E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj: Vëzhguesit e UEFA-s nuk konstatuan probleme

Pas vendimit që ka marrë UEFA për hetim të ekipit të Vllaznisë, për fiksim të rezultateve në ndeshjet e turit të dytë eliminator të Europa League kundër Rapidit të Vjenës, ka reaguar presidenti Valter Fushaj. "Jemi krejtësisht të pastër, ndaj dhe jemi të qetë e të hapur ndaj UEFA-s. Ata janë të lirë të bëjnë çdo hetim, por ne jemi të sigurt se gjithçka është e pastër. Jemi të gatshëm të ballafaqohemi me UEFA-n dhe ata e kanë rrugën e hapur të bëjnë çdo hetim", tha Fushaj. Ai shton se i gjithë ekipi dhe drejtuesit e tij janë krejtësisht të qetë dhe se lajmi për nisjen e hetimeve nuk ka pasur efekt demoralizues. Presidenti Fushaj ka theksuar se është e habitshme se si janë ngritur dyshimet për rezultate të fiksuara, kur relacioni i vëzhguesve dhe të deleguarve të UEFA-s për ndeshjet ka qenë krejtësisht i rregullt. "Nuk na mbetet veçse të presim atë çfarë do të dalë nga hetimet, por kjo nuk na pengon në rrugën drejt objektivave tanë", përfundoi ai.

A. Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›