Federata dënon dhunën: Në Pogradec, ngjarje e shëmtuar
POGRADEC- Federata Shqiptare e Futbollit ka folur për herë të parë për dhunën e shfaqur ditën e shtunë në Pogradec, kur mbeti i dhunuar arbitri Enea Jorgji dhe dy asistentët e tij. Në fakt edhe për këtë ka qenë kërkesa e gazetarëve drejtuar Dukës në konferencën e prezantimit të Xhani De Biazit, që ai të komentonte ngjarjen. “Ajo në Pogradec ishte vërtet një ngjarje e shëmtuar, - deklaroi presidenti i Federatës. – Të gjithë klubet janë të barabarta për Federatën, por Pogradeci shihej me një sy pozitiv prej nesh për vlerat që ka. Futbolli duhet ta dimë se është një lojë dhe ajo ka rregullat e veta. Vendimet e arbitrave janë të paapelueshme. Askush nuk mund të justifikojë veprimet e tifozëve apo të tifozëve, duke thënë që “meqë ai bëri këtë, unë po bëj atë”. Pogradeci ka dy vjet që nuk humbet asnjë ndeshje në shtëpi. Për dy vjet e 68 minuta ata nuk kanë thënë asnjëherë se këtu nuk ka FSHF dhe nuk ka arbitra, ndërsa pas 68 minutash të ndeshjes me Teutën, arbitrat dolën të korruptuar dhe marrin lekë. Askush s’ka të drejtë për vetgjyqësi”, tha Duka.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)