dhe që lë gjithmonë pa frymë publikun botëror, “Traviatën” e Giusepe Verdit. Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu në një intervistë për mediat kanë folur për operën Mbretërore të Londrës, emocionet e interpretimit në këtë skenë dhe përse këto role janë më të dashurit për ta. Traviata do të ketë pesë shfaqje në operën e Covent Garden dhe për Ermonela Jahon e Saimir Pigurn përbën edhe premierën e dy artistëve që luajnë protagonistët në një shfaqje të këtij kalibri në një skenë operistike botërore. Që të dy i kanë provuar skenat më të famshme operistike të botës dhe që të dy e kanë mahnitur publikun në Londër. Soprano dramatike, Ermonela Jaho, në vitin 2009 zëvendësoi Anna Netrebkon në momentin e fundit në rolin e Violetës në operën “Traviata” në një udhëtim në NewYork- Londër, ku i ndryshoi krejtësisht karrierën operistike.

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›