Federer-Uilliams “pushtojnë” Australinë
Tenisti zviceran mundi në finale skocezin Endi Mërrej 3-1 (6-3, 6-4, 7-6 (13-11)) në një përballje që zgjati 2 orë e 41 minuta. Ky është titulli i katërt në turneun e Melburnit për numrin një të botës (pas sukseseve në vitin 2004, 2006 dhe 2007) dhe i 16-i në karrierë. Kurse për 22-vjeçarin Mërrej kjo ishte e dyta finale në karrierë, pas asaj të US Open në vitin 2008, ku u mund po nga Federer. Me këtë rezultat skocezi ngjitet në vendin e tretë, duke lënë pas spanjollin Rafael Nadal. Vendi i dytë për tenistin serb Novak Xhokoviç, renditja më e mirë për të deri tani.“Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të uroj Roxherin – u shpreh Mërrej pas sfidës – për gjithçka ka bërë. Sot ishe shumë më i zoti se unë – vijoi 22-vjeçari duke iu drejtuar Federerit -. Falenderoj publikun për mbështetjen dhe shpresoj që një ditë të kthehem e ta fitoj këtë turne”.Fjalë inkurajuese edhe nga zvicerani për kundërshtarin e tij: “Je tepër i fortë për të mos fituar një Grand Slem. Mos u mërzit, do ta fitosh”. Më pas ai analizon paraqitjen e tij: “Gjatë këtyre dy javëve luajta një tenis fantastik. Dhashë më të mirën time, jam në qiellin e shtatë”.Në turneun e femrave Serena Uilliams mundi në finale 2-1 tenisten belge Xhastin Henin (6-4, 3-6, 6-2) pas dy orë e tetë minutash lojë. Për më të voglën e motrave Uilliams ky është titulli i pestë në Melburn (i dyti rresht) dhe i 12-i në karrierë.