E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federata e djathtë, ide e largët e mazhorancës

Në kohën kur kërkohet bashkim nga aleatët demokratë për zgjedhjet e 2009-ës, vijnë edhe përplasjet e para, që cenojnë krijimin e një federate të djathtë. Republikanët të shprehur pro federatës janë shumë larg krijimit të saj, dhe kjo si pasojë e mungesës së vullnetit nga pala demokrate. Partia Republikane, nëpërmjet Arjan Madhit, e shikon kalimin e Pollos në Partinë Demokratike si një pjesë të programit të përbashkët që ka PD me PDR. Nard Ndoka, ish-kryetar i parë i grupit kuvendor të PDR-së në vitin 1999, kur u krijua dhe kjo parti, e sheh lëvizjen e fundit brenda koalicionit qeverisës si krizë brenda Partisë Demokratike.

"Bashkimin do ta quaja një dështim personal të zotit Pollo, madje mund të them që është viktima e parë e Kodit Zgjedhor. Pollo, duke e parë veten jashtë politikës shqiptare, u përpoq t‘i kacavirrej Berishës, gjithsesi ky është një bashkim mekanik numrash, pasi kjo tregon krizën e Partisë Demokratike, e cila përpiqet që ta amplifikojë një lëvizje të tillë", tha Ndoka në fjalën e tij.

Ndoka refuzon çdo mundësi të kthimit të tij në selinë blu, së cilës i shërbeu deri pak kohë më parë. Ky vendim, sipas kryedemokristianit, është marrë në emër të një gare me dinjitet dhe matjes reale të fuqisë politike në vitin 2009. Fituesi i vetëm i kësaj situate është vetëm njeriu që firmos kryesimin e PD-së që nga 12 dhjetori i vitit 1990. Pollo duhet të pres mbledhjen më të afërt të Kryesisë, për t‘u përballur me debatet e kolegëve të tij demokratë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›